Arsimi tek ilirët
Arsimi dhe edukata tek ilirët janë nocione dhe koncepte nga fusha e historisë së arsimit dhe mendimit pedagogjik me të cilat nënkuptohet tërësia e formave, organizimeve dhe institucioneve arsimore, edukative dhe shkollore tek ilirët. Duke u mbështetur në hulumtimet dhe zbulimet më të reja shkencore historike, arkeologjike, epigrafike (mbishkrimore), linguistike (gjuhësore), paleografike, etj. është bërë e mundur edhe rikonstruktimi i sistemit arsimor dhe edukativ te ilirët. Shikuar në përgjithësi, mund të thuhet se, arsimi dhe edukata tek ilirët është zhvilluar duke u nisur nga një nivel i edukatës familjare dhe informale drejt një sistemi të organizuar, institucional dhe formal arsimor.
Ilirët dhe Iliria
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ilirët ishin një popull i lashtë i Gadishullit Ballkanik dhe njëri ndër popujt më të lashtë të Evropës. Me sa dihet deri më sot, ata për herë të parë i përmend gjeografi antik grek nga shekulli VI p.e.s. Hekateu i Miletit në veprën me titull "Periodos Europa" dhe historiani antik grek nga shekulli V p.e.s. Herodoti në veprën me titull "Historitë". [1] Pikërisht në këtë periudhë kohore, ilirët hynë në dritën e historisë si një popull, që dallohej për fizionominë e tij etnike, për zhvillimin e tij kulturor e politik, në mes të popujve të Ballkanit. [2] Territori në të cilin banonin ilirët, nga autorët grek dhe romak është quajtur Iliria. Sipas tyre, ilirët "në epokën parahistorike dhe historike kanë banuar në një rajon të gjërë që nga lindja mbyllet nga Deti Adriatik dhe Deti Jon, në veri nga Alpet Lindore dhe lumi i Dravës, në lindje lumenjt Danubi, Morava dhe Vardari, ndërsa në jug Epiri, Malet e Pindit dhe vise të tjera helene. Përveç kësaj, mund të flitet me mjaft siguri për praninë e elementeve ilire edhe në Greqi, Azinë e Vogël dhe Itali. [3] Ata ishin fqinjë të grekëve antikë me të cilët për shekuj të tërë bashkëjetuan si dy popuj dhe si rezultat i kësaj krijuan "nënshtratin e përbashkët kulturor ballkanik". [4] [5] [6]
Arsimi dhe edukata
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Shikuar nga pikëpamja e rrethanave dhe kushteve shoqërore dhe ekonomike në të cilat u zhvillua arsimi dhe edukata te ilirët mund të dallojmë tri periudha kryesore e që janë:
- Edukimi te ilirët në bashkësinë e parë primitive (deri rreth shekullit IX p.e.s.)
- Arsimi dhe edukata te ilirët në shoqërinë skllavopronare para pushtimit romak (prej shekullit IX p.e.s. deri në shekullin I p.e.s.)
- Arsimi dhe edukata te ilirët në shoqërinë skllavopronare prej pushtimit romak deri në rënien e Perandorisë Romake (prej shekullit I p.e.s. deri në shekullin V e.s.).
Sistemi arsimor
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Edukimi në familje
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Edukimi i fëmijëve në familje përbënte fazën e parë të edukimit e që përfshin periudhën që nga lindja deri në moshën 7 vjeçare. Gjatë kësaj periudhe fëmijët e ilirëve edukoheshin në gjirin familjar, nga ana e prindërve dhe/ose gjyshërve, mirëpo rol të veçantë edukativ kishte nëna (gruaja ilire). Dihet se gruaja ilire në familje dhe në shoqëri gëzonte respekt të veçantë. Autorët antikë grekë dhe romakë, zbulimet arkeologjike dhe studiuesit bashkëkohorë konfirmojnë se gratë në botën ilire kishin më shumë të drejta se gratë antike greke ose romake. Mes tjerash ato gëzonin edhe të drejtën e trashëgimisë duke u nisur që nga familja deri në organet më të larta drejtuese të shtetit. Shembuj të këtillë janë edhe Olimpia (Mirtal), Teuta, Beroja, Birkena, Etleva, etj.[7] Sipas Ciceronit, gratë ilire ishin "të fuqishme dhe punëtore po aq sa edhe burrat e tyre, ato i ruanin bagëtitë, sillnin dru në vatrat e tyre dhe përgatisnin ushqimin. Fëmijëve të vet, madje edhe binjakëve u jepnin gji ato vet".[8] Pas kësaj periudhe fëmijët e qytetarëve të lirë, të shtresave të mesme dhe të larta të shoqërisë ilire,[9] e vazhdonin arsimin dhe edukimin e tyre në institucione përkatëse arsimore-edukative.
