Bilishti
Bilishti është qytet në Shqipëri.
Gjeografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Qyteti i Bilishtit është qyteti më juglindor is Shqipërisë. Ai është i vendosur në lindje të luginës së Devollit, rreth 880-970m mbi nivelin e detit në një reliev kodrinor i cili zgjatet nga shtrati i lumit Devoll deri në kodrat e Kokogllavës mbi qytet dhe mbulon një sipërfaqe prej 1.4km2. Me lartësi mesatare 925 m mbi nivelin e detit Bilishti është qyteti i i dytë më i lartë në Shqipëri pas Ersekës (1020m mbi nivelin e detit).
Qyteti ka një pozitë gjeografike mjaft të favorshme duke qenë se përmes tij kalon nyja automobilistike që lidh Shqipërinë me Greqinë nëpërmjet doganës së Kapshticës që ndodhet 7km në lindje të tij. Në veri qyteti kufizohet me Bitinckën(3km në lindje të tij), në lindje kufizohet me kodrat e Kokogllavës(1140m m mbi nivelin e detit), Stranës(1280m mbi nivelin e detit), Sellcat(vendbanim i hershëm pranë Bilishtit) dhe Vernikun, fshatin më lindor të Shqipërisë(5km në lindje të tij), në jug kufizohet me Vishocicën(3km në jug) ndërsa në perëndim kufizohet me lumin e Devollit si dhe me fshatrat si Poloska(4km),Kuçi(3km), Babani(5.5km) dhe Hoçishti(6.5km).Bilishti ka një popullsi prej rreth 12000 banorësh dhe është kryeqendra e Bashkisë së Devollit.
Klima [1][2]
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Klima në Bilisht është mesdhetare kalimtare, por me ndikim të dukshëm kontinental. Lartësia e madhe mbi nivelin e detit (930m), si dhe largësia nga deti bën që vera në Bilisht të jetë e ngrohtë dhe herë e freskët, me një dimër të ftohtë dhe me dëborë, si dhe me pranverë e vjeshtë të freskët.
- Temperatura mesatare vjetore është 9.9 gradë. Muaji më i nxehtë i vitit është Korriku me mesatare prej 19.5 gradë C, ku temperaturat më të larta dhe më të ulëta varjojnë nga 14 gradë gjatë natës dhe 26.6 gradë gjatë ditës. Muaji më i ftohtë është Janari me një mesatare prej 0.2 gradë, ku temperaturat mesatare varjojnë nga -3.6 gradë gjatë natës dhe 4.1 gradë gjatë ditës. Maksimumi i temperaturave është arritur në Korrik të vitit 1988 (39 gradë) ndërsa minimumi është arritur në Janar të 2012 (-20 gradë). Ampltuda vjetore e temperaturave është 19.3 gradë.
- Reshjet në Bilisht janë më të pakta se në qytetet e tjera të Shqipërisë si pasojë e ndikimit të fortë kontinental dhe vargmaleve që rrethojnë këtë zonë. Sasia mesatare vjetore e reshjeve është 780mm. Sasia më e madhe e reshjeve arrihet në muajt e pranverës dhe vjeshtës: Nëntori(100mm) dhe Tetor(89mm).Muaji me numrin më të madh të ditëve me reshje është Maji ku mesatarisht janë 15 ditë me reshje dhe 16 ditë të thata. Muajt më të thatë janë Gushti(39mm) dhe Korriku(40mm).Muaji me numrin më të madh të ditëve të thata është Gushti ku mesatarisht janë 23 ditë të thata dhe 8 ditë me reshje Në gjysmën e dytë të vjeshtës fillojnë reshjet e dëborës të cilat bien deri në prill. Gjatë dimrit bie sasia më e madhe e reshjeve të dëborës, kryesisht në Janar(mesatarisht 4 ditë) dhe Shkurt(mesatarisht 5 ditë). Zakonisht reshjet e dëborës mund të jenë të pranishme edhe në muajt e pranverës.
- Ngricat në Bilisht janë të pranishme gjatë 8 muajve të vitit, muaji me numrin më të madh të ngricave është Janari (19 ditë), ndërsa muaji me më pak ditë me ngrica është Maji (0.1 ditë) dhe Tetori (1.3 ditë)
- Era në Bilisht fryn kryesisht nga perëndimi dhe nga veriu, muaji me shpejtësinë më të madhe të erës është Shkurti me Marsin (9km/h), ndërsa ai me shpejtësinë më të ulët është Gushti me shpejtësi 6 km/h. Muaji me praninë më ë madhe të erës është Marsi ku era mesatarisht gjatë 15 ditëve e kalon shpejtësinë 5km/h, ndërsa muaji me më pak erë është Tetori ku era mesatarisht kalon shpejtësinë 5km/h gjatë 7 ditëve.
- Ditët me diell dhe vranësia: Muaji më me shumë diell është Gushti ku mesatarisht janë 13 ditë me diell dhe 17 ditë pjesërisht me re ose të vranëta, ndërsa muaji i vranët është Maji ku mesatarisht 25 ditë janë të vranëta ose pjesërisht me re dhe 6 ditë me diell.
Historia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Mbi vendndodhjen e Devollit, nën vështrimin toponimik
Dr. Dhimitri Bello*, Prof. as. Robert Damo**
Emërtimin Devoll, me trajta paksa të ndryshme fonetike, e hasim shumë herët. Devolli fillimisht përmendet si qytet nga Ptolemeu në shekullin II e.s.. Sipas gjeografit të njohur grek, ekzistonte një qytet i fisit ilir të Ordejve, i quajtur Debolia. Më pas, në studime dhe dokumente të ndryshme, emri paraqitet me forma të ndryshme.
