Location via proxy:   [ UP ]  
[Report a bug]   [Manage cookies]                
Jump to content

Bardhyl Taçi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë


Bardhyl Taçi u lind më 6 dhjetor 1933Korçë. Shkollën 7-vjeçare e mbaroi po në Korçë, ndërsa shkollën e mesme dhe atë ushtarake Skënderbej në Tiranë. Mbaroi Akademinë e Aviacionit në Rusi si dhe disa kurse kualifikimi në Kinë e Shqipëri. Ka qënë një pilot i kompletuar dhe një komandant i talentuar.

Fëmijëria e Bardhyl Taçit ka qënë shumë e vështirë, nëna i ka vdekur në vitin 1940, babai i është vrarë në operacionin e qershorit në 1944.

Që në fëmijëri ka pasur kuriozitet të madh, veçanërisht për qiellin. Shpesh ai mendonte ç'është hëna, ç'janë yjet dhe misteret e tyre. Ëndërronte vogëlushi jetim të ngjitej në qiell, atje ku ishin prindërit e tij! Një dëshirë e zjarrtë i përvëlonte kraharorin. I dukej se po të ngjitej në qiell do të ishte afër prindërve të tij që aq shumë i adhuronte dhe që aq shumë i mungonin. Në qiell fëmija jetim do të kërkonte të plotësonte atë boshllëk prindëror. “Ah sikur të kisha krahë e të fluturoja ! Le të bëhesha shqiponjë pa le të rroja shumë pakë !” Kështu filloi që zëmra e tij e vogël të ishte qielli…Kaq herë ju lut zogjve ta mësonin të fluturonte dhe kaq herë qau nga mos realizimi i kësaj ëndrre të çuditshme.

Djaloshi i vogël Korçar pati guximin që këtë dëshirë të zjarrtë t’ua thoshte të gjithë njerëzve të njohur dhe të kërkonte ndihmë që të bëhej një fluturues. Me zogjtë ishte lodhur. Miqtë dhe të afërmit e ndihmuanë të shkojë në shkollën ushtarake “Skënderbej” në Tiranë. Bardhyli ishte një një i ri i shkathët, trup mesatar dhe shumë i fuqishëm. Frikën nuk e njihte fare pasi, që kur i vdiqën prindërit, ai ëndërronte të shkonte pranë tyre.

Guximi dhe ëndrra i dhanë krahë

Pas përfundimit të shkollës së mesme, Bardhyl Taçi ka shkuar në ish Bashkimin Sovjetik. U gëzua shumë kur u pranua në shkollën ushtarake të aviacionit luftarak që mbante emrin e një nga pilotëve më të famshëm të ish-Bashkimit Sovjetik, Valeri Pavlloviç Shkallovit. Këtë gjë Bardhyli e mori vesh sapo mbriti në atë shkollë pasi të gjithë ishin krenarë që shkolla e tyre mbante emrin e heroit. Shkolla SHKALLOV, është një nga shkollat më të vjetra të aviacionit në ish BS. Ajo ndodhet në rrethin e Voronjezhit, në qytetin Borisoblebsk, qytet me popullsi reth 150.000 banorë, 600 km në lindje të Moskës.

“Kam krahë ! Jam një shqiponjë !”

