Voltaire
François-Marie Arouet që më pas u quajt "Dë Volter" ose Volteri, u lind më 21 nëntor 1694 dhe vdiq 30 Maj 1778, ishte bir i një noteri parisian. Nxënës i kolegjit jezuit "Luigji i Madh", duke filluar nga viti 1704 ai shkroi vargjet e para dhe tragjedinë e tij të parë (të humbur) në moshën dymbëdhjetëvjeçare. Duke lënë kolegjin më 1711, prirja e tij prej shkrimtari u ndal. Megjithëse i filloi studimet për drejtësi nën trysninë e të atit, i braktisi ato shumë shpejt. Një satirë kundër Regjencës së Filipit të Orleanit, që iu atribuua djaloshit të ri, i kushtoi një qëndrim prej njëmbëdhjetë muajsh në Bastijë. Gjashtë muaj pas lirimit, Volteri dorëzoi në teatër tragjedinë Edipi, që pati një sukses të madh dhe i dha emër si autor tragjik. Më 1723, botimi i La Henriades, epope e ngjizur gjatë burgimit dhe kushtuar Francës së Hanrit III (që e kishte titulluar në fillim Liga ose Hanri i Madh), e bëri edhe më të famshëm. I kërcënuar më 1727 për t'u futur përsëri në burg për paturpësi të tepruar, shkrimtari parapëlqeu të emigronte në Angli. Gjatë dy viteve që kaloi përtej Manshit, Volteri u interesua për teoritë e reja të Isak Njutonit mbi shkencat fizike dhe natyrore, si dhe për filozofinë politike të Xhon Lokut.
Kjo periudhe do të ishte vendimtare për jetën dhe veprën e tij të ardhshme. Letrat filozofike, të shkruara në mërgim dhe të botuara më 1734 në Francë, u sekuestruan nga Parlamenti i Parisit, u dënuan si armike të fesë dhe të shtetit dhe u dogjën publikisht. Për t'i shpëtuar një burgimi të ri, Volteri u strehua në Sirei, në Lorenë, në kështjellën e markezes së Shatëlesë, ku iu kushtua studimeve të tij filozofike, historisë dhe shkencave fizike dhe natyrore. Një lidhje e lumtur prej pesëmbëdhjetë vjetësh me "Emilinë hyjnore" i dha mundësinë të punonte - në shoqërinë e markezes - mbi komente të gjata mbi shkrimet e Njutonit dhe të Laibnicit. Më 1749, vdekja e zonjës së Shatëlesë e goditi rëndë dhe e bëri të pranonte një ftesë në Potsdam të Frederikut II të Prusisë, me të cilin kishte letërkëmbim që nga viti 1736. Pas prishjes së miqësisë me Frederikun e Madh më 1753, Volteri u nis për të banuar në Gjenevë.
Aty, brenda disa javëve, shkroi novelën filozofike Shpirtkulluari ose Optimizmi (1758-1759). Më 1758, bleu fshatin dhe senjorinë e Femeit, në mes të rrugës midis Gjenevës dhe Francës, ku shkroi dhe iu përkushtua konkretisht përmirësimit të kushteve të jetës të fshatarëve, që ishin "shtetasit" e tij. Volteri vdiq në Paris më 30 maj 1778.
Deistët njihnin ekzistencën e një zoti krijues, por nuk besonin që ai merrte pjesë në jetën e botës jashtë ligjeve natyrore të fiksuara nga krijimi fillestar. Manifesti i parë i deistëve është një vepër e Xhon Tolandit, Krishtërimi pamister 1696). Kjo mënyrë të menduari u përhap në shekullin XVIII midis intelektualëve falë, mes të tjerash, shkrimeve të Volterit.
Rreth së njëjtës kohë, si Volteri, edhe filozofi dhe juristi Monteskjë (1689-1755) qëndroi për një kohë më të gjatë në Angli. I ndikuar thellë nga Loku, por edhe i impresionuar nga realiteti i Kushtetutës angleze, ai riformuloi një teori të së drejtës natyrore dhe përpunoi atë të ndarjes së pushteteve midis pushtetit ligjvënës, ekzekutiv dhe juridik Mendimi antiabsolutist i Monteskjësë, paraqitur te Për shpirtin e ligjeve (1748), pati një jehonë të madhe në gjithë Evropën.