Pak kush e di sot se emri Devoll haset në funksion të trefishtë nominativ; si emër qyteti, lumi dhe rrethi. Tek ne rëndom njihet me dy funksionet e fundit. Krahina gjeografike dhe etnografike që formon edhe rrethin me këtë emër, kufizohet nga lindja me Republikën e Greqisë, në perëndim me vargmalin e Moravës, në jug me Greqinë dhe rrethin e Kolonjës dhe në veri me liqenin e Prespës dhe rrethin e Korçës. Lumi Devoll (196 km) buron në këmbë të Gramozit, vazhdon rrjedhën e vet në veri drejt qytetit të Bilishtit, për t’u kthyer më pas në perëndim nëpër grykën midis Malit të Thatë në veri dhe Moravës në jug, ku bashkohet në thellësi me lumin Osum, që buron po nga Gramozi, dhe formojnë së bashku Semanin.
Grykën që lidh fushën e Devollit me atë të Korçës, atë të Cangonjit, helenët e vjetër e kanë quajtur (Propilion) me kuptimin “roje e portës”. Mendohet se nga ky emër i vjetër ka ngelur emri i fshatit të sotëm Pilur (Komuna Progër, rrethi i Devollit), në krahun e majtë të rrugës nacionale Bilisht-Korçë.
Emërtimin Devoll, me trajta paksa të ndryshme fonetike, e hasim shumë herët. Devolli fillimisht përmendet si qytet nga Ptolemeu në shekullin II e.s.. Sipas gjeografit të njohur grek, ekzistonte një qytet i fisit ilir të Ordejve, i quajtur Debolia. Më pas, në studime dhe dokumente të ndryshme, emri paraqitet me forma të ndryshme.Në Mesjetë, tek Ana Komnena, kemi një devijim fonetik dhe semantik të emrit duke e quajtur Lumi i Djallit, flumen Diaboli, ndërsa në kohën e kryqëzatave arrin të quhet flumen Deamonis. Po kështu, emrin e hasim edhe në trajtat e tjera në periudha të ndryshme si Deaboli, Deabolis, Deebu (1273), Deavolis, Dievolis, si dhe Euali (1351, 1367), Drevale, Jevali (1360, 1363), Dievali (1344, 1347, 1359), Devoli (1380)
[1]
Etimologjia e emrit të Devollit po kështu është e diskutueshme. Tek studiues të ndryshëm kemi etimologji të ndryshme. Mjaft prej tyre, siç e pamë edhe nga format e sipërpërmendura, emrin e lidhin me kuptimin e djallit, demonit.Sipas akademikut bullgar St. Mlladenov, toponimi fillimisht duhet të ketë qenë një substrat hidronimi dhe burimin e sheh në rrënjën trakase Dev-ula me kuptimin “rrjedh”.
[2]
Sipas një tjetër studiuesi, po bullgar, Zhivko Vojnikov , toponimin e nxjerr nga protobullgarishtja (gjuhë ugro-fine), duke e lidhur këtë me semantikë paralele me iranishten dewol, diwol me kuptimin “mur” dhe jep analogen indoevropiane të trakishtes dava- deva me kuptimin “fortesë, qytet”. [3]
Në librin e vet “Të njohim Devollin”, Ismet Larti jep dy variante të etimologjisë së Devollit që lidhet me sllavishten; Deabolis si fjalëformë nga sllavishtja de “ku” dhe boli “dhemb”, pra “ku dhemb” dhe varianti tjetër referuar një gazetari maqedonas Devoll, po nga sllavishtja, de “ajs, ec” dhe voll “ka” dhe del “ajs o ka”.
[4].
Referuar dokumentimit të parë shkrimor të emrit, etimologjitë që lidhen me gjuhë të cilat janë shfaqur tepër më vonë në Ballkan, pas shekullit II, duhet të jenë të gabuara. Kështu që etimologjia duhet kërkuar tek një substrat më i hershëm. Mirëpo kufizimi “kohë e hershme”, nuk na e lehtëson shumë çështjen, duke ditur hipotezat e shumta në lidhje me gjuhët e vjetra në Ballkan. Nëse do të kishim një qartësi, për sa i përket kuptimit të emrit të vjetër, ndoshta do na e lehtësonte edhe përcaktimin e saktë të vendndodhjes së qytetit. Qyteti, siç del nga shumica e burimeve historike, përmendet deri rreth shek XIII. Dihet që pushtimi turk, qytetin e ka gjetur të shkatërruar plotësisht. Edhe për sa i përket vendndodhjes së këtij qyteti kemi hipoteza të ndryshme.
[5]
Nëse marrim parasysh Ptolemeun, që e quan qytet të fisit ilir të Ordejve, vendndodhja e tij nuk saktësohet, pasi edhe shtrirja e këtij fisi nuk dihet saktësisht. Sipas historisë së Shqipërisë dhe hartës së fiseve ilire, ky fis zinte një vend në jug të lynkestëve, të cilët gjendeshin në lindje të enkelejve, përtej liqeneve të Ohrit dhe të Prespës. Sipas Karl Paçit, në veprën e tij “Ilirët”, ordejtë i vendos në Devollin e Poshtëm e në Shkumbinin e Mesëm, ku ishte qyteti “Scampa”, Elbasani i sotëm. Në një hartë të botuar në librin “Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë”, vendoset pak a shumë në fushën e Korçës. Duke iu referuar toponimisë shumë studiues këtë qytet e përcaktojnë në fshatin e sotëm Zvezdë në juglindje të Korçës. Kjo më shumë mbështetur në jetëshkrimin e Peshkopit Mihail të Devollit (ka qenë Peshkop grek i qytetit të Devollit në fillim të shek. XII), që tregon se në fillim të shekullit XII, qyteti i Devollit është quajtur Selasforos, “Dritëmbajtës”. Dhe nëpërmjet këtij emërtimi i bëhet lidhje kuptimore me trajtën sllave zvezdë, “yll”. Ndërsa Ylli Kasmi jep një zhvillim të tillë të emrit Deabolis, Deabolis>Deebolis>Deell>Dell. Dhe këtë e lidh me shtratin e vjetër të lumit Seman, sot i tharë, që banorët vendas e quajnë Dell.
