Location via proxy:   [ UP ]  
[Report a bug]   [Manage cookies]                
Jump to content

Kisha Katolike

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Katolike)
Emblema e Papatit
Papa Françesku

Kisha Katolike (latinisht: Ecclesia Catholica) është Kisha e krishterë e udhëhequr nga Papa i Romës. Kisha Katolike është Kisha e vërtetë e themeluar nga Jezu Krishti[1], të cilës i përkasin të gjithë të krishterët e pagëzuar katolikë, si dhe anëtarë të kishave që janë në bashkim të plotë me Kishën Katolike dhe Kishat e tjera të ndara prej saj.

Emërtimi katolik rrjedh nga greqishtja καθολικός, që do të thotë gjithësinor, botëror, universal.

Midis kishave të krishtera është më e madhja për nga numri i besimtarëve në nivel botëror, me një përqindje të lartë në Evropë dhe në Amerikën jugore. Sipas Librit Vjetor Statistikor të Kishës, Kisha Katolike në vitin 2005 kishte 1,114,966,000 besimtarë, që përbëjnë 1/6 e popullsisë botërore.[2]

Bazilika e Shën PjetritVatikan. Qëndra e Selisë së Shenjtë.
Jezusi duke i dhënë Shën Pjetrit çelësat

Historia e Kishës Katolike fillon me mësimet e Jezu Krishtit, i cili jetoi në Galile (më vonë pushtuar nga Perandoria Romake). Kisha bashkëkohore Katolike mëson se ajo është vazhdimi i komunitetit të hershëm të krishterë të themeluar nga Jezusi, se ipeshkëvinjtë e saj janë pasardhës të apostujve të Jezusit, dhe Ipeshkëvi i Romës, i njohur gjithashtu si Papa, është pasardhësi i vetëm i Shën Pjetrit i cili u emërua nga Jezusi si kreu i Kishës. Deri në fund të shek. II-të, ipeshkëvinjtë filluan të mblidhen nëper koncile rajonale për të zgjidhur çështjet doktrinale dhe politike. Në shek. III-të, Ipeshkëvi i Romës filloi të veprojë si gjykatë e apelit për problemet që ipeshkëvinjtë e tjerë nuk mund t'i zgjidhin.

Krishterimi u përhap në të gjithë Perandorinë Romake në fillim, pavarësisht nga persekutimet për shkak të konflikteve me fenë pagane të shtetit. Në vitin 313, vuajtjet e Kishës së Hershme u pakësuan nga lejimi i krishtërimit nga ana e perandorit Konstantin I. Në 380, në bazë të perandorit Teodosi I, krishterimi u bë fe shtetërore e Perandorisë Romake.

Pas shkatërrimit të Perandorisë Perëndimore Romake, kKisha ishte një faktor i madh në ruajtjen e qytetërimit klasik, duke krijuar manastire dhe dërgimin e misionarëve për të kthyer në popujt e Europës veriore në të krishterë . Në lindje, Perandoria Bizantine ruajti ortodoksinë, edhe pas dyndjeve masive të Islamit në mesin e shek. VII-të. Dyndjet e Islamit shkatërruan tri nga pesë qendrat patriarkale , Jeruzalemin fillimisht, pastaj Aleksandrinë, dhe pastaj në fund të shek.VIII-të, Antiokinë.

E gjithë periudha prej pesë shekujve të ardhshëm u dominuan nga lufta mes krishterimit dhe islamit në të gjithë pellgun e Mesdheut. Betejat e Puatiesë dhe Tuluzës ruajtën Perëndimin katolik, edhe pse vetë Roma u shkatërrua në 850, dhe Konstandinopoja u rrethua. Në shek. XI-të, marrëdhëniet e tendosura midis Kishës Greke në Lindje, dhe Kishës Latine në Perëndim, themeluan ndarjen Lindje-Perëndim, pjesërisht për shkak të konflikteve mbi autoritetin papnor. Kryqëzata e Katërt, dhe rënia e Konstandinopojës bënë çarjen e fundit. Në shekujt e mëvonshëm, Katolicizmi përhap në të gjithë botën, pavarësisht se u pa një reduktim të katolikëve në popullsinë europiane për shkak të rritjes së Protestantizmit dhe gjithashtu për shkak të skepticizmit fetar gjatë dhe pas Iluminizmit. Koncili i II i Vatikanit në vitin 1960 bëri ndryshimet më të rëndësishme në praktikat katolike që nga Koncili i Trentos tre shekuj më parë.

Trinia e Shenjt

Kisha katolike mendon se ka vetëm një Zot të përjetshëm në tre "persona": Hyji Atë; Hyji Bir; dhe Hyji Shpirti i Shenjtë, të cilat së bashku quhen "Trinia e Shenjtë".

Katolikët besojnë se Jezu Krishti është "Personi i dytë" i Trinisë, Hyji Bir, i cili u mishërua për njerëzit dhe për shpëtimin tonë, u konceptua nga Shpirti Shenjtë e u lind prej së Lumes dhe gjithmonë Virgjërës Mari. Krishti pra, është plotësisht hyjnor dhe plotësisht njerëzor. Jezusi ka qënë pa mëkat dhe ka lejuar që të kryqëzohet si flijim për mëkatet e njerëzve e për të pajtuar njerëzit me Zotin. Ky pajtimi është i njohur si Misteri i Pashkës. Termi grek "Krishti" dhe hebraik "Mesia" , do të thotë "i vajosuri", duke iu referuar besimit të krishterë se vdekja dhe ringjallja e Jezusit janë përmbushja e profecive të Dhiatës së Vjetër.

Kisha Katolike mëson në mënyrë dogmatike se « Shpirti Shenjtë është nga Ati e Biri; as i bërë, as i krijuar, as i lindur, por i rrjedhur (nga Ati e Biri)

Kështu pra është një Atë e jo tre Etër; një Bir e jo tre bij ; një Shpirt Shenjtë e jo tre Shpirta Shenjtë »

Ky besim është shprehur në klauzën e Filioque-s e cila është shtuar në versionin latin të Nicesë në vitin 1014, por që nuk është përfshirë në ritet lindore.