Shkolla e gramatikanit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Shkollat e gramatikanit (fillore) ishin institucione arsimore private në të cilat vijonin mësimin fëmijët e ilirëve prej moshës 7 deri në moshën 11 vjeçare. Këtë shkolla i mbanin gramatikanët. Në këtë periudhë kujdes i veçantë i kushtohej mësimit të leximit, shkrimit dhe njehsimit. Si mjete për të shkruar përdoreshin tabela të vogla prej druri të lyera me një shtresë dylli bletësh si dhe stilot të cilat ishin vegla të mprehta metalike ose prej kocke (ashti) në formë lapsi. Përveç këtyre tabelave ilirët përdornin edhe papirusin dhe pergamenën. [10]
Palestra
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Palestra ishte faza e tretë e sistemit arsimor te ilirët në të cilën vijonin mësimet fëmijët nga mosha 12 deri 14 vjeçare. Edhe këto institucione arsimore zakonisht ishin private. Gjatë kësaj periudhe vëmendje e veçantë i kushtohej zhvillimit fizik të të rinjve, kryesisht nëpërmjet ushtrimeve gjimnastikore dhe atletikës. Synimi primar i tyre ishte formimi i personalitetit të fuqishëm, të qëndrueshëm, të shkathët dhe me trup të bukur. [11]
Gjimnazi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Gjimnazi është faza e katërt e sistemit arsimor te ilirët në të cilin vijonin mësimet të rinjtë prej moshës 15 deri në moshën 17 vjeçare. Arsimimi në gjimnaz bëhej nën kujdesin e gimnaziarkut ndërsa kujdes i veçantë i kushtohej përgatitjes fizike, ushtarake dhe mendore (intelektuale) të të rinjëve, nëpërmjet vrapimit, kërcimit, hedhjes së shtizës dhe diskut, bisedave filozofike, letrare dhe juridiko-politike me njerëz të ditur të kohës, etj. [12] [13]
Efebia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Efebia paraqet fazën e pestë të sistemit arsimor te ilirët e ku vijonin mësimin të rinjtë, zakonisht meshkuj, prej moshës 18 deri në moshën 20 vjeçare. Gjatë kësaj periudhe vazhdonte përgatitja fizike dhe ushtarake e të rinjve, vitin e parë nën drejtimin e gimnaziarkut ndërsa vitin e dytë në reparte kufitare të njohura si peripole nën drejtimin e peripolarkut. Synimi kryesor i kësaj periudhe ishte përgatitja e luftëtarëve të aftë për mbrojtjen e qytetit-shtetit të tyre në rast nevoje. Për shkak të rëndësisë sa dhe çfarë kishte efebia, përgatitja e të rinjve në këtë periudhë bëhej nën kujdesin e drejtpërdrejtë të shtetit dhe bashkësive qytetare ilire të njohura si koinone. [14]
Aspekte tjera arsimore - edukative
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në Iliri, sidomos në Ilirinë e Jugut ishin paraqitur edhe institucionet e para arsimore pak më herët se në pjesët tjera të Ilirisë. Kështu p.sh. Mbreti Tharipa ka meritën se futi elementet e qytetërimit kulturor të asaj kohe në Molosi dhe Epir duke përfshirë edhe teatrot, shkollat (arsimin) dhe administratën me ligje e parime filantropike. [15] Gjithashtu ekzistonin edhe institucione të larta arsimore, si p.sh. në Apolloni, Butrint, Durrës, etj. Hulumtimet arkeologjike