Për Volterin, progresi i iluministëve nuk u kufizua në shkencat e natyrës. Iluministët duhej gjithashtu të kryesonin betejën për lirinë e shpirtit dhe në luftën kundër obskurantistëve fetarë, sidomos atyre të Kishës Katolike, që kërkonin të pengonin idenë e vizionit modern të botës.
Ajo që ne kuptojmë me fjalën "filozof " ndryshon nga një vend në tjetrin. Në vendet anglo-saksone dhe në Gjermani, një filozof është një profesor universiteti, specialist i filozofisë; në Francë, mund të jetë edhe një shkrimtar që ndërhyn në debatin publik, duke botuar libra dhe artikuj shtypi mbi çështjet politike dhe morale dhe që ndihmon në këtë mënyrë për të formuar një opinion.
Modeli nistor i këtij lloji të dytë filozofi është Fransua Mari Arue, që u pagëzua vetë "Volter" (ose më mirë "Dë Volter", për të mos mbetur i vulosur nga inferioriteti i klasës së tij të origjinës, borgjezisë). Lindur dhe rritur në Paris, Volteri (Voltaire) u njoh që në rininë e tij si shkrimtar teatri, redaktor artikujsh dhe autor pamfletesh në vargje satirike kundër disa personaliteteve të rëndësishme të Oborrit. Lavdinë e parakohshme e pagoi me një qëndrim prej pothuaj një viti në Bastijë, burgu i shtetit të monarkisë. Aty iu fut redaktimit të një epopeje në vargje mbi mbretin Hanri IV, që u kishte dhënë fund luftërave fetare në Francë nëpërmjet ligjit të Nantës (1598). Ai po tregohej shumë guximtar duke i thurur lavde një mbreti tolerant, në kohën kur sapo kishte vdekur Luigji XIV, që kishte shfuqizuar ligjin e Nantës (ligji i Fontenblës, 1685) dhe i kishte dhënë Kishës Katolike statutin e fesë së shtetit. Beteja për tolerancën mbeti për tërë jetën një mendim i ngulët vetjak i Volterit, sepse toleranca qe themeli edhe i lirisë së mendimit që e kërkonte si shkrimtar. Ai pati kështu deri në vdekje një kundërshtar të caktuar: Kishën, që mbronte me thonj e me dhëmbë monopolin e shpjegimit të zanafillës së botës dhe që kishte çuar rregullisht në turrën e druve botimet e kundërshtarëve të saj, madje edhe botuesit dhe autorët e tyre, kur kishte rast t'i shtinte në dorë dhe t'i dënonte për herezi, siç ndodhi me tmerrin e paharruar të ekzekutimit të filozofit italian Xhordano Bruno (1548-1600), torturuar dhe djegur i gjallë, si dhe i shumë të tjerëve.Britma e luftës e Volterit, e përmendur shpesh në fund të letrave të tij, qe gjithmonë "Ec L'inf." ("Të shtypim të poshtrën !").
Liria e mendimit ka kuptim vetëm kur shoqërohet me lirinë e të botuarit, kur njerëzit mund të debatojnë lirisht për mendimet e tyre dhe pa përdorur mjete për t'i imponuar ato me dhunë. Volteri punoi për këtë me botimet e tij, por edhe me anën e një letërkëmbimi të bollshëm, që mbush njëqind e shtatë vëllimet në botimin e fundit të plotë të veprave të tij. Këto letra i dhanë mundësi të ndikonte mbi grupet më të rëndësishme të opinionit publik francez, domethënë të fisnikërisë dhe të borgjezisë së lartë, që ishin shumë të hapura ndaj ideve të iluministëve. Në kohën e Volterit, në Francë borgjezia ende nuk ishte e bindur se idetë vlejnë sipas peshës së arsyetimeve dhe jo në funksion të rangut të personit që i paraqet. Nga ana tjetër, në Angli, ku arsyeja e shtetit kërkonte tolerancën duke pasur parasysh thërrmimin e feve dhe të sekteve dhe ku fisnikëria sipërmarrëse filloi të përzihej me borgjezinë tregtare, formimi i këtij opinioni publik "borgjez" ishte shumë i përparuar dhe liria e mendimit e kishte ndjekur natyrshëm të njëjtën udhë.
