Dhimosten Budina
Dhimosten Budina (1930-2004) arkeolog shqiptar u lind më 1930 në Korçë. Studioi në Fakultetin e Historis në Universitetin e Tiranës. Pas suksesit të tij në studime nga shteti Shqiptar më 1953 i mundsohet vazhdimi i studimeve arkeologjike në Universitetin e “Lomonosov” të Moskës ku u diplomua për arkeologji klasike. Aty u dërgua për hulumtime arkeologjike në gjitha pjesët e ndryshme të Bashkimit Svjetik dhe posaqërisht në Uzbekistan.
Veprimtaria dhe kontributet në fushën e arkeologjisë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Pas kthimit në Shqipëri në 1956, Budinës iu caktua si temë doktorature studimi i Butrintit. Ku vazhdoi punën e lënë nga Luigi Ugolini dhe Misioni Arkeologjik Italian në Butrint. Që nga ky moment për arkeologun, objekte kryesore të hulumtimit të tij ishin Butrinti dhe rrethina. Gjatë viteve ‘50 bashkëpunoi me Misioni Arkeologjik Sovjetik në Shqipëri e posqaqërisht me Blavatskin.Mori pjesë në gërmimet në Apolloni, Çukën e Ajtoit si dhe së bashku me bashkëpuntorët e Blavatskit drejtoi gërmimin në Orikum.
Budina ishte një nga arkeologët kryesor që iniciuan ardhjen e ekipit të arkeologëve sovjetike, gjatë viteve 1958-60, me në krye prof.V. Bllavackij, për gërmime në Apoloni. Kështu në kuadrin e projektit shqiptaro-sovjetik ai u angazhua në gërmimin e kompleksit të banesave romake (sektori D) në Apoloni. Gjatë verës së vitit 1959 Dh.Budina, së bashku me kolegen ruse Kastanajan, gërmoi në qytetin koloni të Orikut, ku arriti të zbulojë një teatër të vogël të shek.IV p.Kr. Me prishjen e marrëdhënieve shtetërore midis Shqipërisë e Bashkimit Sovjetik më 1961, u ndërpre edhe projekti i kërkimeve arkeologjike në Apoloni. Në fillim të viteve ‘60 kërkimet arkeologjike shqiptare iu drejtuan qyteteve në brendësi të vendit, qyteteve ilire. Prof. S. Islami e H. Ceka gërmuan në qytezën e fortifikuar ilire të Gajtanit (Shqipëria e veriut), prof. F. Prendi e Dh. Budina ndërmorën gërmime në kalanë e Irmajt në Shqipërinë e brendëshme jugore. Rezultatet e zbulimeve në Irmaj kontribuan në dokumentimin e proçeseve të rëndësishme social ekonomike që kishin filluar të ndodhnin në Iliri në shek.IV-II p.Kr., të cilat u intensifikuan gjatë shekujve të parë të erës sonë. Në fund të viteve 60të e në vazhdim prof.Dh.Budina ju kushtua tërësisht njohjes dhe studimit të vlerave historiko-arkeologjike të Epirit të Veriut ose më saktë territorit të Kaonisë antike. Për këtë arsye ai ndërmori një varg ekspeditash përnjohëse duke kontrolluar e fiksuar të gjitha të dhënat për bregdetin Jon, pellgun e Delvinës dhe luginën e lumit Drino. Rezultatet e kësaj pune shumëvjeçare i ka bërë të njohura me botimin e Hartës arkeologjike të këtyre trevave, ku mbi bazën e kritereve shkencore na jep një informacion të plotë për të gjitha pikat e qendrat arkeologjike nga paleoliti deri në mesjetën e zhvilluar. Kjo hartë shërbeu si model për të gjithë arkeologët që u morën me përpilimin e hartave arkeologjike të trevave të tjera të Shqipërisë. Shtimi i përvojës dhe rritja e aftësive profesionale bënë që gjatë viteve 70-90, Budina t’i kushtohej kërkimeve afat gjatë e studimeve të thelluara në tre qytete kryesore të Kaonisë në Antigone, në Butrint e në Finiq.