Sipas Katekizmit, Kisha Katolike është "një, e shenjtë, katolike dhe apostolike ". Kisha mëson se themeluesi i saj është Jezu Krishti. Dhiata e Re shënon disa ngjarje që konsiderohen pjesë tê rëndësishme në krijimin e Kishës Katolike, duke përfshirë aktivitetet e mësimet e Jezusit dhe emërimin e apostujve si dëshmitarë të vuajtjeve dhe të ringjalljes. Ardhja e Shpirtit të Shenjtë mbi apostujt, në një ngjarje të njohur si Rrëshajët, është fillimi i shërbesës së Kishës Katolike. Kisha na mëson se ipeshkëvinjtë e shuguruar janë pasues të apostujve të Krishtit, e njohur si vazhdimësa apostolike. Në veçanti, Ipeshkëvi i Romës (Papa), është konsideruar si pasardhësi i apostullit Shën Pjetër.

Sipas besimit katolik, Kisha "është prania e vazhdueshme e Jezusit në tokë" dhe se vetëm ajo posedon mjetet e plota të shpëtimit që janë shtatë sakramentet.

Gjykimi i Fundit (Mikelanxhelo)

Kisha Katolike mëson se, menjëherë pas vdekjes, shpirti i çdo personi do të marrë një gjykim të veçantë nga Zoti, në bazë të mëkateve dhe marrëdhëniet e tyre me Krishtin. Ky mësim edhe dëshmon për një ditë tjetër kur Krishti do të vijë për të gjykuar të gjallë e të vdekur. Pra ky gjykim final në përputhje me mësimet e kishës, do t'i japë fund historisë njerëzore dhe të shënojë fillimin e një parajse të re dhe më të mirë të sunduar nga Zoti.

Në varësi të gjykimit të marrë në vijim të vdekjes, besohet se një njeri mund të hyjë në një nga tre « shtetet » e përtejme:

  • Parajsa është një vend i pafund me Zotin. Kjo është një jetë e përjetshme, në të cilin shpirti sodit Zotin në Fortlumturinë e tij të pandërprerë.
  • Purgatori është një gjendje e përkohshme për pastrimin e shpirtrave të cilët, edhe pse destinuar për parajsë, nuk janë të larë plotësisht nga mëkatet dhe kështu nuk mund të hyjnë në Parajse menjëherë. Në purgator, shpirti vuan, shlyhet dhe të përsoset. Shpirtrat në purgator mund të arrijnë në Parajsë me lutjet e besimtarëve në tokë dhe me ndërmjetësimin e shenjtërve.
  • Ferri është për ata që jetojnë në mëkat të rëndë dhe nuk pendohen para vdekjes, janë të destinuar për në ferr, një ndarje e përjetshme nga Zoti . Askush nuk është i paracaktuar në ferr dhe askush nuk mund të përcaktojë me siguri absolute që ka qenë i dënuar në ferr. Katolicizmi mëson se me anë të mëshirës së Zotit një person mund të pendohet në çdo moment para vdekjes, të ndriçuar me të vërtetën e besimit katolik, dhe kështu të marrë shpëtimin. Disa teologë katolikë kanë spekuluar se shpirtrat e foshnjave të pa pagëzuar dhe jo-të krishterëve pa mëkat të rëndë, por që vdesin në mëkat fillestar janë caktuar në harresë, edhe pse kjo nuk është një dogmë zyrtare e Kishës.

Një Zot, një Fe, një Pagëzim

I pari dhe më i nevojshmi sakrament është pagëzimi. Pa të s`kemi të drejtë të marrim sakramentet tjera, sepse më parë duhet të lindemi në Zotin nëpërmjet të pagëzimit, që të

Pagëzim fëmije

jetojmë mandej me Zotin në sakramente tjera. Me anë të pagëzimit Krishti vulos në sopirti tonë një shenjë të pashlyeshme dhe nëpërmjet të saj shënon se i përkasin atij, shenjën e të cilit bajmë.

Krishti e ka themeluar këtë sakrament kur u ka thënë Apostujve të vet: “Më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Prandaj, shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt!” Pagëzimi është dera nëpër të cilën hyjmë në mbretërinë e Hyjit, dhe në atë mbretëri nuk jemi të huaj, por trashëgimtarë në kuptimin e plotë të fjalës.

Në çastin e pagëzimit njeriu bëhet i krishterë.

E kjo do të thotë se i pagëzuari:

1. Fillon një jetë të re me Zotin;

2. Bëhet pjesëtar i Kishës së Krishtit;

3. Zoti është strehuar në shpirtin e tij; i pagëzuari është bërë tempulli i Zotit të gjallë;

4. Është “shartuar” në Krishtin dhe së bashku me të përbën një trup, në të cilin Krishti është kryet, gjersa i pagëzuari gjymtyrë e tij;

5. Mëkati i rrjedhshëm, si edhe mëkatet e bëra ndoshta para pagëzimit, shlyhen me gjakun e Krishtit, kështu që ai nuk është më para Zotit fajtor, por bir i denjë i tij;

6. Pagëzimi është “shenja e Krishtit”, dhe kurrsesi s`mund të shlyhet, por gjithnjë mbetet në shpirtin e të pagëzuarit: në nder të dëshmitarit dhe në turp të mohuesit të tij.

Me rastin e pagëzimit lypet të jenë të pranishëm: fëmija, prindërit e tij dhe nuni apo nuna ( kumbara ose ndrikulla). Sipas ligjit kishtar, asnjë fëmijë s`mund të pagëzohet pa kumbarë ose pa ndrikull. Këta kanë për detyrë të ndihmojnë prindërit që i pagëzuari, kur të rritet, të fillojë fenë e vet t`a dëshmojë dhe sipas saj të jetojë. Prandaj kumbara ose ndrikulla lypet që të jenë të pjekur për detyrat që marrin. Këta duhet të jenë anëtarë të Kishës, të kenë marrë tri sakramente (pagëzimin, krezmimin, dhe kungimin), dhe të njohin të vërtetat e fesë. Lypet që fëmija të pagëzohet sa më parë. Mëkatojnë ata prindër, të cilëve për pakujdesi u vdes fëmija pa pagëzim. Çdonjëri që pagëzohet i vihet një emër shenjti, që ky ta ruajë gjatë jetës dhe t`i prijë me shembull të vetin kah qielli. Riti qenësor, me të cilin ndahet sakramenti i pagëzimit, përbëhet në këtë: gjersa i qitet uji në kokë të pagëzuarit dhe shqiptohen këto fjalë: Unë po të pagëzoj në emër të Atit dhe të Birit dhe të Shpirtit Shenjt.

