Location via proxy:   [ UP ]  
[Report a bug]   [Manage cookies]                

Plazhi i Durrësit është një ndër plazhet më interesante, më të mëdha dhe më modernë jo vetëm në Shqipëri por edhe më gjerësisht. Duke qenë se ndodhet shumë afër Tiranës, Plazhi i Durrësit paraqet një zgjedhje të shpejtë dhe të leverdishme ku shumëkush preferon të shkojë për t’u relaksuar. Duket se kohët e fundit interesi ndaj Durrësit është rritur sidomos nga shqiptarët jashtë kufirit si kosovarët, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut apo shqiptarët e Malit të Zi. [1] [2]

Plazhi klasik shqiptar i Durrësit
Hotel Adriatiku
Plazhi i Durrësit - 2005
Plazhi i Durrësit
Plazhi i Durrësit jashtë sezonës
Bregdeti i Durrësit

Historiku

Redakto

Në fillim të shekullit të kaluar zona e plazhit klasifikohej si tokë bujqësore. Rëra me vlera mjaft kurative kishte pamjen e dunave të mbuluara me gjineshtra, ferra dhe bar. Rruga nacionale Durrës-Kavajë e shtruar me kalldrëm, në segmentin Ura e Dajlanit - Plepa kalonte pikërisht aty ku sot ndodhet rruga e re me gjashtë korsi. Më vonë kjo vijë do të shërbente për të ndarë konvencionalisht zonën turistike nga toka bujqësore.

Në vitet ’20 të shekullit të kaluar më shumë se 50 familje nga Durrësi, Tirana, Berati, etj. ndërtuan shtëpitë e para palafite, me këmbë prej druri brenda në bregdet.

Oborri mbretëror, ne fillim të viteve ’30 ngarkoi Bashkinë e Durrësit dhe një grup specialistësh për hartimin e planit rregullator për plazhin. Plani rregullator përfshinte të gjithë territorin e plazhit nga rruga nacionale deri në bregdet me një gjërësi nga 200-800 metra dhe me gjatësi prej mbi 4 km, sipërfaqe e cila në dokumentat e kohës emërtohej thjesht Banjat. Disponohen dokumente dhe harta të kësaj periudhe, ku shihet ndarja në 300 parcela me sipërfaqe 400 dhe 500 metra katrorë secila dhe të renditura në katër radhë nga bregu i detit deri në rrugën nacionale. Bashkia e Durrësit ua shiste parcelat pronarëve, që sipas planit urbanistik duhet të ndërtonin vetëm në gjysmën e sipërfaqes së blerë, duke i dhënë përparësi gjelbërimit.[3]

Sipas një dokumenti të kohës deri në vitin 1936 në zonën turistike të Banjave ishin ndërtuar 82 vila 1-2 katëshe, vlera e ndërtimit të të cilave lëvizte nga 1.500 deri në 5000 franga ari. Ndërtimet sipas planit rregullator vijuan në vitin 1943, ndërsa më pas popullsia e Durrësit u shpërngul thuajse tërësisht në Tiranë dhe Kavajë për shkak të luftës.

Në vitin 1946 të gjitha vilat e plazhit u shtetëzuan. Ato fillimisht u përdorën si shtëpi pushimi për punëtorët, ndërsa më pas një pjesë e tyre u kthyen në vila pritjeje qeveritare. Qytetarët durrsakë filluan ta frekuentojnë masivisht plazhin vetëm në fillim të viteve ’60. Deri në atë kohë ata i drejtoheshin plazhit të Currilave në veriperëndim të qytetit.

Pikërisht në këtë periudhë në plazhin e ri ndërtohen disa godina masive: kompleksi hotelier me arkitekturë dukshëm sovjetike vendosi në qendër hotel “Adriatik”-un me dy çifte hotelesh “Butrinti” e “Durrësi” dhe “Kruja” e “Apolonia” në të dy krahët e tij. Pak më larg u ngritën edhe godinat e Shtëpisë së Pushimit të Punëtorëve me rreth 600 shtretër.

Me një shtrirje të gjerë e të gjatë, Plazhi i Durrësit kishte disa pika, sektorë të preferuar, njëri prej të cilëve ka qenë dhe mbetet “Iliria”. Edhe sot, kështu vazhdon të njihet, por me një ndryshim të madh nga vitet e frekuentimit, pasi pak ka mbetur nga ajo kohë.

