Xhavit Haziri
Xhavit Haziri (lindur më: 3 shtator 1960) në fshatin Druar, komuna e Vushtrrisë. Dëshmor shqiptar i Luftës së Kosovës. Ai mban titullin "Hero i Kosovës".[1]
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Prindërit e tij ishin, babai Bajram Hamit Haziri, lindur më 1931, dhe nga nëna Fahrije Fazliu - Haziri, e lindur më 1940 në fshatin Resnik të Vushtrrisë. Xhaviti, ishte fëmija i dytë, i kësaj familje, pas Mexhitit, i lindur më 1957, pas tij do të lindin edhe 5 djem, Nexhmedini, 1963, Shemsedini, 1965, Fadili, 1968, Arsimi, 1965 dhe Urani, i lindur më 1977.
Një mbresë e gjallë nga shkolla e odës shqiptare që do t’i ngulitet në ndërgjegjen e Xhavitit, e që do ta përcjellë deri në vdekje, ishin fjalët e paharruara të heroit tonë kombëtar, Hasan Prishtinës, që përcilleshin në popull brez pas brezi: “Unë kam një rrugë të caktueme para mejet: atë kam shkelë dhe atë do të shkeli deri në vdekje - rrugën e independencës ma të plotë të tanë Shqipnis!”. Bajram Haziri, babai i Xhavitit, ishte i etshëm për dije e shkollim, kishte arritur që të kryente shkollën e mesme teknike, në atë kohë, dhe dëshira e tij ishte që t’i shkollonte edhe fëmijët e vet. Ka punuar në Elektroekonominë e Kosovës në Kastriot, ish Obiliq, dhe kishte marrë banesë në këtë qytet, më 1963, për të qenë më afër punës dhe për t’i shkolluar fëmijët më afër Prishtinës. Këtu, do të rritet e shkollohet Xhaviti, por, pa e harruar, në asnjë çast, fshatin e lindjes, ku shkonte shpesh, sidomos gjatë pushimeve, dhe interesohej të dëgjonte bisedat në odat fshatare- në ato shkollat popullore. Kishte dëshirë që të shkonte në fshatin e lindjes e në fshatrat ku kishte kushërinjtë, te dajtë e tij në Resnik, e në shumë fshatra të Vushtrrisë, ku, nga bisedat që zhvilloheshin për trimëritë heroike të popullit shqiptar, pothuaj i regjistronte të pashlyera në trurin e vet.
Gjithashtu, qysh i ri kishte dëshirë që ta vizitonte Qyqavicën, “Olimpin” e trimave të Milush Kopliqit, Isa Buletinit, Hasan Prishtinës, Shotë Galicës e Azem Bejtës, Shaban Polluzhës,etj., “Olimp”, ku do të ushtronte edhe vetë, bashkë me disa shokë, në vitet e 90-ta, për të mësuar përdorimin e armëve, me të cilat do ta luftonin e ta shporrnin, njëherë e përgjithmonë, armikun shekullor që i kishte shkelur këto troje të pastra shqiptare. Kjo trevë, pastaj do të bëhet edhe varri kryesor i soldateskës serbe, kur trimat me krahët e shqipeve të UÇK-së, në krye me komandantin legjendar, Adem Jasharin, do t’i shporrin, bashkë me aleatët e NATO-s, përfundimisht hordhitë karpatiane në qershor të vitit 1999. Buzë këtij “Olimpi”, në një thep shkëmbor, do të bie heroikisht edhe shoku i tij më i ngushtë gjatë tërë veprimtarisë së tij, gjithashtu një kreshnik legjendar, i pavdekshmi, dëshmori Fehmi Lladrovci, bashkë me shoqen e vet të jetës - dëshmorja Xhevë Krasniqi - Lladrovci.