[6]
Po kështu edhe historiani bullgar V. Zllatarski, vendndodhjen e Devollit të vjetër e lidh me fshatin Gostimë, afër Cërrikut, ku sipas tij, referuar një harte të vjetër austriake edhe sot duken rrënoja të një qyteti të vjetër
[7]
Pukëvili shkruan se në juglindje të Korçës ka parë gërmadhat e një qyteti të vjetër me mure ciklopike, që nga banorët vendas quhej Devolli i vjetër në turqisht Eski Devoll. Kurse në verilindje të këtyre rrënojave, në një distancë jo fort të largët është një vendbanim (vilage) Devoll, emër të cilin e mban gjithë rrethina
[8]
Lidhur me këtë emërtim turk, edhe Ismet Larti në librin e cituar thotë se deri në fillim të shekullit XX, fshatarët e Mborjes (fshat në lindje të Korçës, sot pothuajse i bashkuar me të) vazhdonin të quanin gërmadhat e një qyteti të vjetër në afërsi të fshatit të tyre Devoll i Vjetër, kurse në dokumentacioni zyrtar turk ishte Eski Devoll.
[9]
Edhe Aravantinos përcakton dy Devoll, të madh e të vogël, dhe përcaktimin e bën në verilindje të Korçës
[10]
Sipas Findlejt koordinatat e këtij qyteti jepen rreth zonës së Prespës, ndoshta edhe ky autor ka pasur parasysh Zvezdën se harta është e vjetër dhe mund të ketë gabime.
[11]
Ndërsa Tomashekjep dy vendbanime me emrin Devoll në pjesën e sipërme të lumit afër burimeve të tij, por duke marrë parasysh emrin e vonë bizantin Devoll- Selasfor e lidh këtë me emrin sllav Zvezdë.Ka edhe hipoteza të tjera, nga studiues të tjerë, rreth vendndodhjes së këtij qyteti që shkojnë që nga burimet në rrjedhën e sipërme të lumit dhe deri në bashkimin e tij me Osumin, që të krijojnë një ide të turbullt.Po ku ka qenë ky qytet? Këtë radhë do mundohemi t’i afrohemi sadopak, duke e trajtuar çështjen më shumë në anën gjuhësore, referuar kjo edhe me historinë dhe kronikat e ndryshme të kohës, gojëdhënave të ndryshme të përcjella brez pas brezi. Por më parë duhen përcaktuar koha e lulëzimit të madh të këtij qyteti dhe protagonistët më të rëndësishëm të kohës. Qyteti pavarësisht se është përmendur qysh në shekullin II, nuk ka të dhëna të tjera historike për zhvillimin e tij. Devolli bëhet i njohur në histori, më shumë në shekujt IX-XII. Në atë kohë qyteti lidhet historikisht me mbretërinë bullgare dhe Perandorinë Bizantine, që në kohën e car Borisit I, mbretit të parë bullgar dhe deri në rënien e mbretërisë bullgare dhe triumfin e Bizantit me Vasilin II, i njohur në histori si Vasil Bullgaroktoni (Bullgarvrasësi). Ky qytet paraqet rëndësi të madhe si për albanologjinë po kështu edhe për sllavistikën, përkatësisht bullgaristikën. Fama e madhe e këtij qyteti lidhet më shumë me misionin kishtar dhe arsimor të Klimentit dhe Naumit, nxënës të dy shenjtorëve vëllezër Shën Kirilli dhe Metodi, misionarë bizantinë që ngarkohen për hartimin e alfabetit sllav, që njihet sot tek ne si Cirilik për nder të Shën Kirillit. Misionarët vdesin në Moravi (Çekia e sotme), duke lënë një alfabet të quajtur glagolik me paraqitje si hieroglifë. Janë pikërisht nxënësit e tyre dhe kryesisht Klimenti dhe Naumi që hartojnë alfabetin që kanë edhe sot sllavët. Pra, me pak fjalë, Devolli është një nga qendrat e hartimit të alfabetit sllav. Së bashku me Devollin në atë kohë, nga tokat Shqiptare, ranë nën sundimin bullgar edhe zona të tjera që njihet si krahina me emrin Kutmiçevica. Disa studiues bullgarë këtë e nxjerrin me prejardhje nga parabullgarishtja, që do të thotë “toka të reja të pushtuara”.
[12]
Kutmiçevica përfshinte tri qendra kryesore; Ohrin, Devollin dhe Gllavenicën (Ballshi i sotëm). Klimenti, në atë kohë, shkonte nga një fshat në tjetrin për të përhapur fenë e krishterë dhe shkrimin sllav, si dhe njohuri të ndryshme në fushën e bujqësisë dhe pemëve frutore. Brenda 7 vjetëve, 3.500 nxënës të dalë nga këto shkolla u bënë priftërinj, mësues etj. Në Devoll, ai ngriti dhe një azil, një jetimore dhe një mensë për të varfrit.
[13]
Në vitin 886 Borisi I, këtu ndërton edhe një nga 7 kishat më të mëdha, të bëra menjëherë pasi Bullgaria pranon fenë e krishterë. Pra, përderisa Devolli përbënte një qendër të rëndësishme arsimore, kulturore dhe fetare pikërisht në kohën e sundimit bullgar dhe në Devoll për herë të parë është hartuar shkrimi sllav, janë kryer shërbesat e para në të ashtuquajturën gjuhë sllavo-kishtare, qyteti duhet kërkuar në treva ku kanë mbetur sadopak shenja të gjuhës sllave, pavarësisht kohës së gjatë. Dhe ne mendojmë se këto “kritere” i plotëson treva në rrjedhën e sipërme të lumit Devoll. Më poshtë po japim disa nga argumentet se përse mendojmë se mund të jetë në këtë vend:- Leksiku në të folmen e Devollit të sipërm është mjaft i pasur me huazime sllave. Numrin më të madh të huazimeve në këtë zonë e përbëjnë sllavizmat, nga të cilat shumica i përkasin sferës së bujqësis.
[14]
Studiuesja ruse, Desnickaja, referuar këtyre huazimeve shprehet: “Në leksikun e Devollit ka veçanërisht shumë elemente sllave, të cilat mund t’i marrim edhe si huazime edhe si shtresë të ngelur të leksikut, që është ruajtur në të folmen e sllavëve të asimiluar”.