Pagëzimi në rast nevoje

Pagëzimin e ndan rregullisht meshtari në kishë. Por, në rast nevoje, nëse psh. fëmija gjendet në rrezik vdekjeje dhe parashihet se meshtari s`do të arrijë me kohë, atëherë pagëzimin mundet ta ndajë çdokush që din. Ai që pagëzon lypset: a) Të ketë qëllimin të bëjë atë çka bën Kisha kur pagëzon; b) të lagë ballin e fëmijës me ujë të pastër; c) ndërsa qet ujë, të thotë edhe fjalët: (Emri i foshnjës) unë po të pagëzoj në emër të Atit (e zhyt foshnjën apo i qet ujë të parën herë) dhe të Birit (i qet ujë të dytën herë) dhe të Shpirtit Shenjt (i qet ujë të tretën herë), Amen.

Edhe para këtij pagëzimi, sipas mundësisë, do të ishte mirë që të pranishmit të thonë Besojmën. Ndër ta gjenden edhe dy dëshmitarë. Pasi të përfundoj riti i shenjtë, rasti duhet lajmëruar sa më parë famullitarit, që ky të plotësojë, nëse dhe kur të lejojë koha, edhe ritet tjera, por gjithashtu edhe ta shënojë në amzën e të pagëzuarve.

Përtëritja e kushteve të pagëzimit

Të gjithë ata që janë pagëzuar në Kishën e Krishtit, lypset që në jetën e mëvonshme t`i përtërijnë kushtet që kanë bërë dikur si fëmijë. Sipas dëshirës së Kishës kjo përtëritje bëhet: me rastin e kungimit të parë, të krezmimit e gjithashtu në meshën e natës së Pashkëve.

Krezmimi

Në krezmim (përforcim) i krishteri merr Shpirtin Shenjt, sikurse e morën Apostujt ditën e Rrëshajëve. Ata ishin përpara frikacakë, por mbasi morën plotësinë e Shpirtit që Krishti ua kishte premtuar, u bërën dëshmitarë dhe përhapësit guximtarë të mësimeve ungjillore.

Shpirti Shenjt edhe ne na forcon, që fenë tonë ta pranojmë me qëndrueshmëri para njerëzve dhe për të edhe të luftojmë. Krezmimi shenjtë na ndihmon që të jemi dëshmitarë dhe apostuj të Krishtit në familjen tonë, në thirrjen tonë si edhe në jetën tonë.

Me krezmim i pagëzuari fiton:

1.    shumëzimin e hirit shenjtërues;

2.    fuqinë për të jetuar si i krishterë i vërtetë dhe për të dëshmuar parimet ungjillore;

3.    begatin e dhuratave të Shpirtit Shenjt;

4.    shenjën e pashlyeshme në shpirt, me të cilën Krishti na shënjon si luftëtarë dhe bashkëpunëtorë të tij në mbretërinë hyjnore.

Rëndomtë krezmon ipeshkvi, por gjithashtu edhe meshtari, i cili ka leje të posaçme për mbarështimin e këtij sakramenti. Pos lutjeve tjera që thuhen me rastin e ndarjes të këtij sakramenti, fjalët kryesore që përdoren, ndërsa lyhet balli me vaj të shenjtë, janë: “(Emri) prano vulën e dhuratës së Shpirtit Shenjt!”

Për këtë sakrament lypset një përgatitje e zellshme në mësim-besim, përcjellë me uratë, rrëfim paraprak, si edhe kungimi i shenjtë. Edhe në krezmim lypset kumbara ose ndrikulla, të cilët mbajnë dorën e djathtë mbi krah të djathtë të kandidatit, ndërsa ipeshkvi lyen ballin e atij që krezmohet me vaj shenjtë. Kumbara ka për detyrë që me fjalë, dhe me tepër me jetë të vet të nxisë famullin që të jeton me një jetë vërtet të krishterë.

Çdo hir që na jep Shëlbuesi nëpërmjet sakramenteve, buron prej flisë së tij, bërë mbi kryq për ne. Prandaj thuhet se ky sakrament është më i madhi ndër të gjithë të tjerët, dhe kah ky, sakramentet tjera. Ndërsa në sakramentet tjera fitojmë hiret dhe fuqinë e Zotit, në kungim ne marrim vetë Zotin, gurrën e çdo hirit dhe të shenjtërisë.

Krishti ka thënë: „Nëse nuk e hani Korpin e Birit të njeriut e nuk e pini Gjakun e tij, nuk keni jetë në vetvete! Kush ushqehet me Korpin tim dhe pinë Gjakun tim ka jetën e pasosur.“ Nëse pra dëshirojmë t`a ruajmë në shpirtin tonë jetën shpirtërore që dikur kemi marrë në pagëzim, dhe nëse dëshirojmë një ditë të jetojmë me jetë të pasosur, lypset të ushqehemi me Korpin dhe me Gjakun e Krishtit.

Moment gjatë kungimit

Shëlbuesi s`ka mundur të na bëjë ndonjë dhuratë më të madhe se Eukaristinë. Në këtë mënyrë na e la vetveten që t`a marrim në zemër, me të të bashkohemi dhe kështu të sigurojmë edhe jetën e amshuar. Kungimi na e shumëzon hirin shenjtërues, na pastron prej mëkateve të lehta, pakëson në prirjet e këqija, na mbushë me fuqi të re, që të jetojmë porsi bij të Hyjit. Për të marrë Krishtin në zemër denjësisht, lypset të jemi të pastër në shpirt ose të kemi hirin e Zotit, dmth. pa mëkat të rëndë në shpirt, por edhe të kemi qëllimin e drejtë.

Kungimi është një pjesë përbërëse e meshës, dhe prandaj është me vend të kungohemi brenda meshës së shenjtë. Sa më shpesh merre Krishtin në zemër në kungim shenjtë. Çdo herë përgatitu për këtë sakrament të madhërishëm, që ta marrësh me zemër të pastër, me fe të gjallë, me shpresë dhe me dashuri të flaktë.