Xhaviti, do t’i kryej me sukses të shkëlqyeshëm, shkollën fillore dhe të mesmen në Kastriot, ish’Obiliq. Aty, do të njihet me shumë shokë të idealit të vet, me të cilët do të veprojë gjithnjë për çështje kombëtare. Do të gjejë e lexojë literaturë ilegale dhe do të bëhet njëri nga militantët më të zellshëm në Kastriot, Vushtrri, Prishtinë, Drenicë, Llap e në mbarë Kosovën…
Më vonë, pas disa ndjekjeve e burgosjeve, në vitet e 90 do të arrinte që të kryente edhe shkallën e parë të Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës. Xhaviti, nga familja e ngushtë, ka lënë shoqen, Remzije Hajdini, e lindur në Prishtinë më 1963 dhe dy djem, Çlirimin, i lindur më 3 shtator 1991 në Drenas, dhe Shqipërimin, i lindur më 28 gusht 1993 në Prishtinë.
Veprimtaria patriotike
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]“Udhëheqësit partiakë e shtetërorë dirigjohen nga konjukturat e qarqeve diplomatike të shteteve të mëdha dhe janë bërë sikur robotë! T’i mbyllësh sytë para kësaj gjendjeje të mjerë që e ka kapluar popullin do të thotë të mos kesh kurrfarë ndjenje kombëtare”. (Xhavit Haziri)
Xhavit Haziri, është njëri nga veprimtarët më të devotshëm për çlirim e ribashkim kombëtar që nuk do të luhatet e nuk do të ndalët kurrë në rrugën e përcaktuar e të trasuar për ta bërë bashkimin e kombit shqiptar në një Shqipëri Etnike, aty ku i thonë bukës bukë e ujit ujë, qysh nga ideologët e udhëheqësit e Lidhja Shqiptare e Prizrenit, me vëllezërit Frashëri, Pasko Vashë Shkodrani, Sylejman Vokshi etj. Nga Pavarësia e Shqipërisë, Ismail Qemajli, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi etj., nga LNÇ e Shqipërisë, me Enver Hoxhën në krye, dhe nga idealet e nga gjaku i derdhur për atdhe i të gjithë dëshmorëve të kombit tonë.
Demonstratat heroike studentore e popullore të vitit 1981, për të cilat edhe Xhaviti, bashkë me shokë, kishte dhënë kontribut e vet, i kishin dhënë një impuls të fortë popullsisë shqiptare për të vazhduar luftën për drejtësi e barazi dhe nuk kishte forcë që ta shmangë nga kjo rrugë, megjithë dëmet që i kishte sjellë regjimi titist duke vrarë, duke arrestuar, duke dënuar, e duke larguar nga puna e nga studimet universitare pjesën më të ndërgjegjshme të Kosovës e viseve tjera shqiptare në ish Jugosllavi. Ky djalosh, tashmë me një vetëdije të lartë kombëtare, do të përpiqet që kjo Lëvizje e madhe popullore të vazhdojë për ta mbajtur këtë gatishmëri të forcave popullore për liri e bashkim, forca që do të luftonin, pa ndërprerje deri në krijimin e Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ky do të jetë njëri nga bartësit kryesor të bashkimit të organizatave ilegale, bashkim pa dallim ideje, feje a krahine, ashtu siç e kishin filluar Metush Krasniqi, Adem Demaçi, Hyrije Hana, Mulla Ramë Govori, Ahmet Haxhiu etj. në shtator të vitit 1974 në Dajkovc të Dardanës, të cilët projektuan Lëvizje Nacional Çlirimtare të Kosovës; gjithashtu do ta mbartë vazhdimësinë e unitetit të Lëvizjes gjithëkombëtare të nisur nga Jusuf Gërvalla e Kadri Zeka që i vrau dora vrastare e UDB-ës famëkeqe më 17 janar të vitit 1982. Në Turqi, zyrtarisht, ishte formuar Lëvizjen për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi (LRSSHJ), një muaj pas vrasjes makabër të Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, nga përfaqësues të dy grupimeve patriotike të fshehta, Sabri Novosella dhe Abdullah Prapashtica (të arratisur politik nga Kosova), kur me ndërmjetësimin e ambasadorit të Shqipërisë në Turqi, Bujar Hoxha shpallin bashkimin e organizatave ilegale. LRSSHJ ishte vazhdimësi e organizatave, LNÇKVSHJ, OMLK, FKP dhe i PKMLSHJ. Ky bashkim kishte dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në luftën për të drejtat e barabarta të shqiptarëve me popujt tjerë në ish-Jugosllavi, për krijimin e Republikës së Kosovës bashkë me të drejtën për shkëputje në rast të shpërbërjes së RSFJ-së. Edhe pse në shtetet perëndimore kishte një bashkim të fuqishëm, kjo është parë në demonstratat e përbashkëta të organizatave ilegale, praktikisht nuk u arrit bashkimi-shkrirja e mirëfilltë, sepse krerët e ish-organizatave, Sabri Novosella (LNÇKVSHJ), Abdullah Prapashtica (PKMLSHJ) dhe Xhafer Shatri (OMLK) nuk ishin të denjë për një bashkim-shkrirje të vërtetë të kësaj organizate të re, sepse nga përçarjet e tyre, madje edhe duke e quajtur njeri-tjetrin spiun të UDB-as, kishin ndikuar negativisht në mbarëvajtjen e organizimit të përgjithshëm kombëtar, si jashtë ashtu edhe brenda atdheut. Por veprimtarët e paepur për të cilët ATDHEU ISHTE MBI TË GJITHA nuk pushuan kurrë në shërbim të atdheut deri në formimin e UÇK’së në vitet 90’ta.