[15]
- Deri në vitet ‘70 të shekullit XIX, banorët e Devollit ishin dygjuhësh. Kjo dëshmohet në një shkrim të revistës “Albania”, botuar në 1898 në Bruksel. Aty thuhet se banorët e Devollit flisnin shqip dhe një gjuhë “të përzier bullgare”. Në atë kohë, krerët e 50 fshatrave u mblodhën dhe u betuan se nuk do të flisnin më gjuhën bullgare dhe nuk do ju a mësonin fëmijëve të tyre [16].- Në këto treva ekzistojnë toponime të shumta sllave, që përbëjnë edhe shumicën e toponimisë. Ne po shkëpusim disa prej tyre, që ndoshta lidhen me periudhën e përmendur të Devollit Mesjetar.
Miras (Bozhigrad)
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Fshat dhe qendër komune në Devollin e sipërm, sot njihet edhe me emrin Miras. Është kompozitë bullgare me dy tema fjalëformuese, mbiemër + emër bozhi dhe grad ; mbiemri bozhi që shpjegohet edhe me bullgarishten e sotme “Zoti, i zoti” dhe emri grad, që është “qytet ose kështjellë”. Pra na del Qyteti i Zotit ose Kështjellë e Zotit. Mendojmë se ndoshta para dyndjeve sllave qyteti të ketë qenë me formë fillestare Theopolis “Qytet i Zotit” dhe pas dyndjeve sllave të jetë përshtatur në gjuhën e tyre, siç ka ndodhur në pjesën dërmuese të rasteve, ose siç e kemi në rastin e sipërpërmendur Glavenica që është një përkthim i emrit të mëparshëm Kefalonia. Më pas kjo trajtë të ketë kaluar nga Teopolis> Deobolis>Deabolis>Devoll. Edhe në mos qoftë kështu, duke gjykuar vetëm nga semantika e fjalës Qytet i Zotit. Mendja të shkon për një qytet të rëndësishëm.
Afro 3 km më sipër, në drejtim të kundërt të rrjedhës së lumit, në anë të majtë të rrugës për në Arrzë e Nikolicë, ndodhet fshati Qytezë.
Qytezë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Toponimi shpjegohet me shqipen e sotme qytet me një formant diminutivi –zë qytezë, pra qytet i vogël. Është një trajtë e hershme e shqipes (shih, Çabej, Studime etimologjike v. VI f. 270). Fshati mendohet të jetë formuar në fund të shek XVII. Për identitetin e këtij fshati nuk ka të dhëna të sakta. Sipas banorëve, emri Qytezë i është vënë në kuptimi “kështjellë”. Kemi edhe një fakt tjetër, që fshatrat fqinje të Greqisë të banuara me popullsi sllave si Slimnica, Pilkati, Janoveni, Kalevishti etj., e thërrisnin Qytezën “Gradishta” që është po me rrënjë sllave grad “qytet ose fortesë”. Këtu ose sllavët e kanë përkthyer trajtën qytezë në gradishtë ose Qyteza vetë të jetë një përshtatje e formës sllave në shqip. Shkrimtari dhe studiuesi Petraq Samsuri na thotë se Qytezën më parë e quanin Qyteti i Zotit (togfjalësh i njëjtë me Bozhigradin).
Mali i Çernokut
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ndodhet midis Bozhigradit dhe Qytezës. Shpjegohet me etimologjinë bullgare çerni “i zi”. Tek Zllatarski (lit. e cit. f.95), referuar shkrimeve të Pahimerit, përmend edhe një fortesë afër Devollit të quajtur kalaja e Çernikut. Autori për të përforcuar hipotezën e tij për vendndodhjen e Devollit në Gostimë, e lidh këtë me Cërrikun e sotëm. Në Çernokun e cituar nga ne nuk përmendet ndonjë gojëdhënë, që të ketë pasur kështjellë në atë vend. Mali i lartë ka një shkëmb shumë të madh në majë. Por për këtë mund t’i referohemi edhe një herë gojëdhënës për Qytezën si kështjellë. Mendojmë për një kalim Çernik>Çernok.
Duke dalë tek rruga kryesore për të vazhduar për në Nikolicë, pak më sipër rreth 2 km, në të djathtë të rrugës kemi fshatin Sinicë.
Sinica
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Toponim sllav. Në këtë rast forma na paraqitet e diskutueshme, formë e vjetër dhe formë e re bullgare. Nëse i referohemi trajtës së vjetër bullgare СЫНЪ “kështjellë” së bashku me formantin -ica, del “kështjellë e vogël”. Por nëse e krahasojmë me bullgarishten e sotme син del “kaltërsi ose blu”, që mund të jetë një hidronim, meqë fshati përshkohet mes përmes me lumë, por mund të jetë edhe sipas veshjes shkëmbore në ngjyrë të kaltër që ka ky fshat. Fakti që edhe tek toponimet e tjera hasim formën “kështjellë, fortesë, qytet” na bën që të anojmë më tepër tek trajta e sllavishtes së vjetër.
