Sami Repishti
Sami Repishti është shkrimtar, humanist dhe historian shqiptar. Ka shërbyer shumë për njohjen e çështjes shqiptare në perëndim.
Jeta
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Leu në gjirin e familjes së Hafiz Ibrahimit dhe Hava Bushatit në lagjen Dudas në Shkodër më 6 prill 1925, i ati figurë me autoritet në shoqërinë shkodrane të asaj kohe dhe më pas deputet në Kuvendin Kombëtar. Në vendlindje kreu mësimet fillore në shkollën "Oso Kuka" dhe të mesmen pranë gjimnazit të Shkodrës ku ra në kontakt edhe me lëvizjen komuniste që lëvrinte ngahera në mjediset rinore të qytetit por sidomos pas 7 prillit 1939.
Më 1942 mbaron maturën. Niset në Tiranë për të marrë pjesë në një konkurs, për shkollën e lartë jashtë shtetit. 112 kandidatura, konkuronin për 28 bursa studimi të profesioneve të ndryshme. Mbas 2 ditëve, ai merr vesht se ka fituar bursë nga ministria e Arsimit për në Fakultetin e Historisë së Firences[1].
Me mbërritjen në atdhe më 1943 shkon të verojë në Repisht, prej ku kishte origjinën familja e tij. Prejse strehoi një nip të tijin që kishte ide komuniste, autoritetet fashiste e arrestojnë të atin dhe e torturojnë duke vdekur kësodore prej hemoragjisë më dt. 29 shtator 1943. Duke qenë kështu i pari i shtëpisë detyrohet t'i sigurojë bukën familjes.
Punon në Sektorin e Rindërtimit me të hyrë në pushtet regjimi i ri. Themelon me shoqërinë e tij një Organizatë të Rinisë Demokratike, shpërndanë trakte dhe i dorezuan një Memorandum një deputeti anglez që vizitoi Shkodrën dhe ndihmonin familjet e të arratisurve. Në maj të 1946 mori pjesë në proçesionin e varrimit të Arqipeshkvit Imzot Gaspër Thaçi. Ishte data 22 tetor 1946, kur në vendin e punës mbërrijnë forcat e Sigurimit dhe marrin nën pranga të riun me akuzën “Agjitacion e propagandë kundër shtetit”. Për 14 muaj, Samiu iu nënshtrua hetimeve intensive ku takon dhe prof. Kolë Prelën. Dënohet nga pretenca e gjyqit me 15 vjet heqje lirie, në burg do shoqërohej me P. Çiprian Nikën dhe vëllanë e prof. Kolës, Markun. Më 28 nëntor 1947 dërgohet në Burgun e Madh, dhe më tej në kampin e Vloçishtit, kampin e Bedenit, në Beden të Kavajës më 1948. Mbas kampit të punës së detyruar në Orman Pojan të Korçës, Samiu rikthehet në burgun e Shkodrës, në fund të muajit nëntor.
Mbas daljes nga burgu më 1956 punoi javën e parë si pastrues i barit të keq në stadium, javën e dytë e caktojnë të punojë në kanalizimin e tokave të Qendrës Zooteknike. Kështu e gjeti edhe viti 1956. Më vonë si ndihmës karpentier në vendlindje deri në ditën e arratisjes, 22 gusht 1959. Në Jugosllavi izolohet dhe mandej lirohet nga ky izolim në prill 1961[2] dhe punësohet përkohësisht (ndërkohë studion serbokroatishten dhe anglishten.) Por shumë shpejt (qershor 1961), përfundon në kampin e refugjatëve të Gerovës, Kroaci.