Xhavit Haziri, kishte një shqetësim të madh për bashkimin e grupeve ilegale të shkapërderdhura, pa një qendër organizative. Mu për këtë, ai me shokë, në fillim të vitit 1985 mbajnë mbledhjen e bashkimit të organizatave ilegale, si hap të parë drejt një Lëvizje gjithëkombëtare duke bërë Këshillin Organizativ, formuan organizatën Marksistë -Leninistët e Kosovës, ku edhe zgjodhën udhëheqësinë e vet me këta veprimtarë: Xhabir Morina, sekretar politik, Xhavit Haziri, sekretar për propagandë, informim dhe shtyp, Fehmi Lladovci, sekretar për çështje ushtarake, Bashkim Mazreku, sekretar organizativ, Bajram Limani, sekretar për sigurimin e bazave etj. Në këtë grup të bashkuar, veprimtarë të dalluar do të jenë edhe Ali Ahmeti, Xhavit Haliti, Nuhi Ahmeti, Abdullah Dërguti, Hilmi Reçica, Hajdin Abazi, Shaban Shala, Sadik Halitjaha, Elmi Zeka etj.
Këshilli Organizativ në përbërje të Xhavit Hazirit, Xhabir Morinës, Bashkim Mazrekut, Ali Ahmetit e Shaban Shalës në prill të vitit 1985 formojnë Komitetin Organizativ të Marksistë - Leninistët e Kosovës MLK. Komiteti i MLK’së ishte pararojë e LPRKsë. Shaban Shala e Fehmi Lladrovci formojnë Komitetin e Rrethit të MLK-së në Drenas, ish-Gllogoc. Gjatë vitit 1985, u formua Komiteti i OMLK-së, në Prizren, Suharekë, në Prishtinë, Ferizaj, në Kaçanik, Vushtrri, Tetovë, Kërçovë, Strugë, Bujanovc, Klinë, Pejë etj. Në këtë riorganizim formohen edhe shumë Këshilla Popullore të LPRK-së, një ndër ta ishte edhe Këshilli Popullor i LPRK’së në Prekaz, i formuar më 1985 nga Adem Jashari, Sami Lushtaku, Jakup Nura, Nuredin Lushtaku etj., që kishte lidhje me Fehmi Lladrovcin.
Në fillim të nëntorit të vitit 1985 u arrestuan disa aktivistë të LPRK’së dhe të grupeve tjera.