Nikolica
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Fshati shtrihet në këmbë të malit të Gramozit, vetëm disa kilometra larg burimit kryesor të lumit Devoll. Sipas gojëdhënave, që na tregojnë banorët e zonës (aktualisht në fshat jeton vetëm një familje), fshati ka këtë emër nga bashkimi i dy emrave të banorëve të parë në një kompozitë, të çiftit Niko dhe Lica. Referuar regjistrit turk të Korçës 1431, fshati Nikolicë ka pasur vetëm 7 shtëpi. Në Kodikun e Korçës dhe Selasforit [17], thuhet se: “deri në gjysmën e parë të shek. XVIII, Nikolica ka qenë një qytet me 6.000 banorë, ka pasur mitropoli, kisha të bukura pasi edhe në ditët e sotme fshatarët të tregojnë gërmadhat e mitropolisë dhe të kishës katedrale të Shën Kollit. Atje ka lulëzuar zejtaria, sidomos të përmendura kanë qenë objektet e prodhuara nga argjendarët e qytetit në fjalë”.Referuar historisë së Mesjetës, në kohën e car Samuillit (997-1014) në mbretërinë bullgare, si një nga gjeneralët më besnikë të Samuillit është përmendur dhe Nikolica i Larisës. Emri i saktë është Nikolla, por njihej si Nikolica për shtatin e shkurtër të tij. Pas shkatërrimit të ushtrisë bullgare nga Vasili II Bullgarvrasësi dhe qëndrimit të tij për 55 ditë në qytetin e Devollit, dorëzohet edhe Nikolica. Njihet që Vasili II, të gjithë gjeneralëve të vetëdorëzuar u jepte tituj, frone Patriarku dhe vende nën sundim. Mendojmë se emri i këtij vendbanimi të jetë vendosur për nder këtij gjenerali. (Autorët janë ende në vjelje të të dhënave rreth Nikolicës). Gjatë hulumtimeve tona në terren, në një pyll përbri fshatit, kemi gjetur edhe rrjetin e një ujësjellësi me tubo qeramike. Nga konsultimet paraprake me arkeologët, del që qeramika i përket Mesjetës ndoshta edhe më herët, pa mundur të bëhet përcaktimin e saktë i saj. Nga analizat që janë dërguar në Itali, presim edhe konfirmimin për saktësinë kohore, që do të na ndriçojnë mjaft për kohën e këtij vendbanimi.Kemi edhe një fakt tjetër, se fshatrat e kësaj zone, si Qytezë, Sinicë, Dardhë (ku ka edhe popullsi të krishtere), ka kisha të Shën Kollit.
Dobërgora
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Është një pyll afër Arrzës, midis fshatrave Arrëz, Sinicë dhe Dardhë. Sipas banoreve të këtyre fshatrave, në këtë pyll ka pasur një manastir, në vendin ku sot është ndërtuar një vakëf me objekte të fesë ortodokse dhe myslimane. Për këtë pyll ka mjaft histori për shenjtorë që mbrojnë pyllin. Dhe vërtetë është një pyll me sipërfaqe të konsiderueshme që nuk kemi “ndërhyrjen” e sëpatës. Është toponim i pastër bullgar. Kompozitë mbiemër+emër. Mbiemri “i mirë” dhe emri “pyll”. Gërmimet në këtë pyll, mund të na japin informacione mjaft të sakta dhe me rëndësi historike. Ndoshta këtu bëhet fjalë për ndonjë manastir me rëndësi të kohës. Kemi edhe një fakt tjetër. Pjesa e pyllit që është me dru lisi, quhet Dobërgor, ndërsa pjesa me ah quhet Rahu i Kushtës. Ky ndodhet afër kishës së Shën Pjetrit të Dardhës në majë të pyllit që dardharët e quajnë pylli i Rahut. Rah kemi edhe në pjesën e pyllit nga ana e Sinicës. Ndërmjet tri zonave të quajtura Rah ndodhet Popoveni nga bullg. “e priftit”, vend mjaft i bukur, që banorët e zonës e përdornin për piknik.
Rahu
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Po tek Zllatarski (f. 93) duke cituar Skilicën (Gjon Skilica, autor bizantin i Mesjetës) midis të tjerash lexojmë: “Pas vdekjes së Ivan Vladislavit, dhe pas dorëzimit të së shoqes dhe parisë kryesore bullgare, Ivaci (njëri nga ushtarakët bullgarë) largohet në një mal të lartë që quhej Vrohot, ku kishte kopshte dhe oborre shumë të bukura. Pasi i shijoi këto bukuri me ushtrinë që kishte mendoi të ngrinte krye dhe të rimerrte pushtetin me ndihmën e popullsisë vendase. Perandorit bizantin i tërhoqi vëmendjen kjo dhe ktheu rrugën e tij për në Devoll (koha kur dorëzohet dhe Nikolica). Këtu mendojmë për një lidhje të mundshme Vrohot me pyllin e Rahut, Vrohot>Rohot>Rahut. Për sa i përket bukurisë të përshkruar nga Skilia, kemi Popovenin midis tre Raheve që është dëshmi e gjallë edhe sot. Vargmali që shoqëron nga ana perëndimore gjithë luginën e lumit të Devollit deri tek burimi është mali i Moravës.
Morava
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Për vjetërsinë e këtij emërtimi nuk kemi asnjë të dhënë. Nuk po merremi me etimologjinë, pasi është mjaft e diskutueshme. Mendojmë për një lidhje të mundshme me Moravinë, vend në lindje të Bohemisë, në Çeki, ku thuhet se kanë kryer misionin e tyre dy vëllezërit shenjtorë Kirill dhe Metodi, të cilët nuk arritën të kthehen kurrë në vendin e vet. Pesë prej nxënësve të tyre u kthyen, Klementi, Naumi, Gorazd moravasi, Angellari dhe Sava. Këta së bashku me dy mësuesit e tyre, njihen si “Shtatë Shenjtorët”. Kulti i tyre nuk është i njohur në Evropë. Mendohet se ata janë nderuar në trevat e Ohrit, Prespës dhe në Rodopet (Bullgari)[18]. Nuk kemi të dhëna për përhapjen e kësaj ikone në trevat e Devollit. Ekziston mundësia (mendimi ynë), që dy prej nxënësve Klimenti ose Naumi, që mendohet të kenë qenë vëllezër gjaku, t’i kenë dhënë emrin këtij vargmali për nder të Moravisë, vendi ku ata mësuan.
- Vetë pozicioni strategjik i Bozhigradit (Mirasi) dhe Nikolicës, dendësia e fshatrave të shumta të prishura, rruga e vështirë për të arritur në Nikolicë dhe natyra e bukur që të përcjellin këto vende, janë shumë pranë perceptimit të Ana Komnenës (për Devollin në Aleksiada), si një vend i mbrojtur mirë, i shtrirë rrëzë një mali të lartë të panjohur, ku për të mbërritur atje duhet të kalosh nëpër ngushtica malesh të pakapërcyeshme lehtësisht.
Natyrisht që tema është tepër e gjerë dhe kërkon fakte dhe dëshmi të tjera, por formanti konferencës dhe i punimit na bën “të kënaqemi” me këto të dhëna. Ne jemi në proces hulumtimesh dhe konsultimesh me specialistë të fushave përkatëse për të dalë në një konkluzion sa më objektiv dhe koherent.