Sektori “Iliria” është i katërti në radhë, pas “Teutës”, “Apolonisë” e “Hekurudhës”. Një zonë rreth 200 metra bregdet, “Iliria” ishte plazh popullor, më shumë për tiranasit, ndryshe nga “Teuta” dhe “Apolonia” që shfrytëzoheshin edhe nga pushues të qyteteve të tjera. “Hekurudha” mbetej qendra e preferencës me “Breshkën”, Pistën dhe “Adriatikun”, ku qëndronin të huajt.

Zona e “Ilirisë”, fillonte me Kampin e Punëtorëve, një ndërtesë tre katëshe nga lindja, në krah të rrugës kryesore e destinuar vetëm për punonjësit e dalluar dhe e ngjitur me të ‘Godina e Kuadrove’. Ndërsa në veri-jug, ajo kufizohej nga dy rrugë paralele rreth 150 metra larg njëra- tjetrës dhe në hapësirën midis tyre, në formë kuadrati ishin kabinat për popullsinë. “Ilirinë” e bënte të njohur edhe afërsia me “Bllok”-un, ku qëndronte udhëheqja, me të cilën e ndante formalisht një rrethim me tela dhe ushtarë.[4]

Pastaj vinte stacioni i Plepave, ku merrte kthesën autobusi i linjës Durrës-Plepa, dy Konvaleshencat, ajo e Ministrisë së Brendshme dhe e Mbrojtjes, e midis tyre Kampi i Pionierëve. Të preferuara te “Iliria” ishin edhe ato pak vila të rezervuara për një elitë të zgjedhur, pasi kishin kushte shumë më të mira se kabinat e familjarëve.

Plazhi i Durrësit u kthye në këtë kohë në një pikë verore mjaft e frekuentuar dhe e kërkuar veçanërisht nga intelektualët dhe studentët nga i gjithë vendi, familjet e të cilëve kursimet vjetore synonin t’i shpenzonin në plazhin më të madh të Shqipërisë.

Kabinat ishin njëditore, pastaj u bënë 15-ditore. Blloku kryesor i kabinave, ai në zonën e “Ilirisë”, është ndërtuar në mesvitet ‘60-të dhe kanë qenë prej dërrase e muri. Për të siguruar dy javë në një nga dhomat me sipërfaqe dhe komoditet minimal duhej patjetër autorizim nga qendra e punës, ku bashkë me kabinën merrej edhe një çadër. Kabinat ishin tepër të thjeshta, shtretër, dyshekë, dollap dërrasash për ushqime, tavolinë me karrike dhe furnelë vajguri për të gatuar.

Kabinat prej dërrase 1 katëshe, ishin në disa rreshta horizontal e vertikal në kurriz të njëra tjetrës, me pak shkallë dhe kushtonin 2.800 deri në 3.500 lekë. Një radhë me kabina, te vetme dhe tejet të kërkuara, ishin ato në rërë, me pamje nga deti, ndërsa një grup tjetër, por në krah të njërës nga rrugët paralele, ishin ato me kurriz nga “Blloku”, ku qëndronin vetëm familjet e punonjësve, shoqëruesve të udhëheqjes. Transporti nga Durrësi deri tek “Iliria” dhe anasjelltas, kryhej me autobusët e linjës.

Në mesin e viteve ’80 plazhi i Durrësit iu nënshtrua një sistemimi masiv, i cili mbeti i papërfunduar për shkak të ndryshimeve të tranzicionit. Gjelbërimi i vjetëruar dhe i rrezikshëm me plepa nisi të zëvendësohej me pisha dhe eukalipte, ndërsa paralelisht me rrugën automobilistike u ndërtua një trotuar i mjaftueshëm në shërbim të kalimtarëve pushues.

Hoteli me emrin “Breshka”, i ndërtuar në stabilimentin “Hekurudha” 70 vjet më parë ishte një nga simbolet e fundit, që u rrafshua ne fundin e viteve ’80. Ndërsa urat prej druri që zgjateshin vetëm pak metra në det, u zëvendësuan nga urat prej betoni që i drejtohen edhe sot thellësive.

Sot me qindra ndërtime e godina i janë shtuar plazhit të Durrësit, duke sulmuar bregun e detit, duke iu afruar egërsisht atij dhe duke pakësuar ndjeshëm fondin e rërës, aq të domosdoshëm për plazhet masive si ky i Durrësit. Duke qenë se ndodhet shumë afër Tiranës, Plazhi i Durrësit paraqet një zgjedhje të shpejtë dhe të leverdishme ku shumëkush preferon të shkojë për t’u relaksuar.

