Location via proxy:   [ UP ]  
[Report a bug]   [Manage cookies]                
Jump to content

Osmanllinjtë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Dinastia Osmane)
Stema Osmanë

Osmanllinjtë (turqishtja osmane: خاندان آل عثمان Hanedani Al Osman) ishin pasardhës të turqve oguzë. Këta u shpërngulën si tribu nga Azia Qendrore dhe u vendosën në Anadoll në fund të shek. XI, pas disfatës së rëndë ushtarake që turqit selxhukë i shkaktuan Perandorisë Bizantine (1071), së cilës i morën pjesën më të madhe të zotërimeve që kishin në Azinë e Vogël.

Turqit oguzë hynë në histori kur prijësi i tyre Ertogrulli mori si shpërblim prej sulltanit selxhuk një zotërim të vogël në brigjet e lumit Sangaria (Sakaria). Ndërkohë shteti i selxhukëve u shpërbë në shumë principata të vogla pas disfatës ushtarake që i shkaktuan mongolët (1243).

I biri i Ertogrullit, Osmani I (1258-1326), e zgjeroi zotërimin atëror dhe e ktheu në një shtet të pavarur me emrin Emirati Osman, që u bë bërthama e Perandorisë Osmane. Në vitin 1299 Osmani I mori titullin e sulltanit dhe nënshtetasit e tij u quajtën turq-osmanllinj. Ushtria e tij përbëhej nga feudalë të vegjël spahinj (sipah - kalorës), që ishin të detyruar të merrnin pjesë në luftë si kalorës sa herë të thirreshin nga komandantët eprorë të tyre.

Në vitin 1317 Osmani I ngarkoi të birin, Orhanin, me detyrën e komandantit të ushtrisë. Sulltan Orhani (1323-1362) në vitin 1326 pushtoi Bursën dhe e bëri kryeqytet. Ai i zgjeroi kufijtë e shtetit të tij, krijoi aleancë me Perandorinë Bizantine dhe u martua me vajzën e Perandorit Johani VI Kantakuzen.

Burimet historike, rrjedhimisht edhe historianët e sotëm, kanë disa ndryshime kronologjike për vitet e para të pushtimeve osmane në Ballkan. Në vitet 1347, 1349 dhe 1352 trupat e sulltan Orhanit zbarkuan në Ballkan për të luftuar përkrah vjehrrit të sulltanit kundër serbëve, bullgarëve dhe kundërshtarëve të brendshëm politikë të Johanit VI. Në këto rrethana në vitin 1352 osmanët krijuan zotërimin e parë të tyre në Evropë, duke marrë kështjellën Cimpes pranë qytetit të Galipolit dhe, pas dy vjetësh (1354), pushtuan edhe këtë qytet bashkë me rajonin e Dardaneleve e më gjerë.

Sulltan Orhani fuqizoi organizimin e brendshëm të Perandorisë Osmane. Ai preu një monedhë të veçantë për shtetin e tij dhe rreth vitit 1330 krijoi ushtrinë e përhershme elite, korpusin e jeniçerëve (jeniçer - ushtar i ri). Krahas spahinjve dhe jeniçerëve, Perandoria Osmane kishte edhe repartet ushtarake të akënxhinjve (akën - sulm), që ishin kalorës, të cilët zakonisht grumbulloheshin kur ndërmerreshin fushata pushtuese.

I biri i Orhanit, sulltan Murati I (1362-1389), vuri nën pushtetin e tij rajone të tëra të Ballkanit. Në mes të viteve 60 ai pushtoi Adrianopojën, të cilën e bëri kryeqytet të Perandorisë dhe e ripagëzoi me emrin Edrene. Pushtimi i saj ndikoi shumë për shtrirjen e pushtimeve osmane në Traki. Rrugën e pushtimeve masive osmane në Ballkan e hapi fitorja e vitit 1371 pranë lumit Marica, ku trupat osmane u shkaktuan një katastrofë ushtarake sundimtarëve sllavë, vëllezërve Vollkashin dhe Uglesha Mërnjavçeviqit, në krah të të cilëve qe edhe Aleksandri i Vlorës. Pas betejës së Maricës, perandorët bizantinë dhe shumë sundimtarë të tjerë të Ballkanit u bënë vasalë të Perandorisë Osmane. Si vasalë ata filluan t’i paguanin tribut të përvitshëm dhe, bashkë me trupat e tyre, merrnin pjesë në luftime përkrah ushtrive osmane sa herë thirreshin prej sulltan Muratit I dhe pasardhësve të tij. Aleatë të sulltanëve osmanë në Ballkan kanë qenë edhe drejtuesit më të lartë të kishës greke dhe sllave, që kishin siguruar një varg privilegjesh prej sulltanëve.

Zhvendosja e kryeqytetit nga Azia (Bursa) në Evropë (Adrianopojë - Edrene) dhe krijimi për herë të parë këtu dhe jo në Anadoll i bejlerbejllëkut (Ejalet i Rumelisë), dëshmojnë se që në kohën e sulltan Muratit I, Ballkani po merrte më shumë peshë në jetën e Perandorisë Osmane se Anadolli. Në mes të shek. XV sulltanët osmanë arritën të grumbullonin më shumë ushtarë dhe të ardhura prej sistemit tatimor nga Rumelia (pjesa evropiane e Perandorisë Osmane) sesa nga Anadolli.

Gjatë viteve e dhjetëvjeçarëve që vijuan, në qendër të veprimtarisë politike dhe ushtarake të sulltan Muratit I dhe të pasardhësve të tij, ishte zgjerimi i kufijve të Perandorisë Osmane në drejtim të Ballkanit dhe të rajoneve të tjera të Evropës.

  • As̜iroğlu, Orhan Gâzi (1992). Son halife, Abdülmecid. Tarihin şahitleri dizisi (në turqisht). Istanbul: Burak Yayınevi. ISBN 978-9757645177. OCLC 32085609.
  • Duran, Tülay (1999). Padişah Portreleri (Portraits of the Ottoman Empire's Sultans) (në turqisht). Sirkeci: Association of Historical Research and Istanbul Research Centre. ISBN 978-9756926079. OCLC 248496159.