Shiko dhe këtë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Rrethi i Devollit në Facebook
Lidhje të jashtme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Devolli – Lumi i Djallit apo Lumi i Zotit ?
Vështrim kritik rreth një studim mbi etimologjinë e fjalës “Devoll”Nga Vepror Hasani
Kohë më parë, dy pedagogë të Universitetit “Fan S. Noli” të Korçës, dr. Dhimitër Bello dhe prof. as., Robert Damo, morën përsipër të zbulonin kuptimin e fjalës “Devoll”. Me këtë emër njihet lumi i Devollit, rrethi i Devollit dhe qyteti prehistorik i kësaj krahine, i cili ende nuk është zbuluar se në ç’vend ndodhet. Pas deshfrimit të fjalës “Devoll”, Bello dhe Damo do të zbulonin edhe vendndodhjen e qytetit, sepse do të ishte etimologjia e kësaj fjale që do t’i çonte atje. Pra, kështu duket se ka qënë synimi dhe pretendimi i tyre.
Prejardhja
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Deri më sot nuk ka pasur asnjë dilemë që emri “Devoll” rrjedh nga fjala “Deaboli” apo “Deboli”, madje nuk ka asnjë mëdyshje që ky lumë në krye të herës është quajtur “Eordhaik”. Po kaq e vërtetë është që në këto troje ka jetuar fisi ilir i eordejëve. Pra, çdo lloj studimi kishte dhe ka mundësinë të niste apo të nisë mbi një bazë të sigurtë. Pas përfundimit të studimit, ata (Bello dhe Damo), sollën idenë e tyre: kishin arritur në përfundimin se lumi i Devollit ka kuptimin “Lumi i Djallit”. Për rrjedhojë, edhe zona (rrethi) ka kuptimin “Krahina e Djallit”, edhe qyteti, ende i pa zbuluar, ka pasur emrin “Qyteti i Djallit”. Ky studim është botuar kohë më parë në një apo dy të përditshme, nën titullin: “Lumi i Djallit”! i shoqëruar edhe nga mbititulli : “Mbi vendndodhjen e Devollit, nën vështrimin toponimik”. Veç sa më sipër, materiali në fjalë, paraqitet si prodhim i Universitetit “Fan Noli” Korçë. U njohëm rastësisht me këtë studim, i cili çuditërisht linte pezull mjaft pikpyetje, pasi më shumë se çdo shpjegim tjetër, Lumi i Devollit ka kuptimin “Lumi i Zotit” dhe jo “Lumi i Djallit”.
Tezat
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ku qëndrojnë kundërshtimet mes dy tezave: nëse lumi i Deabolit do të kishte kuptimin e djallit, atëherë automatikisht do të kuptonim se ky lumë e ka prejardhjen nga fjala greke (diavolos), në të njëjtën kohë dhe qyteti Deaboli do të na shndërrohej në “Theapolis”, që do të thotë “Qytet i Zotit”, por tashmë në kuptimin e gjuhës greke. Kjo tezë jo vetëm që është e pabesueshme, por njëherazi është dhe e absurde. Argumentet, pse lumi i Deabolit nuk mund të ketë kuptimin “Lumi i Djallit”, por “Lumë i Zotit” do t’i sjellim më poshtë.
Me të njëjtin emër
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Dy profesorët, studimin e tyre e nisin me këto fjalë: “Pakkush e di sot se emri Devoll haset në funksion të trefishtë nominativ; si emër qyteti, lumi dhe rrethi. Tek ne rëndom njihet me dy funksionet e fundit”. Në të vërtetë konkluzioni i pedagogëve nuk është i plotë, sepse nga gjithkush dihet që në trojet e Devollit jetonin Eordejtë, krahina quhej Eordea, kurse lumi i Devollit në krye të herës është quajtuar “Lumi i Eordaikut”, ashtu sikurse Vjosa quhej “Aosi” dhe lumi i Osumit “Aspi”. (Shumë nga lumenjtë nuk kanë pasur emrat e sotëm). Ndërkohë edhe qyteti i kësaj krahine quhej Eordea, ashtu si vetë krahina. Pra, kjo krahinë, qyteti i saj, dhe lumi, kanë pasur gjithnjë të njëjtin emër. Sipas arkeologut Hasan Ceka, “eordejt e linkestët banonin në Devollin e Sipërm, respektivisht përreth Liqenit të Pogradecit, d.m.th. në pjesën lindore, veriore dhe veriperëndimore të qarkut të Korçës”. Kjo do të thotë, që në atë kohë, gjithë shtrirja gjeografike, quhej Eordea. Pra, edhe rrethinat e Pogradecit, edhe Korça, edhe Devolli, madje deri në liqenin e Kosturit (po ta themi më thjeshtë) këto troje kanë qënë të banuara nga devollinjtë,(eordejtë) Dhe jo vetëm kaq, Eordejtë shtriheshin deri në kufi me Gorën dhe Oparin, aty ku takoheshin me fisin e Atintanëve. Për rrjedhojë, edhe kur lumi i Eordaikut u shndërrua në Deabolis, të njëjtin emër mori edhe krahina, edhe qyteti. Nuk është aspak çudi që qyteti Eordea të jetë shndërruan në Deaboli, fill pas shkatërimeve që pësuan këto troje nga ushtria e konsullit Romak, Sulpici më 199 p.e.s apo nga shkatërrimet e ushtrisë maqedonase të Perseut më 171 p.e.s, sepse në shek II, qyteti Erodia del me emrin Deboli. Gjithsesi, Bello dhe Damo, nuk i referohen aspak kësaj periudhe, ata, çuditërisht, e përqëndrojnë studimin e tyre vetëm gjatë kohës së pushtimit bullgar dhe mbi toponimet sllave. Por të shpjegosh gjuhën shqipe përmes sllavishtes, kjo përpjekje do të ishte edhe më shumë se absurd.