Xhabir Morina, Ramadan Haziri, Metush Krasniqi, Bilall Sherifi, Fehmi Lladrovci, Shaban Shala, Elmi Reçica, Skënder Osmani, Elmi Zeka, Skënder Luzha, ndërsa, Xhavit Haliti, Xhavit Haziri, Hajdin Abazi dhe Nuhi Ahmeti, u dënuan në mungesë. Xhaviti, iu kishte ikur nga duart agjentetëve dhe policëve të Sigurimit të atëhershëm të Kosovës, kur këta kishin dashur që te arrestojnë, ka qëndruar në ilegalitet derisa, i bien në gjurmë... Në vitin 1986 grupi i MLK-së do të dënohet në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës, me këtë kohëzgjatje: Xhabir Morina, me 13 vite burg, Elmi Reçica, me 11 vite burg, Xhavit Haziri, me 9 vite burg, Fehmi Lladrovci, me 9 vite burg, Shaban Shala, me 7 vite burg, Agron Morina, me 11 vite burg, Idriz Hyseni, me 6 vite burg, Ali Elshani, me 6 vite burg, Nuhi Ahmeti, me 6 vite burg, Sabit Tahiri, me 6 vite burg, Nysret Pllana, me 6 vite burg, Xhevat Ukshini, me 8 vite burg, Skënder Luzha, me 3 vite burg, Fatmir Sulejmani, me 5 vite burg, Fatmir Thaçi, me 5 vite burg, Abdullah Dërguti, me 9 vite burg, Rexhep Dugolli, me 6 vite burg, Elez Zogu, me 2 vite burg. Xhavit Haziri, si gjatë hetuesisë në organet e SUP-it të Prishtinës, si gjatë gjykimit, ashtu edhe gjatë vuajtjes së dënimit ka qenë shembull i sakrificës dhe i papërkulshmërisë.
Nga burgu i Prishtinës dërgohet në burgun e Foçës, sot ky qytet gjendet në të ashtuquajturën “ Republika Serpska”, ku vuanin dënimin të burgosurit më të rrezikshëm të ish-Jugosllavisë, në kushtet më të vështira, aty do ta vuajnë dënimin edhe profesor Ukshin Hoti, Jashar Salihu, Alia Izetbegoviq, ish-kryetari i Bosnjës etj. Xhavit Haziri, ka qëndruar në burg rreth pesë vite, lirohet gjatë ç´thurjes dhe shkatërrimit së shtetit jugosllav gjatë viteve të 90-ta, meqë Kroacia, Sllovenia e Bosnja i lironin të burgosurit politikë, pra edhe shqiptarët. Xhaviti, pas lirimit nga burgu i Foçës, në fund të vitit 1990, vazhdon aktivitetin në LPRK, aty ku e kishin lënë shokët që kishin rënë heroikisht në nëntor të vitit 1989, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, dhe pas arratisë së disa shokëve jashtë vendit, Fadil Vatës, Bardhyl Mahmutit etj.
- Do t’ishte një shkrim i gjymtë të shkruash për historikun e Lëvizjen gjithëkombëtare, a për ndonjë dëshmor të saj, e të mos përmendesh Bacë Ahmet Haxhiun, Anteu i Shqipërisë Etnike, shtyllën ilegale të LBRSH’së, me Bacë Adem Demaçin në krye, të LNÇKVSHJ, me themeluesin Metush Krasniqi e me promotorin e saj Jusuf Gërvalla, LPRK’së, me Fadil Vatën dhe Afrim Zhitinë në krye, si dhe impulsin e UÇK’së, me Adem Jasharin komandant legjendar. Bacë Ahmet Haxhiu është veprimtari i paluhatshëm për liri e pavarësi të atdheut, i cili do ta luajë rolin kryesor në vazhdimësinë e veprimtarisë patriotike, dhe që nuk do ta lë që të shkëputet zinxhiri i këtyre veprimeve revolucionare, edhe kur rrezikohet të shkëputet; ky atdhetar kishte lidhje ilegale edhe me Xhavit Hazirin, me të cilin do të vazhdojnë, së bashku, aktivitetin patriotik gjatë tërë jetës së tyre. Baca do ta lidhë Xhavitin me shokët e LPRK-së, brenda në Kosovë dhe me Kryesinë e saj në Zvicër, dega jashtë vendit. Xhaviti do të ketë disa pseudonime gjatë aktivitetit të vet ilegal, nder ta edhe pseudonimin “Besniku”, “Doktori”, “Syza” etj. Shtëpia e Bacë Ahmet Haxhiut ishte një bazë e veprimtarëve ilegal dhe njëkohësisht një strehë e sigurt, kur ishin në rrezik nga ndjekjet e sigurimit ish jugosllav, ku janë strehuar shumë shokë, ndër ta edhe Afrim Zhitia, Fadil Vata, Shaban Muja, Azem Syla, Arif Seferi, Ali Ahmeti, Fehmi Lladrovci, Xhavit Haziri etj. Pushkët e para të shkrepura kundër pushtuesve në fund të shekullit të kaluar kanë qenë të sjellura në Kosovë nga Bacë Ahmet Haxhiu; ai, gjithashtu ia sjellë mitralozin nga Zvicra Komandantit legjendar, Adem Jasharit, që do t’i dorëzohet nga Azem Syla. Vrasja e Afrim Zhitisë, sekretar politik, dhe Fahri Fazliut, udhëheqës, më 2 nëntor të vitit 1989, dy drejtues të lartë të LPRK-së, dhe largimi i Fadil Vatës, sekretar organizativ, në Zvicër për shkaqe shëndetësore, e kishin dëmtuar shumë organizimin e LPRK-së. Në këto rrethana delikate të vazhdimësisë organizative të LPRK-së, kur mungonin udhëheqësit potencialë, u mbajt Konferenca e Dytë e jashtëzakonshme në fillim të shkurtit të vitit 1991 në fshatin Prapashticë të Prishtinës, ku kanë marrë pjesë këta veprimtarë: Xhavit Haziri, Azem Syla, Halil Selimi, Ismet Sulejmani, Ramadan Avdiu, Ramadan Pllana, Raif Qela, Behajdin Allaqi, Hydajete Krasniqi, Zyrafete Muriqi, Halit Krasniqi, Ilaz Kadolli, Menderes Zeneli, Irfan Musmurati, Hulusi Beqiri etj.
- Në këtë Konferencë u zgjodh Komiteti Drejtues prej 5 vetëve: Xhavit Haziri, Ramadan Avdiu, Halil Selimi, Ismet Sylejmani dhe Halit Krasniqi.
- Më poshtë, po i jepi të dhënat për disa aktivitete të LPRK’së, ku Xhavit Haziri do të jetë i pranishëm dhe gjithnjë në udhëheqësinë e lartë.
- Shtator 1991, Prishtinë: Mbahet konsultë e LPRK-së, ku ishin të pranishëm, Xhavit Haziri, Ahmet Haxhiu, Adem Demaçi, Emrush Xhemajli, Ramadan Avdiu, Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi, Ibish Neziri etj. Adem Demaçi me këtë rast bëri një diskutim të gjatë se si e mendon veprimin e LPRK’së në vitet në vijim.
- Tetor 1991, në Ujëmir, Drenicë, u mbajt mbledhja e tretë e LPRK-së. Të pranishëm ishin, Xhavit Haziri, Ahmet Haxhiu, Halil Selimi, Mehmet Hajrizi, Emrush Xhemajli, Ilaz Kadolli, Dr. Muhamet Mehmeti, Bahri Fazliu, Xheladin Gashi, Ramadan Avdiu, Ibish Neziri, Ali Lajçi, Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi, Gani Syla, Ilaz Kadolli, Beajdin Allaçi etj. Kryetar u zgjodh Gani Syla, ndërsa në udhëheqësinë e ngushtë ishin: Xhavit Haziri, Ramandan Avdiu, Halil Selimi, Mehmet Hajrizi, Hydajet Hyseni, Ahmet Haxhiu, Musa Demiri, Ramë Buja, Azem Syla, Hydajete Krasniqi, dhe Guximtar Labënishti.
- Tetor 1991: Pak kohë pas përfundimit të Mbledhjes nga LPRK-ja u larguan, Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi dhe Gani Syla, ky i fundit ishte edhe Kryetar i LPRK-së. Si pasojë e largimit nga LPRK të Kryetarit dhe një pjese të Kryesisë së LPRK-së brenda vendit u dëmtua shumë. Largimi i tyre ndodhi për shkak se ky grup pati kërkuar zyrtarisht të dilej me deklarimin për të shpallur LPRK-në, inekzistente. Ndërsa, si arsyetim jepej se, kjo organizatë gjoja ishte e tepërt ne jetën politike pluraliste të Kosovës. Ata, u inkuadruan në lëvizjen pacifiste të Ibrahim Rugovës - në Lidhjen Demokratike të Kosovës - LDK.