I kërcënuar për të përfunduar përsëri në Bastijë dhe i urdhëruar të zgjidhte midis burgut dhe mërgimit të përkohshëm, Volteri parapëlqeu të nisej për në Angli. Ai mësoi të njohë sistemin mekanist të Isak Njutonit dhe të filozofit Xhon Lok, nxënësit e të cilit e kishin zhvilluar drejt deizmit duke punuar mbi marrëdhënien midis arsyes shkencore dhe fesë. Volteri e pranoi përparësinë e anglezëve në fushën e iluminizmit dhe nxitoi t'u tregonte francezëve vonesën e tyre në Letra mbi anglezet (1728). Ai e ndjente se Franca nuk ishte e gatshme për të zhvilluar sistemet e reja filozofike, por mund të popullarizohej përparimi i mendimit, siç ishte arritur ndërkaq në Angli. Talenti prej shkrimtari i jepte atij më shumë se kujtdo aftësinë për t'i përhapur këto ide.
I kthyer në Francë më 1729, Volteri iu fut përhapjes së shkencës njutoniane dhe teorisë deiste të botës: edhe pa vënë në dyshim ekzistencën e një zoti, fetë e tjera ishin flakur si naive dhe të rrezikshme.Volteri i cilësonte "paragjykime" të gjitha paraqitjet metafizike apo morale tradicionale për të cilat nuk ekzistonin themele të arsyeshme, duke u dhënë kështu një koncept beteje "ala franceze" iluministëve. Paragjykimet sundojnë shkencat fizike dhe natyrore, veçanërisht mjekësinë; ato janë në themel të të gjitha pabarazive shoqërore; dhe janë përsëri paragjykimet që karakterizojnë fenë zyrtare, kasta e priftërinjve duke u mbështetur mbi faktin se njerëzit që nuk janë të arsimuar me arsyen, besojnë gjërat më të errëta.
Volteri luftoi po ashtu për dinjitetin dhe lirinë e individit, në radhë të parë për vetveten: marrëdhëniet e tij me mbretin Frederiku II i Prusisë e bënë të besonte - por vetëm për një kohë - se një filozof dhe një monark absolut mund të flasin si i barabarti me të barabartin. Në betejën e tij kundër Kishës, u bind se një njeri nuk ka nevojë për bekimin e një prifti për t'iu njohur merita e tij. Më 1791, revolucionarët mbartën triumfalisht eshtrat e filozofit - që ishte varrosur jashtë Parisit - në Panteon, në kishën e vjetër Sentë-Zhenevievë, e shndërruar në mauzole kushtuar "njerëzve të mëdhenj" të "atdheut mirënjohës".
Kureshti nga jeta e Volterit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Në një udhëtim Volteri zbriti nga karroca për të këmbyer kuajt. Aty pranë ishte një plak afërsisht në moshën e tij. Diku e kishte parë, iu afrua dhe pastaj i tha:
- Ju ngjani çuditërisht me një fëmijë që kam njohur gjashtëdhjetë vjet më parë po në këtë vend. Pastaj i tregoi edhe emrin e fëmijës. Atëhere Volteri mori vesh se ky plak ishte fëmija që kishte njohur gjashtëdhjetë vjet të shkuara.
- Një udhëtar francez kaloi nëpër zallishtet e malit i Shenjtë (Greqi). Atje takoi rrugës një plak të moshuar që po shëtiste.
Kur plaku mori vesh se udhëtari ishte francez, iu afrua dhe e pyeti: - Ju lutem, më thoni, a rron zotni Volteri? Udhëtari francez u kthye në atdhe dhe ia tregoi këtë episod filozofit të madh. Volteri u emocionua shumë.
- Kur vajti në Angli, Volteri shkoi për vizitë te poeti anglez Kongrev. Ai nuk dëshironte aspak që të përmendeshin veprat e tij, prandaj i tha Volterit :
- Ju lutem mos më flisni për poezitë e mia. Më quani si një njeri të thjeshtë. Po të ishit njeri i zakonshëm, nuk do të kisha marrë mundimin që t'ju vizitoja, - ia ktheu Volteri.
- Kur po shfaqej një tragjedi e Volterit, Monteskjenë e zuri gjumi. Volteri, që ishte së bashku me të, e zgjoi dhe i tha: - Zoti kryetar, mos kujtoni se jeni në audiencë !
