Location via proxy:   [ UP ]  
[Report a bug]   [Manage cookies]                
Jump to content

Bajraku

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Bajraku (shqip. flamuri) ka qenë një njësi territoriale osmane që përbëhej nga fshatra në zona malore në Ballkan, mbi të cilën mbështetej rekrutimi ushtarak. U instalua në fund të shek. XVI duke u përpjekur të kryente edhe funksione gjyqësore. Në thelb të bajrakut qëndronte organizimi i vjetër shoqëror i fisit dhe i farës[1].

Shqipëri, përgjatë viteve të paspavarësisë, institucioni i bajrakut vijoi të funksiononte si një pikë referimi morale për doket zakonore, institucionet e të cilit njiheshin si burim i së drejtës.

Pamje e përgjithshme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Bajraku përbënte një njësi ushtarake të territorializuar, përbëhej nga një apo më shumë fise, por u aplikua gjithashtu në krahina më homogjene dhe jofisnore. Institucioni administrativ i bajrakut iu mbivendos dhe integroi brenda vetes institucionet etnografike të malit dhe dheut. Institucione të cilat nuk ishin lënë në harresë: institucioni më i lartë i pleqnimit kanunor në Lurë quhej “Kuvendi i Dheut të Lurës”[2], në Lumë ka patur vise banorët e të cilave quheshin malësorë dhe të tjerë dhetarë[3], në një mikrotoponim të Shkodrës i referohet një rrapi si Çinari i Hoxhë Dheut - titull që i jepej në kohët e shkuara gjyqtarit paqtues për fshatrat[4]. Në rastin e Shkrelit një gjë qe fisi i Shkrelit, një gjë është bajraku i Shkrelit si njësi administrative dhe një gjë është mali i Shkrelit që lidhej me qënien e një bylykbashi. Kelmendi nuk ka qenë një bajrak i vetëm, por një mal me katër bajrakë (kjo pas ~1860), Gruda trajtohej si mal me dy bajrakë, ndërsa nuk kishte një fis Grudë.[1]

Bajrakut i printe bajraktari, tek i cili ishte integruar figura e të parit të fisit, ose në rast se nuk ishte përfaqësues i ndjesive të fisit a bashkësisë, atëherë i pari i fisit quhej vojvodë, pavarësisht përzgjedhjes së bajraktarit nga autoritetet osmane. Bajraktari kishte detyrim t'u përgjigjej autoriteteve osmane kur i kërkohej të thërritte burra në armë në këmbim të privilegjeve, dhe ndonjëherë kryente detyra administrative dhe juridike të rëndësishme. Bajraku lidhjen me aparatin administrativ lokal e bënte përmes bylykbashit.

Bajraqët mund të afroheshin drejt një lloj federimi, mbase për t'iu afruar njësisë etnografike që fiset ishin para se të instalohej ky institucion. Bashkësi bajrakësh të këtij lloji mund të përmenden Malësia e Madhe e njohur si Shtatë Malet[5], Dukagjini, Malësia e Gjakovës, etj. Ekzistojnë po ashtu ndër krahina etnografike jofisnore në formën e një bashkësie krahinore, si Mati, Dibra, Luma, Hasi, etj[6].

Bajraktarët në viset shqiptare

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Sa u përket viseve shqiptare përmendja e parë e ofiqit të bajraktarit në mënyrë të përsëritur nga studjuesit ndodh më 1696[7]. Duke u mbështetur në tetë brezat derës të bajraktarëve të Hotit, sipas gojëdhënës së kësaj shtëpie, duke marrë për të mirëqenë se nuk e morën tagrin e bajraktarëve prej kujt tjetër përveç autoriteteve osmane, e shpie formimin e këtij institucioni në fundshekullin e XVII[1].

Sipas Durham dhe Hasluck posti i bajraktarit ka qenë i trashëgueshëm sipas lisit të gjakut, por sipas Zojzit ndër të gjitha pozitat e fisit vetëm posti i bajraktarit nuk ka qenë i trashëgueshëm për shkak se sherre për kryesinë mund të lindnin gjithnjë.[8] Në krahinat jofisnore të Shqipërisë së Mesme, si Shpati dhe Martaneshi, ofiqi i bajraktarit dorovitej nga një familje tek tjetra. Në raste dorëheqje nga bajraktari i trashëguar, mund të kishte një formë regjence nga një i afërm i besuar siç qe rasti i Mirditës në mërgimin e gjatë të Preng Bibë Dodës, krahina u pri prej Marka Gjonit, në rastin e Matit kur Ahmet bej Zogu qe arrestuar nga austro-hungarezët, krahina qeverisej nga e ëma Sadije hanëmi[9].