• Vendim i veçantë, 1991: Një vendim i posaçëm është nxjerrë nga Kryesia e LPK-së në vitin 1991, për ngarkimin e anëtarëve Xhavit Haliti dhe Xhavit Haziri, me detyrë speciale për organizimin e Sektorit të Veçantë i cili është marrë ekskluzivisht me segmentin e organizimit ushtarak. Vendimi i është dorëzuar Xhavit Halitit dhe është njoftuar Kryesia e degës se LPK-së, jashtë vendit, për rolin dhe kompetencat që do t'i ketë Xhavit Haliti si drejtues i sektorit, rolin dhe kompetencat e sektorit të veçantë si strukturë dhe procesi i vendimmarrjes brenda tij.
• Sektori i Rëndësisë së Veçantë, i përbërë nga Xhavit Haliti, Azem Syla dhe Ali Ahmeti kishin për detyrë themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Intervistë ekskluzive (dhënë gazetës "Zëri" më 7 prill 2010)
Xhavit Haliti, themelues i UÇK-së: Si u organizua lufta në Kosovë ; Kroacia vërtet ka qenë e interesuar që të shpërthejë lufta në Kosovë, ndoshta më shumë për interesa të vetat, sepse hapja edhe e një fronti tjetër do ta dobësonte më shumë ushtrinë e Jugosllavisë dhe do të dobësohej fronti në veri. Sidoqoftë ajo ka qenë e interesuar, madje edhe për të na dhënë armë. Mirëpo, Rugova, nuk e ka pranuar një veprim të tillë. Kështu që, ne, jemi detyruar të veprojmë vetë. Në këtë drejtim, në Kroaci kanë shkuar për bisedime: Ahmet Haxhiu, Ramadan Avdiu e Xhavit Haziri, të cilët kanë marrë kontakte, janë marrë vesh që të merren sasi të mëdha të armatimit në Kroaci, mirëpo kjo ka mbetur vetëm një marrëveshje, e cila është diskutuar, por që nuk është realizuar. Për fajin e kujt, unë nuk jam në gjendje të përgjigjem realisht as sot. Kësaj pyetjeje më mirë do t’i përgjigjej dikush nga ata që ka qenë në kontakt me kroatët.
1992 - korrik 1993 : Militant të LPK-së bënë disa veprimet të armatosura kundër trupave serbe.
1991: Xhavit Haziri, Ahmet Haxhiu e Xhavit Haliti takohen me Presidentin e Shqipërisë Ramiz Alinë. Nga ai marrin përkrahje morale dhe premtime se do të ndihmohet Kosova në rrugën e saj për fitimin e lirisë dhe pavarësisë...
Për këtë takim me Ramiz Alinë dhe me udhëheqës tjerë të shtetit amë, më tregon pak më detajisht, Ismet Sylejmani, njëri nga udhëheqësit e LPRK-së, i cili ishte në përbërje të delegacionit prej Xhavit Hazirit, Ahmet Haxhiut, Arif Seferit, nga Kosova dhe Viset shqiptare, në ish-Jugosllavi dhe Xhavit Haliti nga diaspora.
Ismet Sylejmani: Biseduam, të shkojmë ne që ishim nga brenda Kosovës, një version:
- Një i përfaqësues i Kosovës, një i Maqedonisë, një i Kosovës Lindore dhe një i diasporës.
- Jo, në atë takim nuk ishim Unë dhe Arif Seferi, na thanë se Ramiz Alia po kërkon vetëm tre veta të shkojmë.
- Ndërsa, ishte Xhavit Haziri, Ahmet Haxhia dhe Xhavit Haliti.
- Ndërsa, në delegacion me Xhavit Hazirin kur kemi qenë, kemi udhëtuar nëpër Preshevë, Manastir, Follorinë, Kapshticë, Korçë, Pogradec, Elbasan dhe Tiranë, kemi shkuar me makinë të Bacit Ahmet.
- Jemi takuar me Servet Pëllumbin, me Haxhi Lleshin dhe Ramiz Alinë.