- Një mbrëmje në Potsdam, pas një dreke të shkëlqyer, Volteri bëri portretin e një princi të mirë që e krahasoi me një despot dhe tiran: Të gjithë e dëgjuan me shumë vëmendje fjalën e filozofit të madh, kurse mbreti i Prusisë u trondit shumë nga gojtaria e Volterit dhe nisi të qajë. Volteri e ndërpreu fjalën e tij, i hodhi një sy mbretit dhe thirri:
- Vështroni, vështroni! Tigri po qan !
- Një abat i dëgjuar shkroi një satirë kundër Volterit. Ai kur e takoi filozofin i tha për t'u justifikuar:
- Është e nevojshme që të jetoj edhe unë. - Unë nuk shoh ndonjë nevojë të tillë, - i tha prerë Volteri.
- Në moshën tetëdhjetëvjeçare Volteri ishte dobësuar dhe zbehur shumë. Megjithatë, ai mbahej gjallë dhe vazhdonte të punonte, të lexonte dhe të shkruante. Një njeri që e vizitoi tha:
- Ai është një i vdekur që kanë harruar ta varrosin.
- Në Fërne Volteri ndërtoi një kishë. Në fasadën e saj shkroi : "Deo erexit Voltaire"). Me të tallur u thoshte vizitorëve duke treguar mbishkrimin:
- Dy emra të mëdhenj që kanë mbirë së bashku.
- - Babai i Volterit dëshironte ta bënte të birin gjyqtar, meqenëse në atë kohë postet zyrtare në Francë bliheshin, ai ishte gati të shpenzonte shumë që të shihte të birin në atë post.
- I thonë babait tim, - iu përgjigj Volteri atyre që e këshillonin ta dëgjonte prindin, - se nuk di të bëj një punë të nderuar që blihet. Unë do të fitoj një vend pune që nuk kushton asgjë.
- Qysh fëmijë u fut në kolegjin jezuit "Luigji i madh". Në këtë kolegj nuk ndizej zjarr derisa të ngrinte uji në pilën e Kapelës. Atëhere Volteri që mërdhinte shumë; për të bërë që të ngrinte sa më shpejt uji i shenjtë dhe të ndizeshin stufat, mblidhte në kopësht copa akulli dhe i hidhte fshehurazi në ujin e shenjtë.
- Volteri shkonte nëpër sallonet e aroistokracisë, por gjuha e tij thumbuese dhe shpirti i tij ironik bënin që të kishte shumë armiq. Duka Rohan, që rridhte nga një fis i madh fisnikësh, u mërzit nga qëndrimi i Volterit dhe pyeti:
- Kush është ky djalosh që për të më kundërshtuar e ngre zërin kaq lart? Volteri iu përgjigj qetë qetë me ballin lart: - Zotni dukë, unë jam një njeri që nuk mbaj në shpatulla ndonjë emër të madh, por ama e nderoj shumë emrin tim. Duka doli i indinjuar. Disa orë më vonë Volteri po shkonte udhës dhe dy vetë e kapën dhe e rrahën me shkopinj. Duka ishte në një karrocë aty pranë dhe po shikonte skenën e turpshme të organizuar prej tij. Ndërkohë, ai i porositi njerëzit, që po kryenin aktin e ulët: - Mos e goditni në kokë, brenda mund të ketë ndonjë gjë të mirë.
- I dërguan Volterit një tragjedi shumë të dobët dhe iu lutën që të jepte mendimin për të.
- Volteri e lexoi të gjithë me vëmendje të madhe, e vuri tragjedinë mbi tryezë dhe u tha të pranishmëve: - E shikoni? Të shkruash një tragjedi si kjo është një gjë mjaft e lehtë. E vështirë është të shkruash për atë që e ka bërë këtë tragjedi.
- Volteri qysh në fëmijëri kishte pasion të madhe për poezinë. Ai shkruante vargje gjithë ditën. Vëllai i tij më i madh ishte i dhënë pas fesë dhe diskutonte shpesh për çështje fetare. Babai i tyre thoshte:
- Kam dy djem, të çmendur: njeri në prozë dhe tjetri në poezi. Një mik erdhi t'i thoshte Volterit se ai ishte dënuar që librat e tij të digjeshin në zjarr. - Aq më mirë, - u përgjigj filozofi, - librat e mi janë si gështenjat që sa më shumë të piqen në zjarr aq më të mira bëhen.