Momenti kur studenti Bardhyl Taçi hypi për herë të parë në avion bashkë me instruktorin që do ta mësonte, i ka ngelur edhe sot në mëndje dhe nuk do ti fshihet nga kujtesa kurrë! Gjëja e parë që i erdhi në mëndje ishin ëndërrat e tij fëmijnore kur ai ëndërronte prindërit e tij në qiell. Pastaj toka e bukur nën këmbët e tij. Madhështinë që ndjeu për herë të parë nuk është në gjëndjë ta përshkruajë pasi askush nuk mund ta bëjë atë ashtu siç ajo ndihet. Ishte shumë krenar dhe nga lumturia merrte frymë thellë. I vinte të thërriste me sa fuqi kishte, “Kam krahë! Jam një shqiponjë! Hapësirë e pafund dhe ju o prindërit e mij në qiell, ju kam kaq afër!” Kjo ishte njëra anë, ana e bukurisë dhe frymëzimit. Kur i erdhi radha që të provonte drejtimin e avionit, Bardhyli u befasua. Ju duk një profesion shumë i vështirë dhe ra në mendime se si do ta përvetësonte këtë zanat! Kjo i erdhi nga që ishte hera e parë që fluturonte, që bënte diça të pazakontë. Me kalimin e kohës studentit shqiptar ju fut në shpirt fluturimi dhe mbaroi studimet shkëlqyeshëm. Ditën që i dhanë diplomën si pilot dhe i varën në gjoks medaljen me emrin e Heroit Shkallov si student i shkëlqyer, Bardhyli u përlot dhe në brëndësi të shpirtit të tij u betua se do ta mbajë me nder titullin Pilot Shqiptar.

Pas përfundimit të teorisë, Bardhyli kujton me mall po ashtu instruktorin e praktikës fluturuese, Sozin e rreptë dhe kërkues për detyrat. Ai ishte një kërkues pedant për çdo gjë që kërkonte fluturimi, qoftë edhe një gjë fare të thjeshtë dhe në dukje pa rëndësi. Nga Shqipëria ata ishim vetëm 6 studentë për pilotë, të gjithë djem të mirë; Bardhyl Taçi, Hamit Ulqinaku, Anastas Ngjela, Agim Spahiu, Andrea Stavri, Vasil Andoni. Bardhyli edhe sot i kujton ata me respekt e dashuri për shoqërine e shkëlqyer që kishin. Të gjashtë janë kthyer në Shqipëri në vitin 1955. Bardhyli u emërua pilot në regjimentin e Qytetit Stalin, sot Kuçovë.

Do befasoheshim kur mësuam se ai ka qënë jo vetëm studenti shqiptar më i mirë por edhe më i miri i të gjithëve në grupin e tij ku kishte hungarezë, rumunë, polakë dhe bullgarë, sigurisht edhe rusë.

Gjatë praktikës fluturuese studenti Taçi ka qënë fluturues AS ; i saktë, i vëmëndshëm, shumë i kujdesshëm, me reflekse brilante dhe tepër i guximshëm. Po tregojme vetëm një rsat simbolik ku aftësitë e tij vlerësohen nga eprorët e shkollës dhe ai cakotohet të fluturojë për kontrollin e kohës të cilin zakonisht e bën një nga pilotët më të mirë të shkollës ruse. Gjatë një stërvitje me gjithë grupin e studentëve, atë ditë në aerodrom frynte erë e madhe anësore, gjë që e vështirësonte ngritjen në ajër pasi kur ngrihet avioni duhet ta ketë erën nga përpara. E thërrasin të riun shqiptar tek udhëheqësi i fluturimeve dhe i thonë, ”Student Taçi, do të ngrihesh ti të fluturosh si studenti më i mirë, dhe pas uljes të na thuash a ka vështirësi për mbajtjen e drejtimit në ngritje nga studentët? Pastaj, nëse do marrim lejë nga ty, do të fillojmë fluturimet me të gjithë studentët e tjerë. Këtë gjë mund ta bësh vetëm ti nga studentët të cilët duhet të marrin shëmbyll dhe të inkurajohen për fluturime të vështira.” Studenti shqiptar fluturoi si shqiponjë e sigurtë në stuhi dhe kur zbriti tha me modesti, “Çdo student mund ta bëjë këtë që bëra unë”. Fluturimet filluanë po jo pa vështirësi pasi shumë studentë rrëshqitën në një krah gjatë ngritjes por, shëmbulli i shqiptarit trim i bëri ata të guximshëm.

Shqiponjë e hekurt

Kthimi në Shqipëri e bëri atë edhe më të zotin dhe një shëmbull për pilotët shqiptarë të cilëve nuk u mungonte guximi dhe dëshira për të fluturuar.