…Ishim takuar me Haxhi Lleshin, kur biseduam për fillimin e luftës së armatosur, Ai burrë i madh i popullit shqiptar, saktësisht na tha: “Ne shqiptarët e Shqipërisë, për juve nuk e fillojmë luftën e armatosur, nëse ju nuk e filloni, por po e filluat luftën, mbajeni mend se; shoku Enver Hoxha, Partia dhe Shteti Shqiptar ka menduar për këtë ditë, armë dhe barot keni sa të doni dhe luftën kundër Serbisë do ta fitoni”!...
Prishtinë, 1993 : Për të biseduar lidhur me organizimin e rezistencës aktive të armatosur në Kosovë, një delegacion i LPK-së i përbërë nga: Xhavit Haziri, Ramadan Avdiu dhe Azem Syla, u takuan me Kryetarin e LDK-së dhe të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, Fehmi Aganin dhe Zenel Kelmendin. Takimi përfundoi si shumë herë pa sukses.
Prill, 1993, Kollare, Kërçovë. Mbahet mbledhja konsultative e LPK-së. Marrin pjesë: Xhavit Haziri, Ahmet Haxhiu, Ali Ahmeti, Adnan Asllani, Hashim Thaçi, Azem Syla, Gafurr Elshani, Beajdin Allaçi, Adem Grabovci, Bilall Sherifi, Halil Selimi, Ramadan Avdiu, Hidajete Krasniqi, Hysen Gega, Ramadan Pllana, Ilaz Kadolli, Fadil Bajrami, Musa Demiri, Bexhet Luzha, Fatmir Brajshori, Mustafë Krasniqi etj. Në këtë takim u lëshuan rezolucionet sipas të cilave LPK mbështet të gjitha aksionet e armatosura kundër pushtuesve. Gjithashtu, u krijua Grupi i Organizimit të Mbledhjes së IV-të të Përgjithshme i përbërë nga Adnan Asllani, Hashim Thaçi, Bilall Sherifi.
Më 28-29 korrik 1993, Kodër e Trimave, Prishtinë, në shtëpinë e veprimtarit Fatmir Brajshori, mbahet Mbledhja e Katërtë e Përgjithshme e LPK-së. Marrin pjesë: Xhavit Haziri, Ramadan Avdiu, Halil Selimi, Adnan Asllani, Isa Krasniqi, Xheladin Gashi, Fatmir Brajshori, Fazli Veliu, Emrush Xhemajli, Beqir Beqa, Sabri Kiçmari, e të tjerë drejtues dhe delegatë nga terreni. Në mbledhje bëhen ndryshime programore e statutare. Në Program tekstualisht aprovohet si mjet i arritjes së qëllimit lufta e armatosur për çlirimin e Kosovës (dhe viset shqiptare në ish-Jugosllavi). Aprovohet rezoluta sipas të cilës lufta e armatosur duhej të ishte prioritet i veprimeve të LPK-së. Ndërsa, emri i LPRK’së u ndërrua në LPK, pra LËVIZJA POPULLORE E KOSOVËS.[2]
Zhdukja
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Xhavit Haziri, veprimtar i shquar i çështjes sonë kombëtare, është rrëmbyer më 17 Shtator të vitit 1998 në Prishtinë nga Sigurimi i Shtetit Serb famëkeq, dhe që nga atëherë ai figuron në listën e personave të zhdukur.[3]
Titulli
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ai ishte shpallur "Hero i Kosovës" për kontributin e tij atdhetar më 26 Nëntor të vitit 2010 nga Jakup Krasniqi, ushtrues i detyrës së Presidentit të Kosovës, kur i kishte dekoruar 31 veta me rastin e festave të 28 Nëntorit.[3]
Të dhëna shtesë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Shiko edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ "Veseli kujton veprimtarin Xhavit Haziri". Botasot.info. 17 shtator 2017. Marrë më 27 tetor 2018.
- ^ "XHAVIT HAZIRI". pashtriku.beepworld.de. Marrë më 2023-03-25.
- ^ a b ""Zhdukja e Xhavit Hazirit? / Pse Hashim Thaçi e përkujtoi vetëm 21 vjet pas takimit të fundit me të?"". A news24. 2022-07-25. Arkivuar nga origjinali më 25 mars 2023. Marrë më 2023-03-25.