Lutja para kungimit

O Zot, Jezu Krisht,që u ke thënë apostujve të tu: po ju lë paqen, po ju jap paqen time, mos i shiko mëkatet e mia por fenë e Kishës sate: jepi asaj, sipas vullnesës sate, paqe dhe bashkim.

O Zot, Jezu Krisht, Bir i Hyjit të gjallë, që për vullnet të Atit, me bashkëpunim të Shpirtit Shenjt ke gjallëruar botën me vdekjen tënde: më liro për këtë Korp e Gjak tëndin prej të gjitha mbrapshtive dhe të këqijave, dhe bën që unë të jem gjithherë besnik urdhërimeve të tua dhe që të mos ndahem kurrë prej teje.

O Zot, Jezu Krisht, marrja e Korpit tënd, që unë i padenjë po guxoj ta marr, mos të dalë për bjerrje dhe dënim, por për mëshirën tënde, të më vijë mbrojtje të trupit dhe shpirtit, si edhe për shërim prej çdo mëkatit.

Falënderimi pas Kungimit

Pasi të jesh kunguar, mos dil menjëherë prej kishe. Ndalu e mendo pak mbi dashurinë e atij që ka ardhur në zemrën tënde. Ripërtërij vendimet e mira tuat. Lyp prej Krishtit çka ke më nevojë.

Pasi të kalojnë disa çaste, thuaj me përkushtim:

Shpirti i Krishtit, më shenjtëro mua, Korpi i Krishtit, më shëlbo mua, Gjaku i Krishtit, deh më ngijë mua, uji i kraharorit të Krishtit, më pastro mua, mundimi i Krishtit, më forco mua, o i ëmbli Jezus, më dëgjo mua, ndër varrë të tua më fsheh mua, mos lejo të ndahem prej teje, prej armikut shpirtit me del zot mua. Në fill të vdekjes sime ti më thirr mua, e më urdhëro të vij te ti, që me shenjtër të lëvdoj ty, për gjithmonë e motit të jetës. Amen

Në ditët tona ky sakrament quhet edhe sakramenti i pajtimit, sepse shumëfish na pajton, si do të shohim më vonë. Sikurse çdo jetesë, gjithashtu edhe jetesa e krishterë din për mungesa ose sëmundje të veta.

Rrëfimi

Sëmundjet religjioze dhe morale janë mëkatet. Nëse dëshiron të shërohet ai që ka mëkatuar, duhet të përmirësohet. Kjo mënyrë e përmirësimit ose e shërimit quhet Pendesa

Qëllimi i pendesës është:

1.    Përmirësimi i jetesës, ripërtëritja shpirtërore;

2.    Pajtimi me Zotin, me vetveten dhe me të afërmin;

3.    Satisfakcioni (pendesa) për mëkatet e bëra.

Kështu pra pendesa-rrëfimi ka një kuptim të trefishtë: nuk është vetëm një veprim kalues i rrëfimit të mëkateve, por aq më tepër është një qëndrim i ri ndaj Zotit, botës dhe jetës. Rrëfimi i vërtetë kërkon kthimin e përhershëm kah e mira. Ai është ndryshim i vetvetes, ripërtëritje, rilindje, kuptim i ri, rrugë dhe jetë e re.

Megjithatë, rrëfimi nuk është vetëm vepër njerëzore, por edhe fryt i hirit të Zotit. Nëpërmjet tij ne urrejmë mëkatin dhe çdo të keqe, dhe premtojmë se në të ardhmen do të ruhemi nga çdo e keqe, por njëkohësisht edhe dëshirojmë t`i japim Zotit satisfakcion për mëkatet e bëra deri tash. Rrëfimi është dhurata e Shëlbuesit, e cila ia kthen njeriut qetësinë e shpirtit me hirin shenjtënues që kemi humbur me mëkate të rënda ose mortare.

Krishti e themeloi këtë sakrament kur u tha Apostujve: “Merrni Shpirtin Shenjt! Atyre që ua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk ua falni, nuk u falen”. Të njëjtin pushtet apostujt ua lanë trashëgimtarëve të tyre ipeshkvijve, e këta ndihmësve të vet meshtarëve. Ne çdo rrëfim elementi më kryesor është pendimi, pa të cilin s`mund të kemi faljen e mëkateve. Duhet të na vijë keq se me mëkate e kemi fyer zotin, Atin tonë. Gjithashtu nuk ka pendim të vërtetë pa premtim se do të përmirësohemi dhe do të largohemi nga e keqja.

Pendesa është një shenjë e dukshme se dëshirojmë, me mundimet e Krishtit, t`i japim satisfakcion të duhur Atit tonë. Rrëfeju, pra, sa më shpesh, nëse dëshiron që të kalosh një jetë të qetë. Por, përherë rrëfeju me një pendim të vërtetë dhe me një premtim të fortë, që do t`i plotësosh me ndihmën e Krishtit.

Lutja para Rrëfimit

O Zot, po të falem nderës për të gjitha të mirat që më ke bërë, por sidomos pse më ke krijuar, pse më ke falur fenë e shenjtë tënden dhe pse më ke shpërblyer me gjakun e Jezu Krishtit të mëshirshëm.

Të lutem m`i fal mëkatet e mia, dhe më jep një shpirt pendimi të vërtetë.

Shpirti shenjt, që shenjtëron zemrat, ma jep një shpirt pendimi të vërtetë.

Shpirti Shenjt, që shenjtëron zemrat, ma shndrit mendjen t`i gjejë të gjitha mëkatet e mia dhe më jep zemër të pendohem për to.

Rrëmimi i mëkateve (përpiqem ti rikujtoj mëkatet e bëra)

Gjatë rrëmimit të shpirtit ki ndër mend se: njeriu mund të mëkatojë me mendime, dëshira, fjalë, vepra dhe duke mos plotësuar detyrat, e jo vetëm me fjalë;

Mëkati më i rëndë ose mortar është një shkapërcim vullnetar i urdhërimeve të Zotit ose të Kishës në një gjë të madhe ose të rëndë, që kemi bërë me dije të plotë. Tashti mendo: a je duke iu afruar rrëfimit me zemër të sinqertë dhe me vullnet të ripërtërish jetën tënde dhe miqësinë me Zotin? Mandej mendo se kur je rrëfyer herën e fundit? Mos ke harru ndonjë gjë pa thënë? A e ke kryer pendesën, kompensuar dëmin dhe padrejtësinë që i ke shkaktuar të afërmit? A je me secilin në paqe?