dëshmojnë ekzistencën e gjimnazit në Apolloni qysh nga fundi i shekullit VI p.e.s. [16] Dëshmitë historike flasin për Skolinë e Apollonisë në të cilën në vitin 44 p.e.s. ishte student edhe nipi i Jul Cezarit, Oktavian Augusti, mbase për arsye se në këtë institucion arsimor jepnin mësim dijetarë të shquar të kohës. [17] Skolia e Apollonisë ishte një shkollë filozofike - retorike në të cilën studentët mësonin njohuri nga fusha të tilla si filozofia, oratoria (retorika), letërsia dhe gjuha. Gjeografi dhe historiani grek Straboni në veprën e tij Geographica e cilëson "qytet me ligje të mira" (polis eunomotate). [18] Edhe oratori romak Ciceroni që i kishte vizituar këto vise në vitin 58 p.e.s. në veprën e tij Philipicae e cilësoi Apolloninë si një "qytet i madh e hijerëndë" (magna urbs et gravis) me një shkollë të filozofisë dhe oratorisë. [19] Në disa qytete ilire është dëshmuar edhe ekzistenca e bibliotekave dhe stadiumeve. Në periudha të ndryshme historike, në Iliri funksionuan edhe institucione arsimore greke dhe romake në të cilat i ndiqnin mësimet fëmijët e shtresave të pasura ilire.[20]
Ndërkaq, për qytetin e Durrësit antik flet edhe filozofi dhe mësuesi i madh i Greqisë antike, Aristoteli, autor i disa shkrimeve kushtuar ilirëve, mes të cilave dallohen Kushtetuta e Dyrrahut dhe Kushtetuta e Mollosëve. [21] Në veprat e tij Aristoteli disa herë e merr Durrësin si shembull për qeverisjen e brendshme, [22] Përderisa poeti Catulus e quajti Durrësin "taverna e Adriatikut" (Adriae taberna), Ciceroni e përshkruan si një "qytet i admirueshëm" (admirabilis urbs). [23] Në përgjithësi, nga shkollat dhe sistemi arsimor ilirë dolën dijetarë dhe personalitete të shquara, komandantë ushtarakë dhe burrështetas të dalluar (mbretër).[24]
Funksionimi i një sistemi të rregullt arsimor ndihmoi në zhvillimin e formave të larta të kulturës. Në qytetet kryesore nuk mungonin kurrë shëtitoret, që ishin ndërtesa publike për zhvillimin e bisedave politike, letrare e filozofike. Shëtitorja e Bylisit, me gjatësi 144 m, ka qenë dykatëshe dhe kishte dy kalime, të ndara nga një kolonadë, për lëvizjen e qytetarëve. Shëtitore janë zbuluar edhe në Nikaja, Dimal, Foinike. Në qytetet kryesore kishte edhe teatro, që ishin llogaritur jo vetëm për popullësinë e qytetit, por edhe të fshatit. Këtë e dëshmon kapaciteti i teatrit të Bylisit me 7500 vende, kur popullsia e vetë qytetit ishte 10-15 mijë banorë. Kuptohet se pjesa më e madhe e spektatorëve ishte nga territoret fshatare, Karkateri masiv i pjesëmarrjes tregon njëkohësisht se shfaqjet nuk ishin llograitur për një elitë të kulturuar, që mund të ndiqte dramat në gjuhën e Eskilit, të Sofokliut, e të Euripidit, por, në gjuhën vendase, të kuptueshme për të gjithë. Kjo është një provë e tërthortë për ekzistencën e një letërsie dramatike në gjuhën ilire. Në përgjithësi, jeta politike, kulturore dhe fetare në bashkësitë qytetare ilire zhvillohej edhe në gjimnaze, shëtitore, teatro, stadiume, tempuj, etj.