- Volteri ishte shumë i njerëzishëm. Megjithëse ishte armik me Rusoin kur mësoi se ai ishte përndjekur i ofroi strehim në kështjellën e tij. Rusoi iu përgjigj:
-I nderuari zotëri, unë nuk ju dua aspak dhe nuk kërkoj prej jush as mëshirë e as nderim.
- Volteri ishte shumë kërkues me aktorët. Në provat e tragjedisë së tij ai studionte veprën dhe bënte mjaft ndreqje. Një natë nuk mbylli sytë dhe në orën tre zgjoi shërbëtorin, e dërgoi tek aktori që luante rolin e tiranit, që të korigjonte një batutë. Shërbëtori i tha se në atë orë të gjithë flinin, por Volteri iu përgjigj:
- Shko, vrapo. Tiranët nuk flenë kurrë.
- Aktorët ishin aq të lodhur prej Volterit sa zonjusha Desmare, aktore e parë, nga frika se autori do t'i bënte korigjime të reja, nuk donte ta merrte rolin. Volteri i foli aktores së zemëruar, që kishte mbyllur derën, nëpërmjet vrimës së çelësit. Ajo ia mbylli edhe vrimën e bravës që të mos e dëgjonte. Volteri atëhere bëri një gjellë të mrekullueshme me thëllëza të pjekura dhe e ftoi. Në sqepin e dymbëdhjetë thëllëzave kishte nga një kartelë të vogël ku ai shkroi ndreqjet për rolin që do të luante aktorja.
- Volteri i priste shumë kollaj të huajt që e vizitonin në pallatin e tij në Fërne. Një prej vizitorëve, i përkëdhelur nga sjellja e njerëzishme, shprehu dëshirën të rrinte disa javë në kështjellë. Volteri iu kthye atëhere duke qeshur:
- Më duket se ju nuk doni t'i ngjani Don Kishotit. Ai i mori gjellëtoret për kështjella, kurse ju po i merrni kështjellat për gjellëtore.
- Një kritik e lavdëroi për qartësinë e stilit të tij. Volteri me modesti i tha:
- Përrenjtë e vegjël janë të kthjellët, dhe a e dini pse? Sepse nuk janë të thellë.
- Një ditë shkoi në Fërne një punëtor, të cilin e ndaluan të hynte. Ai deshi të takohej me çdo kusht me Volterin. Nga këmbëngulja e tij u krijua potere. Në mes të kësaj zhurme të madhe Volteri doli i zemëruar në dritare dhe thirri:
- Po më së fundi, ç'dreqin doni? - Oh, asgjë tjetër veçse t'ju shikoja, - u përgjigj punëtori. Edhe unë bëj atë që bëni ju, bëj fenerë e ndriçoj botën. Nga kënaqësia e përgjigjes Volteri e priti me përzemërsi.
- Në oborrin e Frederikut II po flitej. Një zotni gjerman mburrej me bukurinë e gjuhës gjermane. Volteri i tha se gjuha gjermane ishte shumë e ashpër dhe të fuste frikën kur e dëgjoje. Pastaj shtoi:
- Besoj se kur Zoti dëboi nga parajsa tokësore paraardhësit tanë, duhet të ketë folur në gjermanisht. - Mund të jetë ashtu, - u përgjigj mbreti Frederik, duke marrë pjesë në bisedë, - por gjarpri që gënjeu Evën padyshim i foli frëngjisht.
- Një njeri i tha Volterit të mos punonte shumë dhe të mos pinte kafe me tepri.
- Kështu si po bëni ju, - i tha ai, - po vrisni veten tuaj. - I dashur mik, - iu përgjigj Volteri, - unë kam lindur i vrarë.
- Në vitin 1778 një prift takoi Volterin dhe i kërkoi t'i ndërronte besimin fetar. Filozofi e dëgjoi me durim të madh dhe pastaj i tha:
- Ju lutem a mund ta di se kush ju ka dërguar? - Kush më ka dërguar? Po vetë zoti më ka dërguar. - Shumë mirë, - e mori prapë fjalën Volteri, - më jepni letërkredencialet.
- Volteri justifikohej me këtë frazë për pensionin që i kishte dhënë nipit të Kornejit, i cili ishte në fatkeqësi.