Ja një ndihmë, mënyrë për shqyrtuar sa më mirë ndërgjegjen para çdo rrëfimi:

I. Krishti ka thënë: “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde”. Prandaj unë po pyes vetveten para Zotit:

1.    A e kam zemrën të drejtuar kah Zoti, kështu që atë ta dua mbi të gjitha gjërat tjera, duke plotësuar besnikërisht urdhërimet e tija, njashtu si do i Biri Atin? Mos kujdesem më tepër për gjërat e kësaj jete?

2.    A kam një besim të vërtetë në Zotin, i cili na foli nëpërmjet Birit të vet Jezu Krishtit? A e pranoj veten si të krishterë faqe botës, apo ndoshta me vjen turp për këtë gjë para tjerëve?

3.    A i lutem Zotit çdo ditë? A ia paraqes punët e mia, gëzimet dhe vuajtjet?

4.    A e nderoj si duhet emrin e tij? Mos e marr nëpër gojë kot? Mos e dhunoj me sharje, me be në rrenë?

5.    A kam marrë pjesë në meshë ditën e diel dhe të kremteve të mëdha? A jam vonuar në meshë pa ndonjë arsye? A e kam kryer rrëfimin dhe kungimin për Pashkë?

6.    Mos kam ndoshta “zota të tjerë”, që më shqetësojnë më tepër se Zoti i vërtetë, siç janë paret, pasuria, karriera, nami, fama para njerëzve?

II. Krishti ka thënë: “Sikurse unë ju desha juve, duani edhe ju njëri tjetrin”. Prandaj të pyesim vetveten:

1.    A dua përnjëmend të afërmin tim, apo ndoshta vetëm atëherë, kur kam ndonjë interes? A i bëj atë çka nuk dëshiroj të më bëjnë mua të tjerët?

2.    A jam munduar, me duresë dhe dashuri të vërtetë të bëj që të gjithë anëtarët e familjes të janë të lumtur dhe të kënaqur? A u ndihmojë në pikëpamje materiale dhe shpirtërore? Prindërit a kujdesohen për edukimin fetar të fëmijëve? Bashkëshortët a janë besnikë njëri tjetrit dhe a jetojnë në paqe dhe dashuri?

3.    A kam ndihmuar skamnorët, nevojtarët, të mjerët, pleqtë dhe ata, të cilët kanë pritur ndihmë prej meje?

4.    A jam kujdesur për Kishën, a kam dhënë për nevojat e saja, lutur për bashkimin e saj, për paqe dhe drejtësi në botë?

5.    A e kam kryer punën dhe detyrën time përherë me nderë, duke mos mashtruar askënd?

6.    A i kam dalë zot gjithmonë të drejtës, apo ndoshta me fjalë të rrejshme, shpifje, prozhmime kam shkaktuar dëm të afërmit?

7.    A e kam ruajtur jetën e tjetërkujt? A kam skandalizuar të tjerët me fjalë, vepra dhe sjellje? A kam ndërmarrë ndonjë gjë kundër fëmijëve të pafaj, të cilët ende s`kanë lindur? A kam drejtuar veturën në mënyrë të arsyeshme, apo në gjendje të palejueshme?

8.    Mos kam vjedhur gjë? E gjënë e vjedhur a e kam kthyer dhe dëmin shpërblyer?

9.    Nëse ndokush më ka bërë padrejtësi, a jam i gatshëm, i frymëzuar nga dashuria e Krishtit, të pajtohem me të dhe të harroj atë gjë?

III. Krishti Zot ka thënë: “Jini, pra, të përkryer siç është i përkryer edhe Ati juaj që është në qiell”. Prandaj të shqyrtohemi:

1.    çfarë është drejtimi im jetësor? A jam duke përparuar në jetën shpirtërore, të cilën duhet t`a ushqej me uratë të rregullt, me të dëgjuarit e fjalës së Zotit dhe me marrjen e sakramenteve? A jam i gatshëm të frenoj epshet e mia? A kam lartësuar vetveten, kurse përbuzur dhe poshtëruar të tjerët?

2.    A kam përdorur me urti aftësitë, dhuratat dhe talentet që më ka falë Zoti? Për të mirën time dhe të tjerëve?

3.    A kam duruar vështirësitë dhe mjerimet jetësore me durim dhe me besim të plotë në Zotin? A kam mbajtur ligjin kishtar mbi agjërimin?

4.    A i kam ruajtur të pafajshme dhe të pastra ndjenjat e mia dhe trupin tim porsi tempullin e Shpirtit Shenjt? A kam kontrolluar fjalët, mendimet, dëshirat dhe veprat e mia? A kam lexuar, biseduar dhe këqyrur atë, çka i kundërshton nderit njerëzor dhe të krishterë? Mos kam nxitur, me sjelljen time, ndokënd në mëkat? E në kurorë a i kam përmbushur përherë ligjet morale?

5.    Mos kam vepruar kundër ndërgjegjes sime nga frika ose dyfytyrësia?

6.    A jam munduar gjithnjë të veproj porsi bir i lirë, sipas ligjit të Shpirtit Shenjt, apo ndoshta kam qenë skllav i epsheve të mia?

Kalo nëpër mend veset kryesore, detyrat e veçanta që rrjedhin prej thirrjes sate. Mandej pendohu me gjithë zemër. Hyn në rrëfyestore, bjer në gjunjë, bëj kryq, tregoj meshtarit qysh kur s`je rrëfyer. Mandej me rend tregoj të gjitha mëkatet: më parë ato të rëndat, si edhe numrin e mëkateve. Më parë ato të lehtat sa të bien ndër mend. Dëgjo mirë këshillat dhe mbaj në mend pendesën që të ka caktuar rrëfyesi dhe, gjersa të jep zgjidhjen, thuaj me gjithë zemër punën e pendimit.

Lutje mbas rrëfimit:

O Zot, të falem nderës për këtë të mirë kaq të madhe që më ke bërë duke më falur mëkatet e mia. Më jep, po të lutem, hiret e nevojshme të qëndroj në dashurinë tënde dhe mos të bie më kurrë në mëkatet të rënda.