Në historinë e ilirëve, duke përfshirë këtu edhe arsimin dhe edukimin e tyre, vend të rëndësishëm zënë edhe luftërat, sidomos ato me romakët. Intervenimet romake me qëllim që ta thyenin rezistencën ilire zgjatën përreth dy shekuj. Ato pothuajse gjithmonë ngadhënjenin, por pas çdo disfate fiset çlirimtare ilire përsëri gjenin forcë për rezistencë dhe kryengritje. [25]
Mësues të njohur nga Iliria
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Kratil Mahata
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Kratil Mahata (shek. III p.e.s.) ishte një gimnaziark nga qyteti ilir Nikaja emri i të cilit përmendet në një mbishkrim të gjetur në kështjellën e Klosit në Mallakastër. [26] "Në kështjellën ilire të Klosit në Mallakastër, ku është identifikuar qyteti ilir Nikaja, gjatë hulumtimeve arkeologjike, ishte gjetur një mbishkrim i shekullit III p.e.s. i cili përmend, krahas nëpunësve kryesorë të qytetit, edhe gimnasiarhun me emrin Kratill Mahata, të ngarkuar me arsimin dhe përgatitjen fiziko-ushtarake të rinisë. [27] Si për të provuar më shumë këtë fakt, u gjet në qytetin Oropos të Greqisë një mbishkrim i shekullit II p.e.s. ku, ndërmjet fitimtarëve në garat e vrapimit me armë në festat e Amfiarajës, rreshtohej i pari një i ri nga qyteti Nikaja. Ky ishte një nder edhe për gimnazin e qytetit, ku ishte përgatitur kampioni."
Mark Lugari
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Mark Lugari (Shek. II p.e.s.) ishte një mësues nga qyteti i Apollonisë i cili ka jetuar në shekullin II p.e.s. [28] Gjatë hulumtimeve arkeologjike në varrin e mësuesit Mark Lugari janë zbuluar mjetet e shkrimit të cilat përdoreshin asokohe nga ana e nxënësve në shkollë. Në brezin e këtij mësuesi varej një mbajtëse lëkure, në vrimat e së cilës futeshin fletët e shkrimit nga papirusi ose pergamena, të mbledhura në formë cilindrike. Në fund kishte një kanxhë metalike për kapjen e kallamarit dhe për mbajtjen e një stiloje. Gurëskalitësi ka gdhendur aty edhe një tabelë katërkëndëshe shkrimi. Në këtë mënyrë janë dhënë që të dyja mënyrat me të cilat shkruhej asokohe. [29] [30]
Krahas më mësuesit Kratill Mahata dhe Mark Lugari përmenden edhe mësimdhënës dhe filozofë të tjerë si p.sh. filozofi pitagorik nga Apollonia, Mark Sopatri si dhe emri i stoikut Niko Filozofi, etj. [31]
Niketë Dardani (Niketa i Remesianës)
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Niketë Dardani (335, Remesianë - 414, Remesianë) i njohur edhe si Shën Niketa i Remesianës ishte personalitet poliedrik, dijetar i shquar, muzikant dhe teolog ilir me famë botërore. Vet Niketë Dardani ka shkruar se "ishte dardan" (dardanus sum), nga Remesiana e Dardanisë (sot Bela Palanka në juglindje të qytetit të Nishit në Serbi). Ipeshkv i Remesianës që nga mosha 26 vjeçare. Njohës i disa gjuhëve të huaja. Autor i disa veprave të shkruara në latinisht mes të cilave dallohet vepra në gjashtë libra Competentibus ad baptismum instructionis libelli VI dhe vepra muzikore Te Deum Laudamus (Ty o Zot të lavdërojmë). Ka dhënë kontribut edhe në zhvillimin e muzikologjisë dhe edukatës e pedagogjisë muzikore. Si dijetar dhe shenjtor përkujtohet më 7 janar të çdo viti. [32] [33]
Jeronimi nga Stridoni (Sofron Eusebi)