Devolli- Lumi i Djallit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Dhimitër Bello dhe Robert Damo, pasi analizojnë çdo toponim sllav dhe çdo burim sllav, pa i krahasuar ato me burime të tjera, dalin në përfundimin se domethënia e Lumit të Devollit është “Lumi i Djallit”. Cilat janë argumentet e tyre?. Bello dhe Damo pasi sjellin në vëmendje të studimit se Devolli është përmendur fillimisht si qyteti Debolia nga gjeografi grek, Ptolemeu që në shek II-të, pohojnë: “Emërtimin Devoll, me trajta paksa të ndryshme fonetike, e hasim shumë herët. Më pas, në studime dhe dokumente të ndryshme, emri paraqitet me forma të ndryshme. Në Mesjetë, tek Ana Komnena, kemi një devijim fonetik dhe semantik të emrit duke e quajtur Lumi i Djallit, flumen Diaboli, ndërsa në kohën e kryqëzatave arrin të quhet flumen Deamonis. Po kështu, emrin e hasim edhe në trajtat e tjera në periudha të ndryshme si Deaboli, Deabolis, Deebu (1273), Deavolis, Dievolis, si dhe Euali (1351, 1367), Drevale, Jevali (1360, 1363), Dievali (1344, 1347, 1359), Devoli (1380)[1]“. Pra, nga gjithësa shihet përevç devijimit fonetik që ka sjellë Ana Komneni, në asnjë rast tjetër ky lumë nuk është quajtur “Diaboli” që të ngulmohet te kuptimi “Lumi i Djallit”. Megjithatë dy pedagogët tashmë e kanë hedhur hapin e parë. Për ta lumi i Deabolit është “Lumi i Djallit”.
Devolli-Lumi i Zotit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Krejt në kundërshtim me dy pedgogët e cituar më sipër, studiuesi Perikli Ikonomi, na jep një shpjegim tjetër: Sipas tij, Lumi i Devollit quhej “Lumi i Zotit”, sepse ky lumë shkonte në drejtim të malit të shenjtë të Tomorit dhe ka qënë i lavdëruar edhe nga perënditë e këtij mali. Kjo do të thotë se edhe krahina është quajtur “Toka e Zotit” edhe qyteti prehistorik “Deabolis” ka qënë “Qytet i Zotit”. Shprehimisht Perikli Ikonomi e shpjegon kështu: “Devolli e ka marrë emrin nga Deolum-Deoli- Deolli. Ky lumë vjen nga fjala latine Deus (Divus) –Perëndi, (i shenjtë), d.m.th. deo-lum a deo-lumi, deolum –deoli-Deolli. Ky lum në kohë të vjetra ka qënë i pabashkuar me Osumin dhe ka pasur rrugë tjetër që sot ka emrin “Dell”i, atëherë quhej Eordhaik”. Pra edhe nëse i referohemi Ptolemeut, ku ai këtë lumë e sjell me emrin “Debolia”, rrënjën e kësaj fjalë e gjemë te latinishtja. Një variant të kësaj ideje sjellin edhe dy pedagogët, Bello dhe Damo, por çuditërisht ata nuk e marrin parasysh. Ata shprehen se “sipas akademikut bullgar St. Mlladenov, toponimi fillimisht duhet të ketë qenë një substrat hidronimi dhe burimin e sheh në rrënjën trakase Dev-ula me kuptimin “rrjedh”. Dy pedagogët sjellin edhe një shembull tjetër dhe sërish nuk e marrin parasysh, ku konstatojnë se, “sipas një tjetër studiuesi, po bullgar, Zhivko Vojnikov toponimin e nxjerr nga protobullgarishtja (gjuhë ugro-fine), duke e lidhur këtë me semantikë paralele me iranishten dewol, diwol me kuptimin “mur” dhe jep analogen indoevropiane të trakishtes dava- deva me kuptimin “fortesë, qytet”. Pra edhe studiesit bullgarë nuk sjellin ndonjë përngjasimi me fjalën “djall” Të gjitha këto tregojnë se domethënia e fjalës “Deboli “duhet kërkuar te rrënja “devus”. Më shumë se te kushdo tjetër, e vërteta duket se është në anë të Perikli Ikonomit. Ja edhe një argument më shumë: Në qëndër të Devollit të Sipërm, ngjitur me lumin e Deabolit (Devollit) gjendet një fshat me emrin Bozhigrad që në sllavisht do të thotë “Qytet i Zotit”, pra, emri “Deabolis”, thjesht është sllavizuar me kuptimin që ka pasur dikur. Dhe ndërsa dy pedagogët e këtij studimi mbërrijnë në këtë pikë, shprehen: Bozhi-grad do të thotë “qytet i zotit”, atëherë qyteti i Deabolit ka qënë “Theopolis”, që greqisht do të thotë “qytet i Zotit” Të mbërrish në konkluzione të tilla, nuk është e nevojshme të jesh profesor, sepse shkruan vetëm atë që dëshiron, pa sjellë asnjë provë. Pra, dy pedagogët, lumin e duan të jetë i djallit, (Diavolos) ndërsa qytetin e duan të jetë i zotit, (Theopolis) paçka se lumi dhe qyteti kanë pasur të njëjtin emër: Deaboli. (Duket sikur pedagogët e kanë harruar atë që kanë shkruar në fillim, kur thonë se krahina, qyteti dhe lumi mbanin të njëjtin emër). E vërteta është se banorët e sotëm të Devollit edhe sot e kësaj dite e konsiderojnë lumin e tyre si lumë të shenjtë, sepse ishte dhe është ky lumë që i jep ujë gjithë fushës së tyre dhe “hakmerrej” me ta, sa herë delte nga shtrati. Për të gjitha këto arsye, ky lumë quhej i shenjtë, trojet të shenjta, qyteti i shenjtë.