Porsi nënë e kujdesshme, Kisha përcjellë anëtarët e vet me dashuri që prej fillimit dhe deri ne mbarim: që nga lindja deri në vdekje. Për të krishterin që është sëmurë rëndë, Krishti ka themeluar sakramentin e vajimit. Ky i jep të sëmurit hirin e Zotit, që në kohën e ankthit të vdekjes mos ta mundë frika as tundimet, mos të luhatet në mendime dhe mos të dyshojë ne fe. Ky sakrament është një takim i Krishtit shëlbues me vëllain ose motrën që vuan në sëmundje. 

Vajimi

Vajimi nuk është një sakrament për ata që vdesin, por për të sëmurët. Prandaj, nuk duhet të na frikësoj aspak ky sakrament, si mjerisht dëgjohet shpesh herë edhe ndër të krishterët. Krishti e ka themeluar që të na jap hirin, fuqinë dhe lehtësinë në sëmundje, e shpesh herë edhe shërimin, nëse është për të mirën tonë shpirtërore. Për këtë sakrament shkruan Shën Jakobi: “Është ndokush ndër ju i sëmurë? Le t’i thërrasë udhëheqësit e Kishës! Ata le të luten mbi të duke i lyer me vaj në emër të Zotit dhe dhurata e fesë do ta shpëtojë të sëmurin dhe Zoti do ta ripërtëritë e, në qoftë se ka bërë mëkate, do t’i falen”.

Ç’dobi ka i krishteri prej vajimit të shenjtë?

Vajimi i jep të sëmurit:

1. Një begati të hirit shenjtërues;

2. Faljen e mëkateve të lehta. Nëse për shkak të sëmundjes dhe të ligështisë së madhe nuk mundë të rrëfehet, i falen edhe mëkatet e rënda, për të cilat pendohet me gjithë zemër;

3. Fuqinë e ngushëllimit, që të mundë të durojë dhe të përballojë sëmundjen dhe të dëbojë të gjitha tundimet djallëzore;

4. Lehtësim kah trupi dhe shpesh herë ia kthen shëndetin.

Këtë sakrament duhet dhe mundë ta marrë çdo i krishterë që është sëmurë rëndë. Mund ta marrin edhe pleqtë e molisur, sepse edhe vet pleqëria është një lloj sëmundje. Gjithashtu mund t’u jepet edhe fëmijëve të sëmurë, të cilët ende nuk janë rrëfyer dhe kunguar, mjaft që të kuptojnë se ky sakrament është një përforcim shpirtëror. Por, nuk duhet të presim çastin e fundit për marrjen e këtij sakramenti, sepse vendin e ka në fillim të sëmundjes, e jo “në fund”. Për më tepër, anëtarët e familjes e kanë për detyrë, që të sëmurit t’ia thërrasin meshtarin me kohë. Kjo vlen sidomos për ata, të cilët i çojmë për shërim në spital.

Me këtë rast i sëmuri rrëfehet, kungohet dhe i jepet bekimi papnor si dhe ndjesa e plotë. Në dhomë ku gjendet i sëmuri lypset përgatitur: Një tavolinë që mbulohet me çarçaf të bardhë; mbi tavolinë vendoset kryqi, së paku një qiri, uji i bekuar…, një rizë që meshtari të mundë të fshijë duart. Anëtarët e familjes, si edhe të pranishmit, përcjellin ndarjen e këtij sakramenti me lutje, përgjigje që bëjnë me të sëmurin ose në emër të tij, që ky sa më frytshëm të marrë këtë sakrament të shenjtë.

Urdhri i Shenjtë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Krishti është i vetmi mediator i ynë tek Zoti, sepse Ai vetëm ia paraqiti Hyjit flinë e denjë madhërisë së tij, dhe me atë fli u fitoi njerëzve jetën me hire. Jezu Krishti vazhdon në Kishën shenjtë detyrën e vet meshtarake duke paraqitur Atit të amshueshëm flinë e Korpit dhe të Gjakut të vet në meshën e shenjtë dhe duke ndarë, me anë të sakramenteve, jetën e hireve.Në këtë veprimtari Ai shërbehet me njerëz si me ndihmës të vet, të cilëve u jep pushtetin e vet mbi sakramente, si edhe mbi gjymtyrët e Korpit të tij mistik, dmth. besimtarët. Këtë pushtet u jep Krishti njerëzve nëpërmjet Urdhrit të shenjtë. Gjatë jetës së vet tokësore Krishti ka mbledhur rreth vetes apostujt dhe shumë nxënës. Duke ditur se së shpejti ka për të lënë këtë botë,deshi të përgatisë ata, të cilët pas tij kanë për të vazhduar misionin e filluar.

Shugurimi priftëror (dhënia e urdhrit të shenjtë)

Meshtarët e parë i ka shuguruar vetë Krishti, kur në Darkën e Fundit u dha pushtetin Apostujve, që të shndërrojnë bukën në Korp dhe verën në Gjak të Tij. Ditën e të ngjallurit u ka dhënë pushtetin që të mund të falin mëkatet atyre që pendohen, kurse ditën e Shëlbuemit, para se të ngjitej në qiell, u urdhëroi që të shkojnë në tërë botën dhe të predikojnë Ungjillin të gjithë njerëzve, të ndajnë sakramentet dhe të udhëheqin Kishën deri në mbarim të botës.

Në këtë mënyrë Krishti ua ndau Apostujve sakramentin e Urdhrit të shenjtë. Shëlbuesi u dha pushtet t’ua dorëzojnë edhe atyre, që këta do të zgjidhnin për këtë detyrë. Kështu, pra, dorë pas dore, ky sakrament ka arritur deri në ditët tona. Shkrimi i Shenjt na tregon si kanë vepruar apostujt në këtë pikëpamje në Kishën e parë:

Me anën e këtij sakramenti (presbiteratit) meshtari ka të drejtë:

Të predikojë, ose të mësojë njerëzit atë, çka Hyji na ka zbuluar;

Të paraqesë Hyjit flinë e meshës së shenjtë;

Të falë mëkatet në emër të Zotit dhe të ndajë sakramentet;

Të bekojë dhe të shugurojë.

