Hysen Sinani
Hysen Sinani lindi më 7 shkurt të vitit 1949, në Tiranë, është shkrimtar dhe përkthyes shqiptar.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Është arsimuar në Tiranë, autodidakt. Ka kryer disa specializime në fushën e gazetarisë dhe botimeve. Në vitet 1964-1974 ka përvetësuar gjuhën franceze; 1974-1980 përvetësoi gjuhën italiane dhe gjatë periudhës 1990-1995 përvetësoi gjuhën greke.
Nga viti 1964 deri në vitin 1974, ka punuar si punëtor në disa ndërmarrje prodhimi, në Fabrikën e Lullave, Uzinën Dajti, në Ndërmarrjen e Konsumit të Gjerë, Ndërmarrjen e Montimeve Industriale, etj.
Nga viti 1974 deri në vitin 1985, ka punuar redaktor letrar dhe gazetar në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Në vitet 1986-1991 punoi përsëri punëtor në Uzinën e Traktorëve dhe në Fabrikën e Llullave.
Në vitet 1991-1992 shkoi në emigracion në Greqi. Në vitet 1992-1994 u rikthye në Shqipëri dhe nisi veprimtarinë private me firmën e tij botuese “Artemida”, midis botimeve të së cilës është edhe fjalori greqisht-shqip, me rreth 20 000 fjalë, i hartuar nga vetë autori. Në vitet 1994-1999 shkoi përsëri në emigracion në Greqi, për shkak të falimentimit të firmës botuese, si edhe realizoi disa udhëtime njohëse si gazetar në Itali dhe Francë.
Në vitet 1999-2008 u rikthye në Tiranë, ku jeton dhe vepron si shkrimtar, publicist i lirë e përkthyes; krijimtarinë e publikon në faqet e shtypit letrar si gazeta "Drita", "Shqip", revista "Krahu i shqiponjës", etj.
Hysen Sinani nëpër vite ka botuar shumë vepra të ndryshme letrare. Më të spikatura janë romanet: “Gjergji” (1980), tregon historinë e një punëtori që dëshiron të bëjë përpara në jetë, duke iu larguar ambienteve punëtore jo aq tërheqëse për ëndrrat e tij; “Nuk e harroja atë ditë” (1989), tregon gjithashtu historinë e një punëtori të ri, por tashmë të një individi të persekutuar nga kolektivi dhe në konflikt të hapur me kolektivin ku ai punon; “Një burrë si ky” (1992), këtu është vënë në qendër një çift të sapomartuarish që përplasen, përveç halleve të tyre personale, edhe me ndeshjen ndaj një administrate çnjerëzore dhe të egër ndaj individit me probleme; “52 burra për një grua” (1999), është një roman i shkurtër epik, me në qendër fatin e një gruaje, e cila bëhet mollë sherri midis dy familjeve në gjak dhe po ajo sakrifikohet për të shuar gjakderdhjen, në emër të një qëllimi më të lartë kombëtar; “Legjenda e dheut të keq” (2000), është një roman krejt modern, i pashkruar më parë në letërsinë shqipe. Aty shkrihen elementët e një publicistike letrare, ku pjesërisht personazhet janë realë, me atë letrare artistike ku marrëdhëniet emocionale dhe përshkrimet janë fiktive në atë masë që e dëshiron qëllimi krijues i autorit; “Triseta, teoremë për dashurinë” (2002), mund të merret si një roman fantastiko-shkencor në shikim të parë, sepse trajton zbritjen e jashtëtokësorëve në planetin tonë për të mbjellur farën njerëzorë. Por, për marrëdhëniet e krijuara midis personazheve, në radhë të parë, ashtu siç e tregon edhe vetë titulli, është një roman erotik, ndoshta i vetmi në letërsinë tonë që ka si qëllim pikërisht trajtimin e fenomenit të dashurisë midis njerëzve; “Sadisti” (2003), mund të konsiderohet si një horror ironik për një moral më të mirë të shoqërisë shqiptare, ku vrasja dhe përdhunimi janë bërë një formë banale e jetës së përditshme. Me dy fjalë, subjekti i tij është ky: një djali të ri i përdhunon të fejuarën një bandë djemsh rrugaçë; heroi i romanit merr ha duke ekzekutuar secilin sipas fjalëve që i ka thënë viktimës gjatë aktit të përdhunimit.
Hysen sinani ka realizuar edhe shumë përkthime nga më dinjitozet e letërsisë botërore si: “Për atdheun”, nga Blasko Ibanjez; “Maria Shapdëlenë”, nga Luis Hemon; “Madalena”, nga Henri Truaja; “Greqishtja për shqiptarët”, nga “Asimil”; “Jeta e Volterit”, nga Andre Morua; “Udhëtari i natës”, Maurizio Maggiani; “Një Xhinxhis Khan i ditëve tona”, Alberto Bevilacqua; “Krimet e mëdha të historisë”, Pierre Bellemare; “Shqisa jonë e gjashtë”, Charles Richet; “Udhëtim në fund të natës”, Louis-Ferdinand Céline; “Filozofia në sallon”, Markezi Dë Sad; dhe përkthime të tjera në proces botimi.
Ka dhënë kontributet e veta edhe në fushën e leksikografisë: “Fjalor greqisht-shqip” me 20.000 fjalë; “Fjalor shqip-greqisht” me rreth 6.000 shprehje të përdorimit të përditshëm të gjuhës greke, etj.
Aktualisht është kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (LSHA).
Botime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Vepra
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- “Gjergji”, roman, Tiranë (1980 )
- “Nuk e harroja atë ditë”, roman, Tiranë (1989)
- “Një burrë si ky”, roman Tiranë (1992)
- “52 burra për një grua”, roman, Tiranë (1999)
- “Legjenda e dheut të keq” roman, Tiranë (2000)
- “Triseta, teoremë për dashurinë”, roman, Tiranë (2002)
- “Sadisti”, roman, Tiranë (2003)
- “Fjalor Frëngjisht-Shqip”, Tiranë (2017)
Përkthime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- “Për atdheun”, nga Blasko Ibanjez; përkthim
- “Maria Shapdëlenë”, nga Luis Hemon; përkthim
- “Madalena”, nga Henri Truaja; përkthim
- “Greqishtja për shqiptarët”, nga “Asimil”; përkthim
- “Jeta e Volterit”, nga Andre Morua; përkthim
- “Udhëtari i natës”, Maurizio Maggiani; përkthim
- “Një Xhinxhis Khan i ditëve tona”, Alberto Bevilacqua; përkthim
- “Krimet e mëdha të historisë”, Pierre Bellemare; përkthim
- “Shqisa jonë e gjashtë”, Charles Richet; përkthim
- “Udhëtim në fund të natës”, Louis-Ferdinand Céline; përkthim
- “Filozofia në sallon”, Markezi Dë Sad; përkthim
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Hysen Sinani – shkrimtar, përkthyes Arkivuar 29 tetor 2019 tek Wayback Machine
- Faqe për Letërsinë Shqiptare Arkivuar 4 prill 2012 tek Wayback Machine
- Njëmijë e një netët e Mahfuzit Arkivuar 29 tetor 2019 tek Wayback Machine