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Jeronimi nga Stridoni (345, Stridon - 420, Betlehem) i njohur edhe si Shën Jeronimi dhe Sophronius Eusebius Hieronymus Stridonensis ishte dijetar i shquar dhe doctor maximus, cilësohet si "babai i kishës" dhe njëri nga katër Etërit e Kishës, (krahas me Ambrozin e Milanos, Shën Augustinin dhe Gregorin e Madh). Sofron Eusebi u lind në qytetin Stridon të Ilirikut (Illyricum) rreth vitit 345. Studioi në Romë rreth viteve 355 - 363 të cilat i vazhdoi në Trier të Gjermanisë dhe Akuilea të Italisë. Udhëtoi në shumë vende të Lindjes gjatë të cilave mësoi edhe hebraishten. Në vitet 382 - 386 ishte sekretar i papës Damasi I, me kërkesën e të cilit e përktheu Biblën në gjuhën latine. Përkthimi i tij i Biblës njihet me emrin Vulgata dhe për një kohë të gjatë ishte i padiskutueshëm. Shkroi mbi 100 biografi të shkrimtarëve të ndryshëm. Ndër veprat e tij të shumta janë edhe Adversus Jovinianum në të cilën ngre lartë virgjërinë. Jeronimi shkroi edhe për ngjarjet e rëndësishme të kohës në viset e Ilirisë ku u lind dhe jetoi, për birrën e përdorur nga njerëzit e Ilirisë të njohur si sabaja (sabaium), si dhe për sulmet dhe shkatërrimet e popujve barbarë në viset e Ilirisë. Jeronimi në veprat e tij ka trajtuar edhe probleme të ndryshme të arsimit, edukimit dhe pedagogjisë si p.sh. ka bërë studime dhe shpjegime mbi një alfabet të ilirishtes të njohura si Alphabetum Illyricum Hieronymus,[34] flet për kualitetet e personalitetit të arsimtarit, shkruan një doracak me tematikë pedagogjike në të cilin trajton çështje që kanë të bëjnë me edukimin dhe arsimimin e vajzave. [35] Vitet e fundit të jetës i kaloi në Jerusalem. Vdiq më 30 shtator të vitit 420 dhe u varros në Betlehem ndërsa më vonë u rivaros në Romë. Në nderim të kontributit të tij si dijetar dhe përkthyes i shquar, 30 shtatori është caktuar si Dita ndërkombëtare e përkthimit. [36]
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Ilirologjia
- Ilirët - Iliria
- Mitologjia ilire
- Arsimi - Edukata
- Mbretëria e Ilirisë
- Dardanët - Dardania
- Mbretëria e Dardanisë
- Arsimi në Romën e lashtë
- Muzeu Kombëtar i Arsimit
- Arsimi në Greqinë e lashtë
- Historia e arsimit në Shqipëri
- Arsimi dhe edukimi në antikitet
- Edukimi dhe arsimi në Perandorinë Osmane
Literatura
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Anamali, Skënder (1976) Të dhënat mbishkrimore në disa qytete të Ilirisë së Jugut. Tiranë
- Baku, Pasho, red. (2011). Enciklopedia universale e ilustruar. Tiranë: Shtëpia Botuese Bacchus. OCLC 734077163.
- Ceka, Neritan (1987) Mbishkrime byline (Inscriptions bylliones). In: Iliria, vol. 17 n°2, 1987. pp. 49-121.
- Ceka, Neritan (1988) Arsimi dhe edukata tek ilirët. Shkenca dhe jeta, Nr. 1, Tiranë
- Črnja, Zvane (1965) Kulturna historija Hrvatske (Historija kulturore e Kroacisë). Epoha, Zagreb
- Dhana, Petraq (2010) "Arsimi dhe kultura në Myzeqe (1912 - 1990)". ISBN 978-0-557-58307-2
- Elsie, Robert (2011) Fjalor Historik i Shqipërisë. Uegen, Tiranë
- Grup autorësh (1965, 2002) Ilirët dhe Iliria te autorët antikë. Tiranë
- Grup autorësh (1986) Didaktika. Instituti i Studimeve Pedagogjike. Tiranë.
- Grup autorësh (1990) Historia e arsimit shqiptar, (I). Instituti i Studimeve Pedagogjike, Tiranë
- Grup autorësh (2003) Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar. Instituti i Studimeve Pedagogjike, Tiranë
- Koliqi, Hajrullah (1997) Historia e pedagogjisë botërore, (I). Universiteti i Prishtinës, Prishtinë
- Lafe, Emil, red. (2008). "Fjalor Enciklopedik Shqiptar". (Encyclopedic Dictionary of Albania). Vëll. 2. Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë. ISBN 9789995610272. OCLC 426069353.