Urdhri i shenjtë ka disa shkallë: dhiakoninë, presviterinë dhe peshkopatën, që është plotësimi i këtij sakramenti. Edhe ky sakrament lë në shpirtin e meshtarit një shenjtë të pashlyeshme. Në saje të kësaj shenje, meshtari është shënuar si meshtar i Krishtit. Edhe më tepër: meshtari bëhet instrument (mjet) në duart e Krishtit. Meshtari meshon, por Krishti është Meshtari kryesor; meshtari ndan sakramentet, por Krishti është ndarësi dhe hirëdhënësi kryesor. Meshtaria është një dhuratë e mirësisë hyjnore kundrejt njerëzve. Nuk është thirrur çdokush në këtë shërbim të shenjtë. Sikurse motit, kur Krishti zgjodhi dymbëdhjetë apostujt prej shumë ndjekësve, njashtu edhe sot, në një mënyrë të posaçme, thërret dhe zgjedhë meshtarët. Kush dëshiron të ndjekë këtë rrugë, lypset të ketë një fe të gjallë dhe të vërtetë, të jetë i përshpirtshëm dhe i gatshëm që të vuajë shumë për shëlbimin e shpirtrave dhe për nderë të Hyjit. Kush mendon se është i thirrur në këtë rrugë, duhet të vazhdojë pa pasur frikë prej vështirësive të ardhshme. Zoti s’harron askënd!

Është një nder e madhe për atë familje ose famulli, prej kah del një meshtar. Prandaj, prindërit si edhe besimtarët tjerë le të luten për thirrje meshtarake dhe rregulltare, dhe me një shembull të një jetë të mirë, t’u prijnë të rinjve kah lteri. Me ndihma zemërgjera t’u mundësojnë që një ditë të arrijnë te caku i dëshiruar që kanë zgjedhur, duke pasur ndër mend fjalët e Krishtit: “Të korrat janë të mëdha, kurse punëtorë ka pak. Lutuni, pra, Zotërisë të të korrave, të dërgojë korrtarë në të korrat e veta”.

Kurora e shenjtë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Martesë në kishë

Zoti ka krijuar njerëzit e parë, burrin dhe gruan, dhe i ka lidhur në jetë të përbashkët, në një bashkim të shenjtë jetësor. Kështu, pra vetë Zoti themeloi sakramentin e kurorës së shenjtë. Kurora e ka fillimin kur dy palë, dmth. burri dhe gruaja me një pëlqim të dyanshëm dhe të pakthyeshëm, me të cilin bashkëshortët lirisht dhe dyanësisht i dorëzohen njëri tjetrit dhe poashtu pranohen në dashuri, pa të cilën s’ka kurorë të vërtetë.

Bashkëshortet lidhen në kurorë në një bashkim të shenjtë dhe të pazgjidhshëm: vetëm vdekja mundë t’i ndajë. Kurora e krishterë është një ndër sakramentet që ka themeluar Jezu Krishti. Çdo i krishterë që hynë në këtë bashkësi, ka për detyrë të fillojë jetën e përbashkët me bekim, se përndryshe gabon rëndë dhe fyen Zotin.

Ata që hyjnë në kurorë të shenjtë;

Fitojnë hirin e veçantë të sakramentit të kurorës;

Fitojnë prej Zotit ndihmë të posaçme, për të kryer si duhet detyrat e kurorës;

Fitojnë prej Zotit pushtet, që të lindin fëmijë dhe t’i edukojnë si lypset.

Sipas fjalëve të Koncilit të II të Vatikanit, bashkëshortët duhet të jenë “njëri tjetrit dhe fëmijëve dëshmitarë të fesë dhe të dashurisë së Krishtit”. Prandaj nuk duhen harruar, por, përkundrazi lypset që shpesh herë të përsërisin fjalët e kurorëzimit që gjinden në ritin e ri: “Unë E… po të marrë ty E… për gruan (burrin) tim, dhe të premtoj besnikëri në të mira dhe në të vështira, në shëndet të mirë dhe në sëmundje. Do të dua dhe do të nderoj në të gjitha ditës e jetës sime”.

Kurora e martesës është një sakrament i rëndësishëm: prej tij varet lumturia e përbashkët bashkëshortore, si edhe ajo e fëmijëve të tyre… Larg nesh të jetë zakoni i keq dhe aspak kristian, që të fejojmë të rinjtë pa i pyetur dhe pa marrë pëlqimin e tyre. Kurrsesi mos iu përziej kujt në kurorë, sepse është në pyetje fati i jetës së tij. Lutu vazhdimisht që tërë jetën bashkëshortore ta kalosh sipas vullnetit të Zotit

Hierarkia (kryesia) e kishës katolike

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kur themeloi Kishën e Tij, Jezusi u ngarkoi apostujve të Tij kujdesjen për besimin, duke u mësuar atyre besimin dhe kujdesjen për shpirtërat e tyre. Ai vendosi Pjetrin në krye të kishës së tij. Sipas kësaj renditjeje apostolike, e njëjta hierarki e vendosur nga Jezusi, ekziston sot në Kishën moderne me Papën (pasues i Shën Pjetrit) në krye të saj, që prin peshkopët (pasuesit e apostujve) që drejtojnë vetë besimin në Kishat e tyre vendore.

Papa është thirrur të drejtojë mbarë Kishën e Krishtit si pasues i Shën Pjetrit dhe Ipeshkëv i Romës. Ai është Patriark i Perëndimit, Kryetari i Italisë, Kryeipeshkëvi dhe Metropoliti i Krahinës së Romës, Qeverisësi i Qytet-Shtetit të Vatikanit. Papa është Vikari i Krishtit mbi Tokë. Ai qëndron në vendin e Krishtit, në interesat e tij, të ruajë grigjën e Krishtit.

"Papa" është një nderim përemëror, jo një zyrë apo një titull, që do të thotë "Atë". Nderimi "Papa" ka vazhduar të përdoret nga fillimi i shek. III-të për çdo ipeshkëv në Perëndim. Në Lindje, "Papa" është ende një formë e zakonshme e adresësimit për klerin në Kishën Ortodokse, dhe është stili i ipeshkëvit të Aleksandrisë.