Devolli sipas gjuhëve sallave
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në këtë studim, që nga fillimi e deri në fund, Bello dhe Damo, e kanë kërkuar etimologjinë e fjalës “Devoll” vetëm te gjuhët sllave. (Se si mund të shpjegohet një fjalë ilirike me gjuhën sllave këtë e dinë vetëm dy pedagogët!) Ja varianti i parë sllav: fjala “De-voll” jep kuptimin “ku- dhëmb”, sepse, sipas sllavishtes, rrokja e parë “de” ka kuptimin “ku” dhe rrokja e dytë “voll” ka kuptimin “dhëmb” që do të thotë “ku dhëmb”. Varianti i dytë sallav : “De-voll” do të thotë “ajs o ka”, sepse, kësaj radhe, rrokja e parë “de” ka kuptimin “ajs” dhe rrokja e dytë, “voll”, kuptimin “ka”, që përfundimisht do të thotë “ajs (ec) o ka”.(A nuk janë qesharake(!). Koincidenca të tillë mund të sillnin edhe fjalën “dua-bukë”, dhe kjo është shkencë (!) Duke u përqendruar te toponimet sllave, dy pedagogët marrin në analizë një sërë toponimesh sllave, të mbetura gjatë pushtimit të tyre, duke filluar që nga fjala : Bozhigrad, mali i Çernokut, Sinicë, Nikolicë, Dobërgorë etj, që sipas shpjegimit të tyre: “Ky qytet (Deaboli) paraqet rëndësi të madhe si për albanologjinë po kështu edhe për sllavistikën, përkatësisht bullgaristikën”. Por kur në këtë zonë ndeshen me fshatin Qytezë që ka një emër të pastër në shqip, kjo edhe sipas Çabejit (qytet i vogël), pedagogët nxjerrin këtë përfundim : “Këtu ose sllavët e kanë përkthyer trajtën qytezë në gradishtë ose Qyteza vetë të jetë një përshtatje e formës sllave në shqip”. Sipas kësaj logjike i bie që fshatrat e Devollit paskan pasur emra sllavësh, ndërsa shqiptarët i paskan shqiptarizuar ato (!) Dhe në vijim të këtij studimi, dy autorët vënë në dukje se, “fama e madhe e këtij qyteti lidhet më shumë me misionin kishtar dhe arsimor të Klimentit dhe Naumit, nxënës të dy shenjtorëve vëllezër Shën Kirilli dhe Metodi, misionarë bizantinë që ngarkohen për hartimin e alfabetit sllav, që njihet sot tek ne si Cirilik për nder të Shën Kirillit. Misionarët vdesin në Moravi (Çekia e sotme), duke lënë një alfabet të quajtur glagolik me paraqitje si hieroglifë. Janë pikërisht nxënësit e tyre dhe kryesisht Klimenti dhe Naumi që hartojnë alfabetin që kanë edhe sot sllavët. Pra, me pak fjalë, Devolli është një nga qendrat e hartimit të alfabetit sllav”. (Ndoshta për këtë arsye, dy pedagogët vënë në dilemë emrin e fshatit Qytezë, nëse ne e kemi marrë nga bullgarët apo bullgarët e kanë marrë nga ne (!).
Në kërkim të qytetit Deaboli
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Pa u zgjatur shumë, dy autorët e studimit arrijnë në përfundimin se qyteti Deaboli duhet të jetë fshati Zvezdë (Çuditërisht dy pedagogët kërkimet e tyre i bëjnë në Devollin e sipërm duke na treguar se deri ku shtriheshin bullgarët në këtë krahinë, ndërsa befas zbulimin e bëjnë në fshatin Zvezdë të Korçës) Megjithatë, cili është shpjegimi i tyre? Siç shpjegojnë vetë pedagogët, ata janë mbështetur te jetëshkrimi i Peshkopit Mihail të Devollit, i cili ka qenë Peshkop grek i qytetit të Devollit në fillim të shek. XII, dhe që tregon se në fillim të këtij shekulli, qyteti i Devollit ishte quajtur Selasforos, “Dritëmbajtës”. Fill pas kësaj thënie, autorët bëjnë këtë lidhje kuptimore: Selasfor do të thotë “dritëmbajtës”, ndërsa Zvezdë në sllavisht do të thotë “yll”, pra, sipas tyre, dritëmbajtës-yll, është e njëjta gjë, atëherë Deaboli është Zvezda. Në gjithë këtë shpjegim një gjë nuk kuptohet qartë: Deaboli u shndërrua në Zvezdë dhe më pas në Selasfor apo Deaboli fillimisht u kthye në Selasfor dhe pastaj u bë Zvezdë, sepse fillimi i shekullit XII shënoi dhe fundin e pushtimit bullgar në këto treva, çka do të thotë se Selasfor ka qënë emërtimi i fundit i qytet Deaboli. Atëherë si ka mundësi që Selasfori u harrua dhe Deaboli sërish shndërrua në Zvezdë?! Shpjegimi është më i thjeshtë se kaq: Selasfori ishte emri i peshkopatës, por nuk kishte asnjë lidhje me qytetin e Deabolit, sepse me rënien e kësaj peshkpate u harrua dhe emri i saj. Pavarësisht përpjekjet që kanë bërë dy pedagogët për t’i dhënë qytetit të Deabolit kuptimin e “Qytetit të Djallit”, duket qartazi dhe hapur që argumentet e tyre nuk qëndrojnë dot në këmbë. Sigurisht më shumë se sa toponimet sllave do të jenë gërmimet arkeologjike ato që do të thonë fjalën e fundit dhe nuk do të jetë aspak çudi që e vërteta do të jetë në anën e studiuesit Perikli Ikonomi, i cili ka argumente të besueshme që ky lumë quhej “Lumi i Zotit”, eordejtë “njerëz të Zotit” dhe qyteti i tyre Qytet i Zotit”. Çdo studiues serioz e shikon prejardhjen e fjalës “Debolis” te rrënja “devus” që do të thotë “Zot”dhe të gjuha shqipe e vjetër, te rrënjët e saj.
Burimet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ https://en.climate-data.org/location/468012/
- ^ https://www.meteoblue.com/en/weather/forecast/modelclimate/bilisht_albania_783606
Ky artikull me tematikë në lidhje me gjeografinë e Shqipërisë është një faqe cung. Ju mund të ndihmoni Wikipedia-n duke e përmirësuar atë. |