- Maraval, Pierre (1998) [1995]. Petite vie de Saint Jérôme (në frëngjisht) (bot. Éditions Desclée de Brouwer). Paris (France). ISBN 2-220-03572-7.
{{cite book}}
: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja) - Plutarku (2000). Pjerin Logoreci (red.). Pirro (Pyrrhus of Epirus): Jetë Paralele (Parallel Lives). Përkthyer nga Sotir Papahristo. Tiranë: Logoreci. ISBN 9992766417. Marrë më 14 nëntor 2021.
- Osmani, Shefik (1983), Fjalor i pedagogjisë, Tiranë: Shtëpia Botuese "8 Nëntori", OCLC 17442147
- Qafëzezi, Ilo-Mitkë (1936) Dhaskal Gjoka ose shkolla korçare e qëmoçme. Qafëzezi, Korçë
- Rexhepi, F. & Demaj, F. (2009) Historia 6, Libri Shkollor, Prishtinë
- Rexhepi, F. & Demaj, F. (2019) Historia 5, Libri Shkollor, Prishtinë
- Stipçeviq, Aleksandër (1980, 1990, 2002) Ilirët (Historia, Jeta, Kultura, Simbolet e Kultit). Prishtinë, Tiranë
- Strabo Geographica. Book IX, Chapter 3, 16
- Schram, Gottfried (1994) A New Approach to Albanian History, www.albanianhistory.net
- Šišić, Ferdo (1925) Povijest Hrvata u vrijeme narodnih vladara (Historia e Kroatëve në kohën e sundimtarëve popullor), Naklada školskih knjiga Zagreb ISBN 86-401-0080-2
- Wilkes, John (2005) Ilirët. Bacchus, Tiranë
Lidhje të jashtme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Histopedagogji (S. Susuri)
- Edukata, arsimi, besimi dhe shkollat ilire Arkivuar 17 korrik 2020 tek Wayback Machine. këshillapsikologjike.info
- Kocillari, J. Edukimi dhe sportet në botën ilire. shqiptarja.com
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Grup autorësh 2002, p. 16.
- ^ Grup autorësh 2003, p. 13.
- ^ Stipqeviç 1980, p. 35
- ^ Baku 2011, p. 434 - 437.
- ^ Lafe 2008, p. 975 - 978.
- ^ Wilkes 2005.
- ^ Stipqeviç 1980, p. 174.
- ^ Šišiċ 1925, p. 83.
- ^ Rexhepi & Demaj 2009, p. 84 - 85.
- ^ Koliqi 1997, p. 101.
- ^ Grup autorësh 2003, p. 17 - 18.
- ^ Strabo Geographica IX, p. 3;16.
- ^ Grup autorësh 2003, p. 18.
- ^ Grup autorësh 2003, p. 19 - 20.
- ^ Plutarku: Pirro (Jetët Paralele), p. 7
- ^ Grup autorësh 2003, p. 22.
- ^ Qafëzezi 1936, p. 84.
- ^ Strabo. Geographica, 7.8.316.
- ^ Elsie 2011, p. 80 - 81.
- ^ Rexhepi & Demaj 2019, p. 16 - 17.
- ^ Osmani 1983, p. 36 - 37.
- ^ Baku 2011, p. 260.
- ^ Elsie 2011, p. 178 - 179.
- ^ Rexhepi & Demaj 2019, p. 16 - 17.
- ^ Črnja 1965, p. 41.
- ^ Anamali 1976, p. 119.
- ^ Ceka 1987, p. 90.
- ^ Dhana 2010, p. 24 - 25.
- ^ Grup autorësh 2003, p. 18.
- ^ Grup autorësh 1986, p. 52.
- ^ Grup autorësh 2003, p. 22.
- ^ Baku 2011, p. 209.
- ^ Schram 1994.
- ^ Baku 2011, p. 880 - 881.
- ^ Maraval 1995 (1998), p. 66.
- ^ Baku 2011, p. 880 - 881.