Si ipeshkëv, Papa është si një Vikar i Krishtit. Ky titull ishte i për të gjithë ipeshkëvinjtë nga shek. IV – XII-të, pastaj ka qëne i ipeshkëvit të Romës nga shek.XII-XX dhe e gjithë ipeshkëvinjëve në Koncilin II të Vatikanit.

Si ipeshkëv i Kishës së Romës, ai është pasues i Shën Pjetrit. Si e tillë, Kisha e Romës, dhe ipeshkëvi i saj, ka pasur gjithmonë një rëndësi në bashkësinë katolike dhe të paktën në një farë parësisë në mes të kolegëve të tij, ipeshkëvintë, sikur Shën Pjetri që kishte një përparësi të caktuar në mesin e kolegëve të tij, apostujt e tjerë.

Papa banon në Qytetin e Vatikanit, një shtet i pavarur në kuadër të qytetit të Romës.

Mënyra e adresimit të ipeshkëvit të Romës është "Shenjtëria e Tij".

Lumen Gentium thotë:

"Papa i Romës, për arsye të detyrës së tij si Zëvendës i Krishtit dhe si bari i mbarë Kishës ka plotfuqinë më të lartë dhe botërore mbi gjithë Kishën, një fuqi të cilën ai mund ta ushtrojë gjithmonë pa pengesë".
Ipeshkëv me veshjen e tij tradicionale

Nën Papën vijnë në renditje hierarkike kryepeshkopët dhe peshkopët. Kisha katolike ndahet në Krahina kishtare me një kryedioqezë dhe e organizuar në shumë dioqeza. Në fund të vitit 2004 numëroheshin 2755. Ipeshkinjtë mblidhen rregullisht në një Konferencë ipeshkvnore apo Këshill ekumenik. Megjithëkëtë, edhe koncili ekumenik duhet të njihet dhe miratohet nga Papa si i vlefshëm.

Ipeshkëvinjtë, të cilët posedojnë dhënien e urdhrave të shenjtë (shugurimi i priftërisë dhe ai diakonal), janë si një trup (Kolegji i Ipeshkvijve) të konsideruar si trashëgimtarët e Apostujve dhe janë "Barinj në Kishë , mësues të doktrinës, priftërinj të adhurimit të shenjtë dhe ministrat e qeverisjes " si dhe" përfaqësojnë Kishën. " Vetë Papa është një ipeshkëv (ipeshkëvi i Romës) dhe tradicionalisht përdor titullin" Vëlla i nderuar " kur shkruan nje ipeshkëvi tjetër.

Roli tipik i një ipeshkëvi është qeverisja baritore e një dioqeze. Ipeshkëvinjtë mund të njihet si hierarkë në Kishat katolike të Lindjes. Ipeshkëvinj të tjerë mund të caktohet për të ndihmuar një ipeshkëv (ipeshkëv ndihmës), ose për të kryer një funksion në një fushë më të gjerë të shërbimit ndaj Kishës.

Peshkopët e një vendi apo rajoni mund të formojnë një konferencë ipeshkvore dhe takohen periodikisht për të diskutuar problemet aktuale. Vendimet në fusha të caktuara, sidomos liturgji, bien në kompetencën ekskluzive të këtyre konferencave. Vendimet e konferencave miratohen vetëm kur dy e treta e pjestarëve janë dakort dhe të konfirmuara nga Selia e Shenjtë.

Shugurimi ipeshkëv konsiderohet përfundimi i sakramentit të Urdhrit të Shenjtë; edhe kur një ipeshkëv del në pension nga shërbimi i tij aktiv, ai mbetet një ipeshkëv, pra Urdhri i Shenjtë është i përhershëm.

Rrethi i Kardinalëve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Kardinal

Megjithëse nuk bëjnë pjesë në hierarkinë zyrtare të Kishës, disa ipeshkëvinjëve u jepet një status dhe pozitë e veçantë brenda Kishës duke i ngritur në Rrethin e Kardinalëve. Të gjithë bashkë, kardinalët formojnë Kolegjin e Kardinalëve, i cili këshillon Papën, dhe ato kardinalët nën moshën 80 në vdekjen apo dorëheqjes së Papës zgjedhin pasardhësin e tij. Disa nga kardinalët punojnë në Kuri, drejtimi qendror kishtar në Romë; të tjerë janë arqipeshkëvinj apo ipeshkëvinj në shtete të ndryshme të botës. Çdo kardinal me pak përjashtime është ipeshkëv.

Kardinalët janë « princat » e Kishës emëruar nga Papa. Ai zakonisht zgjedh ipeshkëvinj të cilët janë në krye të dioqezave apo arqidioqezave.

Jo të gjithë kardinalët janë ipeshkvë. Kardinali shqiptar Ernest Simoni Troshani është një shembull i kardinalit jo-ipeshkëv. Në vitin 1917 Kodi i së Drejtës Kanonike shtoi një rregull që një kardinal duhet të jetë të paktën një prift. Më parë, ata mund të bëheshin kardinalë vetëm duke pasur urdhëra të vegjël ose diakon. Teodolfo Mertel, i cili vdiq në vitin 1899, ishte i fundit kardinal jo prift.

Priftërinjtë dhe famullitarët

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Peshkopët ndihmohen nga priftërinjtë dhe për shërbesën jo priftërore diakonët (dhjakët). Vetë besimtarët janë të bashkuar nga famullia, e cila është pjesë e truallit të një dioqeze dhe drejtohet nga një prift si famullitar apo bari. Priftërinjtë mund të kryejnë shumë funksione jo të lidhura drejtpërdrejtë me veprimtarinë e rregullt baritore, si studimi, kërkimi, mësimi ose puna zyrtare.

Diakoni (διάκονος diakonos = shërbyes) ose dhjaku është shërbyes më i vogël se prifti dhe është ndihmës i tij. Ai predikon fjalën e Perëndisë, mund të pagëzojë, të ndihmojë në lidhjen e kurorës së një martese, bashkërendisin drejtimin dhe mbledhjen e ndihmesave me të holla nga besimtarët në kishë.

Popullsia katolike në botë.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. ^ "How Do We Know It's the True Church?". Catholic Answers. Marrë më 2024-05-13. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ Rios, Loreto (2024-04-08). "Holy See yearbooks: baptized increase, priests decrease". Omnes (në anglishte amerikane). Marrë më 2024-05-13.