- Është detyrë e çdo ushtari që të ndihmojë nipin e gjeneralit të tij.
- Dikush e shqetësoi për shumë kohë Volterin me letra të gjata dhe të kota. Volteri më së fundi i mërzitur i shkroi:
- Zotni, unë jam i vdekur dhe prandaj nuk mund t'u përgjigjem më letrave tuaja. Mirëpo ai, që nuk donte të jepej, vazhdoi t'i shkruante Volterit me këtë adresë: "Zotit Volter, në botën tjetër".
- Volterit iu desh të largohej nga Franca për shkak të ideve dhe librave të tij. Një herë u kthye fshehurazi dhe në kufi doganierët i bënë të vetmen pyetje :
- A keni gjë me vete ? - Zotërinjtë e mij, - u përgjigj Volteri, - e vetmja gjë që dua të fus kontrabandë është personi im.
- Kur Volteri ishte në oborrin e Frederikut të Madh të Prusisë një gjeneral i kërkoi t'i korrigjonte disa kujtime të shkruara. Ndërkohë, një shërbëtor i mbretit i dha Volterit disa vjersha të Frederikut.
- E shikoni? - i tha Volteri gjeneralit, - mbreti më dërgoi ndërresat e palara për t'i larë, të tuat do t'i laj një herë tjetër.
- Volteri po shëtiste me disa miq të tij. Para tyre kaloi një prift. Volteri hoqi kapelën. Një nga të pranishmit e pyeti i habitur:
- Qenkeni pajtuar me zotin ? - Bah, - ia bëri Volteri, - përshëndetemi, por nuk flasim me njeri- tjetrin.
- E pyetën Volterin se ç'ndryshim ka midis të mirës dhe së bukurës. - E mira, - tha mjeshtri i madh, - ka gjithnjë nevojë për prova, kurse e bukura jo !
- Kur në Akademinë Franceze po diskutohej për disa fjalë që do të futeshin në fjalorin e famshëm, Voltari tha :
- Gjuha jonë është një krenari e varfër, duhet t'i japim lëmoshë kundër vullnetit të saj.
- Katerina II e Rusisë i dërgoi Volterit si dhuratë një kuti duhani prej fildishi, të punuar prej dorës së saj. Volteri i çoi një palë çorape që i kishte thurur vetë dhe i shkroi: "Ju më dërguat një punë burri të bërë nga një grua, unë po ju çoj një punë gruaje të bërë nga një burrë".
- Volteri e mbante shpesh me vete Biblën. Miqtë e tij habiteshin me të se ishte kundërshtar i librit të shenjtë.
- Po, a nuk është e natyrshme që një proces gjyqësor të ketë gjithnjë parasysh edhe dokumentet e kundërshtarit? - thoshte filozofi i madh.
- Në ditët e fundit të jetës Volteri i tha priftit që erdhi për ta parë:
- Keni të drejtë, duhet hyrë në rrethin e kishës. Duhet që njeriu të vdesë me fenë e prindërve dhe të atdheut të tij. Kështu, po të kisha lindur në brigjet e Gangut, do të jepja frymën e fundit duke mbajtur në dorë bishtin e lopës.
- Kur u njoftua vdekja e Volterit, letrari Kol thirri: - Tashti që vdiq tirani i inteligjencies, në letërsi shpallin prapë republikë.
Thënie nga Volteri :
"Respekti është gjë e mrekullueshme: bën që ajo që është e shkëlqyeshme te të tjerët, të na takojë edhe neve.” ~François-Marie Arouet (Volteri)
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- AC with 21 elements
- Wikipedia articles with VIAF identifiers
- Wikipedia articles with LCCN identifiers
- Wikipedia articles with ISNI identifiers
- Wikipedia articles with GND identifiers
- Wikipedia articles with SELIBR identifiers
- Wikipedia articles with BNF identifiers
- Wikipedia articles with BIBSYS identifiers
- Wikipedia articles with ULAN identifiers
- Wikipedia articles with MusicBrainz identifiers
- Wikipedia articles with NLA identifiers
- Wikipedia articles with faulty authority control identifiers (SBN)
- Wikipedia articles with RKDartists identifiers
- Wikipedia articles with CONOR.KS identifiers
- Filozofë francezë
- Shkrimtarë francezë
- Lindje 1694
- Vdekje 1778