Interpretimi i burimeve antike e kishin çuar prof. H.Cekën në lokalizimin e qytetit të Antigonesë me rrënojat e kalasë së Leklit, pranë fshatit të sotëm, me të njëjtin emër në krah të djathtë të lumit Drin. Por Dh.Budina si njohës i mirë i terrenit, në afërsi të fshatit Saraqinisht, në vendin e quajtur Jermë, kishte fiksuar muret rrethuese të një qendre të madhe antike dhe me përkushtimin që e karakterizonte për punën në terren, në verën e vitit 1966 pikërisht në Jermë, Dh.Budina filloi gërmimet e para, të cilat me disa ndërprerje i vazhdoi deri në verën e vitit 1990 (1966-70, 1973-1975, 1984, 1986-1990). Gjatë gërmimeve Budina midis shumë gjetjesh zbuloi edhe 14 tesera prej bronzi që mbanin mbishkrimin “Antigoneon”, fakt ky që i dha mundësi të lokalizojë qytetin e Antigonesë me rrënojat e Jermës, duke korigjuar mendimin e shprehur më parë nga prof. Hasan Ceka.
Me krijimin e Bërthamës Arkeologjike të Sarandës (në vartësi të Institutit të Arkeologjisë Tiranë), Dh.Budina emërohet drejtues i saj, kështu për shumë vite bën kërkime në tërë territorin e Kaonisë, me një kujdes të veçantë për përgatitjen e arkeologëve të rinj, që u bënë më vonë kolegët e tij si Kosta Lako, Astrit Nanaj e Dhimitër Çondi. Vlen të kujtojmë se pas mbarimit të studimeve universitare Budinës ju caktua si temë doktorature Butrinti. Ishte prof. S.Anamali i cili inkurajoi dhe nxiti fuqimisht Dhimostenin, për të marrë në dorë punën e lënë në mes nga L.Ugolini Dh.Budina gërmoi dy tuma të cilat ishin në rrezik të dëmtoheshin nga punimet bujqësore, tumën e Çepunës (Gjirokastër) dhe tumën e Bajkajt (Sarandë), të cilat dhanë një lëndë arkeologjike me shumë interes për epokën e bronzit e atë të hekurit. Gjithashtu Budina ndërmori gërmime me karakter shpëtimi në zbulimin e disa mozaikëve në qytetin e Sarandës. Në vitet 1981-82 me krijimin e mundësive për të bërë gërmime në pjesën e sipërme të qytetit, pikërisht në shpatin perëndimor ku konfiguracioni i terrenit të drejtonte drejt ekzistencës së një teatri, së bashku me kolegun Kosta Lako, u fillua gërmimi në zonën ku mendohej se ishte ndërtuar orkestra dhe skena e teatrit. Gjatë dy fushatave të gërmimit u arrit të zbulohej muri i proskenës i ndërtuar me gurë e i alternuar me tulla, i gjatë 25m në periudhën romake. Në artikullin Foinike në kërkimet e reja arkeologjike (Iliria 1986,1, f.113-121), veç historikut të kërkimeve i kushton një vëmendje të veçantë sistemit fortifikues të qytetit. Dallon-veçon murin që rrethon akropolin nga traktet e mureve rrethues të qytetit, si edhe përcakton linja të tjera të mureve që përshkojnë nga lart poshtë faqen perëndimore të kodrës. Një informacion të gjërë sjell Dh.Budina me evidentimin e gjetjeve të rastit si skulptura apo fragmente të tyre, që nuk janë të pakta, gjetjet nga varret e pasura të zbuluara në Matomarë dhe në “Bllokun e Agrumeve”, si edhe disa stela funerale me mbishkrime mortore.
Më 1992 ai iku nga Shqipëria dhe shkoi në Moskë për tu bërë shtetas Rusë. Aty u angazhua në projekte të arkeologjisë ruse dhe ishte pjesë e ekipit që kreu gërmime në Sheshin e Kuq. Roli i tij për zbulimet arkeologjike në Butrint është shumë i madhë. Kjo shifet më së miri nga fjalët e tij në një intervistë për arrkiven e fondacionit "Butrinti":
- Kam një parim gjatë punës. Gjatë gërmimeve gjithmonë përpiqem për të ruajtur çdo gjë, sidomos në gërmimin shumështresor, megjithëse mund të mos jem i interesuar për ta studiuar në mënyrë të plotë atë. Hera e parë dhe e fundit kur dëmtuam një pjesë muri, ishte vetëm atëherë kur gjetëm statujën e parë gjatë gërmimit dhe nga emocioni e humbëm toruan….
Burimi i të dhënave
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Arkiva e Institutit te Arkeologjise