Më 1 shtator 1961, arratiset nga kampi i Gerovës dhe vendoset në Itali. Qëndroi në Trieste, në kampin e refugjatëve San Sabba, ku në tri javë fitoi të drejtën e azilit politik. Mbas një qëndrimi gjashtëmujor në kampet e Capua-s dhe Latina-s, pranë Napolit dhe Romës, mbas shumë vuajtjesh, më 9 prill 1962, emigroi për në ShBA. Merr pjesë në takimin e pesëdhjetë vjetorit të "Vatrës", ku dhe takon mikun e të atit në periudhën e opozitarizmit, Imzot Nolin. Fitoi qytetarinë (citizenship) amerikane më 1968. Doktoroi pranë Departamentit të Frëngjishtës në City University of New York (1977). Për 25 vjet me rradhë, ka dhënë mësim në college-t amerikane. Ka qenë kryetar i Departamentit të Gjuhëve të Huaja, për shkollat e qytetit Malverne, New York, Koordinator i programit për studime të avancuara, Lice-University, Adelphy, Garden City, NY, 1976-1991, dhe po aty pedagog i jashtëm. Udhëtimin e vetëm në Kosovën e shliruar e bëri në prillin e 2000.
Angazhimi intelektual dhe atdhetar
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Eshtë autor i më shumë se 100 studimeve e artikujve me tema shqiptare dhe të Drejtat e Njeriut. Tematika e tyre, përfshin kryesisht vuajtjet e shqiptarëve në ish-Jugosllavi e çamët, të botuar në shtypin amerikan dhe shqiptar. Intelektuali erudit Prof. Repishti, ka qenë koordinator për ish-Jugosllavinë e Shqipërinë pranë Amnesty International në ShBA, për periudhën e vitëve 1979-1982. Është i pari shqiptaro-amerikan, që ka dëshmuar para Kongresit Amerikan për Kosovën në prill të vitit 1965, dhe ka vijuar me dëshmi të shumta para komisioneve kongresiane e qendrave studimore amerikane, kryesisht për problemin kosovar. Ne vitin 1968, formoi organizaten “Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë”. Në nëntor 1982, me Arshi Pipën organizuan Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën me pjesëmarrjen e 14 profesorëve evropianë dhe amerikanë, duke i bërë edhe peticion Pjesëtarit të Parlamentit Evropian Otto von Habsburg. Punimet e Konferencës janë botuar në librin “Studies on Kosova” (C.U.P.1984). Në vitin 1978, shoqërinë “Kosova Relief Fund, USA, Inc.” për ndihmë financiare familjeve të persekutuara në Kosovë, fondacion të cilit i qëndroi në krye gjer më 2000. Për më se dhjetë vjet ka mbajtur rubrikën mbi Kosovën për gazetën Dielli. Në vitin 1986, kërkoi hapjen e Zyrës Amerikane në Prishtinë, që u realizua me sukses në vitin 1996, dhe atë kosovar në Washington, që u aprovua nga Presidenti i 46-të i ShBA-së Mr. William Jeferson Clinton (1993). Është bashkthemelues i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane (1986) dhe drejtor ekzekutiv (1989-1992), bashkthemelues i American Friends of Albania e sekretar/arkëtar i saj (1992-1996), bashkëthemelues i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC 1996) dhe president i parë (1996-1998) - grupi i lobimit më me ndikim në Washington D.C[3].
Vazhdon të merret me studime shqiptare dhe mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.
Botime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Vetjake
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Është i martuar me Dianën e ka dy fëmijë: një djalë Daren me profesion mjek, e vajzën Ava avokate, me nipa e mbesa. Banon në Ridgefield, CT ShBA.[4].
Burime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Repishti S., Shënime Personale, letër dërguar studjuesit shkodran Islam Dizdarit më dt. 20 prill 2008 nga Baldwin, New York, ShBA.
- ^ Repishti S., “Pika loti” tregime burgu, Bot. “At Gjergj Fishta”, Shkodër, 1997.
- ^ Repishti S., Si asht e mundun që ish-komunistët drejtuen Lëvijen Demokratike në Shqipni (I & II), Intervistë e Ajet Nuro për Tribunën Shqiptare, 21 & 29 maj 2014.
- ^ Kapinova K., Repishti: Shqipëria, sot jeton në pellgun e padrejtësisë, Republika. - Nr. 250, 24 tetor, 2008, f. 14 - 15.