Planifikohet që të fillojnë punimet për ndërtimin e Lungomares së Durrësit, e cila do të fillojë nga Ura e Dajlanit dhe do të vazhdojë deri te Godina e Kavalishencës, në 3 kilometër vijë bregdetare. Studimi parashikon që të ketë një unifikim në vijë të njëtrajtshme nga fillimi në mbarim, ndërsa shëtitorja do të ketë kënde lojërash për fëmijë, hapësira për pjesën e plazhit, stacionet e plazhit, hapësira shërbimi, hapësira sportive dhe objekte përcjellëse që lidhen me përdorimin e ambienteve higjieno-sanitare, kabina zhveshjesh, dushe dhe banja publike. Po ashtu do të ketë edhe një pistë për biçikletat në krah të asaj për këmbësorët.

Plazhi i Durrësit vazhdon të jetë destinacioni turistik i preferuar për mijëra pushues nga vendi, bashkatdhetarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Sanxhaku i Tregut të Ri si dhe turistë të huaj të cilët gjejnë mikpritje, diell, det dhe kushte mjaft të mira akomoduese.[1]

Gjeografia

Redakto

Plazhi i Durrësit shtrihet përgjatë gjithë bregut të Gjirit të Durrësit, nga Ura e Dajlanit në Veri e deri te mbikalimi i Plepave ne jug. Kapaciteti turistik është rreth 400 mijë turistë në vit (6 - 8 m2 sipërfaqe për çdo turist). Tradicionalisht Plazhi i Durrësit ndahet në disa sektorë, si, Iliria, Teuta, Hekurudha dhe Plepat. Deti në Plazhin e Durrësit është i cekët dhe thellësia rritet në mëmyrë shumë graduale. Autostrada që lidh qytetin bregdetar me kryeqytetin bën që atje të shkohet mjaft lehtë, pavarësisht trafikut që me stinën e verës vjen e rëndohet, kryesisht nga dyndja e pushuesve dhe mbërritja e emigrantëve. Ajo çfarë të shtyn drejt pushimeve në Durrës, është edhe mundësia për të njohur historinë e këtij qyteti të lashtë. [1] [5]

Durrësi ofron një vijë të bollshme bregdetare me një numër të konsiderueshëm plazhesh, lokalesh e argëtimesh të pafund, deri në Kavajë, ku ndodhet një nga vendet më të pëlqyer për plazhin e të rinjve “Shkëmbi i Kavajës”. Komplekse argëtimi, kuzhinë të shkëlqyer, bare verore, të gjitha këto e bëjnë plazhin e Durrësit dhe të Kavajës një mundësi që nuk duhet humbur. [6] [7]

Shiko edhe

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ a b c Lafe, Emil, red. (2008). "Fjalor Enciklopedik Shqiptar". (Encyclopedic Dictionary of Albania). Vëll. 1. Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë. fq. 554–555. ISBN 9789995610272. OCLC 426069353.
  2. ^ "Durrës City Guide" (PDF) (në anglisht). Bashkia Durrës. fq. 1–6. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 19 tetor 2020. Marrë më 2 maj 2020.
  3. ^ https://durreslajm.al/historia-e-plazhit-te-durresit-vilat-e-tregtareve-te-monarkise-ku-prehej-udheheqja-komuniste-dhe-kampet-e-pushimit/
  4. ^ https://pamfleti.net/historia-e-panjohur-e-plazhit-te-durresit-rrobat-e-banjes-ishin-si-mjet-ngacmues-per-vajzat-durrsakeve-u-vinin-nga-jashte-shtetit
  5. ^ "Durrës - ACLIS (Archived copy)" (në anglisht). Arkivuar nga origjinali më 19 shtator 2010. Marrë më 2010-09-21.
  6. ^ "Durrës Travel Information - HappyTellus (Archived copy)" (në anglisht). Arkivuar nga origjinali më 25 janar 2013. Marrë më 2010-09-21.
  7. ^ V. Xhokaxhiu (2013). Universiteti Aleksandër Moisiu Durrës (red.). Qyteti i Durrësit, drejt një turizmi të qëndrueshëm? (PDF). fq. 19. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 5 korrik 2020. Marrë më 2 maj 2020.

Lidhje të jashtme

Redakto
Një kategori në Wikimedia Commons përmban dokumente multimediale për Plazhi i Durrësit.