Një bajraktar nga Veriperëndimi (Malësia e Madhe) paguhej trefish dhe merrte tri racione. Bajraktari i Shalës merrte dy pagesa dhe dy racione, një si bajraktar dhe tjetra si individ. Gjithashtu merrte pagesa dhe racione për tre të besuar të tij, dy prej të cilëve e ndiqnin në luftë, ndërsa i treti i ruante familjen, shtëpinë dhe katandinë.

Si administrator bajraktari nuk kishte rrogë fikse, megjithatë fitonte prej pleqnive, tek të cilat paguhej sa një plak ose pleqnar. Sipas dokeve të zonave bëheshin edhe pagesat[10].

Bajraqët në studime dhe histori

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gjatë çerekut të dytë të shekullit XIX institucioni i bajrakut filloi të gjurmohej nga studjuesit e parë evropianë, i pari Boué. Hahn me dy botimet e tij "Studimet shqiptare" dhe "Udhëtime në viset e Drinit dhe Vardarit" bëri të njohur këtë ndarje administrative në qarqet akademike të Evropës. Por asnjëri nuk iu përkushtua studimit të këtij institucioni, duke e parë gabimishit si një përftim spontan i vetëdijes fisnore.

Zef Jubani është i pari studjues shqiptar që, sadopak, u mor me çështjen e bajrakut. Shkrimi i tij "Aktualiteti i popullit shqiptar të Shqipërisë së Epërme" botuar më 1871 bashkë me "Përmbledhje këngësh popullore..." është dëshmia e parë e cekjes së institucionit të bajrakut nga inteligjenca shqiptare.

Përveç datës së sipërthënë për përmendjen e bajraktarit, dokumenti më i hershëm i njohur, që vërteton qënien e bajrakut në Malësi të Madhe, është një shkresë e vitit 1738 e lëshuar nga komanda e Ushtrisë Mbretërore Osmane, që u drejtohet bajraktarëve dhe pleqve të Hotit në lidhje me emërimin e Hasan Hotit bylykbash i atij mali[1]. Dinamika e trevave që u shndërruan në bajrakë bënë që të kishte kryengritje për të dalë nga rendi i ziameteve dhe çifligjeve i ndonjë feudali, gjatë këtij procesit ndonjë emërtim etnografik edhe ndryshoi: krahina që më parë dokumentohej si Shulla, u quajt Has nga shekulli i XVI e më pas. Thyerja e pashallëqeve të Shkodrës dhe Janinës bënë që ndonjë bajrak edhe u prish, kjo për arsye administrativo-ushtarake për t'i mpakur resurset njerëzore.

Sipas vendimit të Kongresit të Berlinit, Malit të Zi përveç tokave të tjera shqiptare iu dhanë edhe bajraqët Shestan, Triesh, Fundna, Kojë dhe pjesërisht ata të Anamalit e ArbneshitKrajës. Në disa vise shqiptare me të përfunduar procesi i sllavizimit u tjetërsua organizimi i vjetër shoqëror në bajrakët Merkot e Tuxhemil të kazasë së Tivarit, atëherë popullsi kryesisht shqiptare, por të konvertuar më pas në fenë islame, doket zakonore u zëvendësuan nga Sheriati dhe deri më 1878 këta bajrakë kryenin vetëm funksionet ushtarake.[1]

  1. ^ a b c d e Ulqini K., Bajraku në organizimin e vjetër shoqëror, Tiranë: Akademia e shkencave e RPS të Shqipërisë, 1991.
  2. ^ Lushaj R., Kurora e dytë e Lurës, zemrashqiptare.net, 28 maj 2014.
  3. ^ Hoxha Sh., Të njohim krahinën e Lumës, Tiranë, 2000.
  4. ^ Bushati H., Shkodra dhe motet, Shkodër: Idromeno, vl. 1, 1998, fq. 164.
  5. ^ Lejean G., Udhëtime në Ballkan 1857-1870, përktheu Nasi Lera, Tiranë: Dituria, 2017. fq. 146.
  6. ^ Bardhoshi N., Antropologji e Kanunit, Tiranë: Pika pa sipërfaqe, 2016. ISBN 978-9928-185-38-9
  7. ^ Ralph S., The Archaeology of Violence: Interdisciplinary Approaches, SUNY Press, 2013, fq. 150. ISBN 978-1-4384-4443-7
  8. ^ Stahl P., Household, Village and Village Confederation in Southeastern Europe, Eastern European Monographs, 1986, fq. 137. ISBN 978-0-88033-094-7
  9. ^ Lewis I. M., History and Social Anthropology, Routledge, 2013, fq. 260. ISBN 978-1-136-54137-7
  10. ^ Hasluck M., The Unwritten Law in Albania, Cambridge University Press, 2015, fq. 123. ISBN 978-1-107-58693-2