Bardhyl Taçi ka fluturuar në shumë tipa avionësh, me helikë dhe në avionë reaktive si p.sh., MIG-15, UTIMIG-15, MIG-17, MIG-19PM, MIG-19ES. Kariera e Bardhyl Taçit në aviacion ka ecur në të gjitha shkallët e hierarkisë që nga pilot i thjeshtë, komandant çifti, komandant katërshe, komandant skuadrilje, zv komandant regjimenti, komandant regjimenti dhe komandant i përgjithshëm i aviacionit luftarak shqiptar. Kjo tregon se Bardhylin, në ngjitjen e tij në detyrë, e ka bërë vetë puna e tij pa asnjë “levë” ngritëse siç mund të ndodhte ndonjëherë me miqtë e udhëheqësve komunistë. Ai fluturoi mbi 30 vjet, pa futur vitet e shkollës. Është emruar Komandant i Forcave Ajrore në vitin 1974 . Bardhyli ka qëndruar në detyrë deri në vitin 1990 kur ka dalë në pension.

“Unë për 30 vjet, sa herë qëndroja në ajër, ndihesha i lirë. Në ajër unë s’kisha komandant, s’kisha parti, s’kisha kufij, s’kisha polic trafiku, s’kisha pengesa, s’kisha kompleksin e krijuar nga shteti dhe ligjet…Në ajër isha vetë Zoti.” Qesh me gjithë shpirt.

Bardhyl Taçi

Në moshën që është sot Bardhyl Taçi, duket shumë kurajoz të dijë se çfare do të bëhet me aviacionin shqiptar, do të shuhet përfundimisht ose do të ringrihet. Ai lexon përditë shumë literaturë historike sidomos veprimet e aviacionit gjatë Luftës së II Botërore. Lexon për anijet kozmike. Lexon çdo gjë që ka të bëjë më zanatin e tij si pilot dhe ajo kureshtje që kishte në fëmijëri për qiellin, tani në moshën e tretë i është shtuar akoma më shumë por sidomos në drejtim të njohjes së gjithëçkaje ; në drejtim të avionëve, qiellit dhe kozmosit. Ai është një studiues i apasionuar dhe një enciklopedist në kërkim të gjithëçkaje për aviacionin. Bardhyl Taçi ndodhet përkohësisht në USA . Jeton njëkohësisht në Shqiperi dhe në USA . Kur është në USA mëndjen e ka në Shqipëri, tek shokët e miqtë e tij, tek aviacioni dhe ndjek me shumë interes situatën politike, shoqërore dhe ekonomike të Shqipërisë. Jeton bashkë me gruan e tij, Shkëdijën. Është babai i dy vajzave shumë të talentuara si vetë babai i tyre. Ai është 81 vjeç dhe akoma ruan zhdervjelltësinë e një të riu. Kur ju bë pyetja se a do të dëshironte të fluturontë përsëri me një reaktiv ai u përgjigj pa u menduar. « Vetëm kur të largohem nga kjo jetë nuk do të ëndërroj të fluturoj. Mund të kem humbur shprehitë e fluturimit por dashurinë nuk e humbas kurrë. Do të desha të isha i ri vetëm për të fluturuar. Më mirë i ri dhe plot dështime sesa i vjetër e plot përkujdesje.”

Një këshillë...

“Sado lart që të ngrihesh dhe sado ta admirosh madhështinë e bukurisë së tokës nën këmbët e tua, po nuk pe hijen e sendeve, nuk ke parë asgjë! Njeriu kudo që të shkojë, qoftë në kozmos a në një planet tjeter, ai quhet bir i kësaj toke. Këtë gjë nuk duhet ta harrojë kurrë ai që bëhet pilot. Unë ju them pilotëve të rinj, mos flturoni nëse në avion nuk ndiheni më mirë se në shtëpitë tuaja! Në qiell mund t’ju çojnë të tjerët por ju kurrë nuk do ta ndjeni atë kënaqësi veçse kur shkoni atje vetë dhe kur lundroni brënda qiellit si bir i qiellit dhe i tokës. Këtë fat e keni vetëm ju të dashur pilotë. Provoni më të mirën. Kush provon edhe mund të dështojë por vetëm ai që provon do të të fitojë.”